You Are Here: Home » Mjekësi » Forca trajtuese e bimëve

Forca trajtuese e bimëve

Nga Lorena Stroka

Edhe pse ndoshta ju tingëllon e pabesueshme, ekzistojnë shumë mënyra natyrore për trajtimin e problemeve të ndryshme që mund të rezultojnë ndërsa ndodhemi në ambjent shtëpie.

Diarre

Për diarrenë është ideale pirja e çajit të gjelbër. Merrni një enë hidhni pak ujë, shtoni një lugë çaji të gjelbër dhe lereni të vlojë për 2 minuta. Pasi e keni lënë të ftohet rreth 10 minuta, kullojeni dhe pijeni.

Gjithashtu, mund të pini dhe valeriana ose siç quhet ndryshe bima e sanëzës, por kujdes! Shtoni një lugë (çaji) valeriana në një filxhan me ujë të vluar. E lini të ziejë për 2 minuta. Pini vetëm një filxhan në ditë, jo më shumë.

Kollitje

Për trajtimin e kollitjes ideale është pirja e trumzës dhe jamballit. Pini nga një filxhan 2-3 herë në ditë.

Dhembje shpine

Në një gotë vere shtoni vaj bajameje, 4 pika vaj esencial dëllënje dhe xhenxhefili. Pasi t’i përzieni së bashku, bëni masazh në shpinë 2-3 herë në ditë. Kujdes pas masazhit mos u ekspozoni në të ftohtë.

Alergji – Kruarje

Për alergji dhe kruarje mund të bëni fërkime me krem Calendula dhe Rescue. Ndihmojnë në qetësimin e kruarjeve, gjithashtu zbusin sipërfaqen e acaruar dhe skuqjet në të.

Pagjumësi

Për pagjumësinë pini para se të flini një filxhan çaj valeriana ose kamomili. KUJDES: Për 100 gr përzierje do të nevojiten: 40 gr kamomil dhe 20 gr valeriana. Nga kjo përzierje merrni veç një lugë (çaji) dhe e hidhni në një filxhan me ujë të vluar. Lereni 15 minuta, kullojeni dhe pijeni.

Konstipacion– (Kapsllëk)

Për trajtimin e kapsllëkut mund të përgatisni një tip çaji me rrepkë, kamomil, kopër dhe ta pini para se të flini. MOS HARRONI: Në një filxhan me ujë të vluar shtoni veç një lugë (çaji) nga përzierja e mësipërme. E lini të ziejë 2 minuta. Pasi të ftohet për rreth 10 minuta e kulloni dhe e pini.

Të vjella

Për të vjellat mund të pini një filxhan çaj kamomili ose menteje, brenda të ciliit shtoni 2 pika vaj menteje ose vaj xhenxhefili.

Duhet të jeni të kujdessëm në blerjen e bimëve të lartpërmendura. Mendoj se farmacia është vendi më i sigurtë për sa i përket cilësisë, mirëmbajtjes dhe prejardhjes së tyre. Ruajtje e bimëve në shtëpi është shumë e rëndësishme:

–          Duhet të vendosen në vazo prej qelqi, larg lagështirës dhe dritës.

–          Vajrat esencialë por edhe vajrat e tjerë duhet të ruhen në shishe prej qelqi me ngjyrë të errët, dhe larg çdo rreze drite.

–          Blerja e produkteve të kryhet gjithnjë në farmaci, atje mund t’ju rekomandojnë mënyra të ndryshme përdorimi si dhe zgjidhje për çdo pyetje që mund të keni.

–          Bimët nuk janë të rrezikshme nëse përdoren me kujdes.

–          Kujdes nga vajrat esencialë, në rast kontakti me sytë apo gojën, kërkoni ndihmë të menjëhershme mjekësore.

–          I mbani fëmijët larg bimëve.

© Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top