MBIJETESA E SHPREHJEVE KARAKTERISTIKE TË GREQISHTES SË VJETËR…
Shkëputur nga libri: MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË (I) – Lorena Stroka
Në gjuhën e përditshme, qoftë me gojë apo shkrim, shpesh përdoren fraza nga Greqishtja e Vjetër dhe Bibla. Janë fraza karakteristike, kuptimplote, të prera dhe tejet të gjalla. Jo rrallë herë, injorimi i tyre krijon një lloj sikleti. Përmes këtyre shprehjeve vijmë në kontakt me format e vjetra të gjuhës por dhe historinë e tyre. Në qoftë se duam të bëhemi njohës të tyre, atëherë duhet të fillojmë t’i mësojmë qysh në vegjëli, pra në periudhën ku çdo gjë përthithet lehtë, pa imponim dhe pa ankth.
Αιδώς Αργείοι: Turp të keni, nuk keni asnjë çikë turp… “Gjithçka thatë në fjalimin tuaj ishte gënjeshtër. Pse kaq dyfytyrësi? Turp të keni.” Fraza që thirri Stentori në përpjekje për të inkurajuar luftëtarët e Argosit në luftën kundër Trojanëve, pas largimit të Akilit nga beteja. (Iliada, E, 787).
Αντίπαλον δέος: Kundërshtar, fraksion kundërshtar, balancim i krijuar nga frika e dy kundërshtarëve. “Tanimë, që u rrëzua Bashkimi Sovjetik dhe humbi fraksioni kundërshtar Amerika sillet në mënyrë arrogante.”
Κύκνειο άσμα: Vepra e fundit e dikujt. “Përmes mësimdhënies, që përbën veprën e fundit të tij, mësuesi dorëhiqet dhe del në pension…”(Platoni)
Η κεφαλή της Μέδουσας: Koka e Meduzës. “Flitet se ishte e tmerrshme, e neveritshme dhe se askush s’e shihte dot me sy… Pamja ishte aq e frikshme sa dhe koka e Meduzës”. Shprehja e ka prejardhjen nga legjenda e Meduzës që gurëzonte këdo që e shihte. (Hesiodi, Theogonia, 1270).
Αρχή άνδρα δείκνυσι: Pushteti zbulon mundësitë e njeriut dhe tregon aftësitë dhe karakterin e tij… “Tani, që është në opozitë akuzon kryetarin për paaftësi. Të shohim se çfarë do të bëjë ai kur të zgjidhet pushtetar?!” Fraza e mësipërme është thënë nga Biasi, një nga shtatë sofistët e Greqisë së lashtë.
Ασκός του Αιόλου: Përdoret kur shfaqen shumë të këqija bashkë, fatkeqësi… “Në qoftë se vendi fqinj do të na shpallë luftë, do të ndodhin shumë gjëra këqija. Shokët e Odiseut për kuriozitet hapën thesin e lëkurtë të Aeolusit dhe menjëherë prej andej dolën erëra të mbifuqishme, të cilat i larguan nga vendlindja e tyre dhe i çuan në ishullin e Laestrigonianve”. (Odisea, k, 1-56).
Βίος αβίωτος: Jetë e padurueshme/zezë… “E kërcënoi duke i thënë se do t’ia bënte jetën të zezë”. (Fraza është përmenduar nga Chiloni, një nga sofistët e Greqisë së lashtë)
Γόρδιος δεσμός: Problem i vështirë, problem i pazgjidhshëm, nyje gordiane… “Çështja ishte aq e vështirë sa përbënte problem të pazgjidhshëm”. Fraza përdoret për situata të vështira, si ajo në rastin e Aleksandrit të Madh, kur u përpoq të zgjidhte një nyje gordiane, që sipas legjendës, ai që do ta zgjidhte do të bëhej mbizotërues i Azisë. (Arrian, 11,3).
Εξ απαλών ονύχων: Qysh fëmijë, që në moshën fëminore… “Jemi shokë të ngushtë dhe njihemi qysh fëmijë”. Fraza përdoret për të përshkruar periudhën e vegjëlisë, gjatë së cilës njeriu ka thonj të butë.
Έπεα πτερόεντα: Fjalë që i merr era, fjalë boshe... “Dua prova për këtë çështje, sepse këto që thua janë fjalë boshe”. (Iliada, A, 201).
Ή ταν ή επί τας: Gjallë ose vdekur… “Beteja është e vështirë, por duhet të luftojmë deri në fund, gjallë ose vdekur”. Këtë shprehje u thonin nënat Spartiate të bijve kur u jepnin mburojën për të shkuar në luftë
Κέρας Αμαλθείας: Pasuri, bollëk… “Pavarësisht kohëve të vështira, falë atyre që trashëgoi kishte plot pasuri.” Shprehja lidhet ngushtë me rastin e Amalthisë e cila me bririn e saj të mbushur me mjaltë e qumësht ushqeu kryezotin Zeus.
Ο κύβος ερρίφθη: Vendimi u ndërmorr. “Ministri premtoi se projekti do të zhvillohej më tej. Deklaroi karakteristikisht se vendimi u ndërmorr”. Këto ishin fjalët e Cezarit kur shpalli Luftën Civile.
Μερίς του Λέοντος: Pjesa më e madhe… “Ndarja nuk ishte e drejtë, sepse vëllai i madh mori pjesën më të madhe, ndërsa të tjerëve s’u mbeti thuajse asgjë.
Ιδού η Ρόδος ιδού κα το πήδημα: Thuhet për ata që krenohen dhe mburren për bëma të pakonfirmura dhe që nuk thirren t’i vërtetojnë… “Po je kaq i fortë, eja dhe vërtetoje, ja sheshi, ja dhe mejdani”. Fraza e mësipërme pëmendet në një nga mitet e Aesopit.
Ήξεις αφήξεις: Kjo shprehje përdoret në ato raste kur njeriu nuk ka mendim të qëndrueshëm, ndërron mendje vazhdimisht, ikën nga fryn era… “Duhet të dish se dhe ti përgjegjësohesh për gjendjen që je sot, sepse nuk more një vendim të qëndrueshëm, tërë kohën shkoje nga frynte era”.
Διέβην τον Ρουβίκωνα: Ndërmorra vendim tejet të guximshëm… “Gjenerali ishte në dilemë, nuk dinte se si të vepronte. Por në fund kaloi Rubikonin dhe iu vërsulë egërsisht kundërshtarëve të vet”. Shprehja e sipërpërmendur i referohet rastit të Cezarit që në vitin 49 p.e.r., mori guximin të shpallte luftën civile në Itali, dhe për këtë, bashkë me ushtrinë e vet kaloi lumin Rubikon për të shkuar drejt Romës./AlbStroka.com/
© www.AlbStroka.com