Probleme gjinekologjike: shkaqet e mundshme
Nga Lorena Stroka
S’e di por kam përshtypjen se akoma dhe sot, femrat shqiptare e kanë të vështirë të flasin hapur për trupin e tyre, ose më saktë lidhur me problemet gjinekologjike që mund të kenë. Mendojnë se po ta thonë gjëkundi, do t’i konsiderojnë të sëmura etj. Ajo që s’kanë kuptuar është se një qëndrim i tillë mund t’i sëmurë vërtet, akoma dhe nëse fillimisht kishin thjesht disa simptoma. Ekzaminimi gjinekologjik është i domosdoshëm për çdo grua. Akoma dhe sëmundjet më serioze në rast se trajtohen në fazat e para, nuk përbëjnë më rrezik për jetën.
Mikesha të dashura, mos prisni t’ju marrë nëna apo bashkëshorti për dore e t’ju çojë në mjek, ky është një detyrim i juaji, ju duhet të kujdeseni për veten tuaj. S’është e thënë që duhet t’ju dhembë patjetër diçka (se ne shqiptaret vetëm atëherë trokasim derën e mjekut), dhe pastaj të kërkoni ndihmë të specializuar, çdo gjashtë muaj DUHET t’i nënshtroheni një testi të përgjithshëm gjinekologjik.
Duke qenë femër vetë, madje nga ato që i japin shumë rëndësi shëndetit, vendosa të shkruaj për disa nga
problemet më të shpeshta gjinekologjike, në qoftë se shenjat e mëposhtme ju kujtojnë diçka, shkoni menjëherë te gjinekologu juaj.
- Gjakderdhje mes menstruacioneve (periodave/zakoneve). Shkaqet e mundshme: PCOS, fibroidet, polipet në qafën e mitrës, ulcerat vaginale, problemet tirode, kanceri i qafës së mitrës, ose fakti që kontraceptivi që përdorni nuk funksionon siç duhet.
- Gjakderdhje ose dhembje gjatë raportit seksual. Shkaqet e mundshme: Klamidia, kanceri qafës së mitrës/vaginës, inflamacioni i qafës së mitrës ose fibroidet.
- Gjakderdhje e tepërt gjatë periodave. Shkaqet e mundshme: fibroidet, problemet tiroide, polipet, infeksionet, si klamidia.
- Dhembje e e pandjerë më parë gjatë periodave. Shkaqet e mundshme: fibroidet, PID, endometrioza, kistet ovariane.
- Flluska, gërvishtje, enjtje ose gunga në organet gjenitale. Shkaqet e mundshme: lythat, kanceri i vulvës, kistet.
- Menstruacione të çrregullta. Shkaqet e mundshme: shtatzënia, shtatzënia ektopike, menopauza, problemet tiroide ose PCOS.
- Erë e pazakonshme. Shkaqet e mundshme: vaginoza bakteriale, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, si infeksioni nga trikomonoza.
- Sekrecione jonormale. Shkaqet e mundshme: vaginoza bakteriale ose klamidia.
- Dhembje legeni/vaginale. Shkaqet e mundshme: fibroidet, endometrioza, kistet./AlbStroka.com/