You Are Here: Home » Gnomonologji » Çfarë mund të thuash për veten tënde?

Çfarë mund të thuash për veten tënde?

© Lorena Stroka

Pyetja më e thjeshtë: “Çfarë mund të thuash për veten tënde?”

Shpesh herë ose nuk dimë se çfarë të themi ose kemi frikë për përgjigjen që do të japim.

Është e rëndësishme të dish se kush je… Të gjesh fjalët që të përshkruajnë, të dish se çfarë të pëlqen, çfarë të krijon neveri dhe se çfarë duron apo nuk duron dot. Fundja dija është forcë.

Sigurisht kërkimi i vetvetes zgjat shumë kohë dhe njerëzit këtë periudhë të sikletshme e quajnë jetë. Kam lexuar se disa njerëz e zbërthejnë fare lehtë veten e tyre, kjo ndodh për dy arsye: e para, sepse ata bisedojnë më shumë me vetveten se sa me të tjerët, dhe e dyta, sepse shumë herët janë përballur me gjendje të vështira në jetë. Për disa të tjerë, më pak fatlumë, kërkimi zgjat një jetë. Për mua, të mësosh se kush je është një proces i vazhdueshëm, në çdo rast, në çdo çast, në çdo hap zbuloj pjesëza të reja nga vetja ime.

Në qoftë se vendos që të perkufizosh vetveten, duhet të dish se kjo nuk është aspak e lehtë, një iniciativë e tillë do forcë, guxim, gjykim objektiv dhe humor.

Paraprakisht, duhet të dish se ke pika të forta dhe disa më pak të forta. Personalisht, nuk besoj në të meta/mangësi, mendoja se të gjithë kemi përparësi të mundshme që nuk kemi mësuar t’i përdorim ashtu siç duhet.

Të jesh vetvetja në një kohë si kjo që po jetojmë është disi e vështirë, kur përditë bombardohesh nga shembuj të rremë… Por mos harroni çdo gjë që ia vlen, gjithmonë të dhemb dhe është e vështirë. Që të mbijetosh në xhunglën e jetës duhet të respektosh dëshirat e tua, të vlerësosh “duhet” e të tjerëve, si dhe t’u mbyllësh derën ndikimeve dhe gjithë atyre që mundohen të të ndryshojnë.

Besoj se shumë njerëz janë të palumtur pavarësisht se pohojnë të kundërtën. E dini pse e bëjnë këtë? Sepse kanë frikë se në botë ka njerëz më të mirë, më të bukur dhe më të zgjuar se ata. Kjo është e papranueshme, si mund të jenë të njëjtë dy njerëz? Secili prej nesh është një entitet unik, i veçantë, me tipare të veta. Pra, sipas meje, më e drejtë është të kuptosh se kush je, të gjesh pikat e tua të forta dhe t’i bësh të tjerët të të pranojnë, pse jo dhe të të duan, për atë që je në të vërtetë se sa të adhurojnë për një imazh artificial.

Është gabim të mohosh vetveten. Është gabim që të mundohesh të ngjash me dikë që nuk je. Është gabim të mos duash atë që je dhe të kërkosh diçka tjetër. Është e pamundur që t’u pëlqejmë të gjithëve. O njerëz, përsosmëria nuk ekziston… Kur ta kuptoni këtë atëherë do ta njihni, vlerësoni dhe repektoni më shumë vetveten.

Me hovin që kam marr mund të zgjatesha akoma më shumë, por mendoj se nuk ia vlen, ç’kisha për të thënë, e thashë më lart. Miqtë e mi, një gjë duhet të mbani mend gjithmonë – MOS U SHTIRNI KURRË – se dhe ata që e bënë, asnjëherë nuk u bënë të lumtur./AlbStroka.com/

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top