You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » MEDEA

MEDEA

Shkëputur nga libri: MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË (I) – Lorena Stroka

Në mitologjinë greke, Medea, ishte e bija e mbretit Aetes. Kur Jasoni mbërriti në Kolhidë, Medea e dashuroi marrëzisht, prandaj dhe vuri në dispozicion të gjitha mënyrat e artit të saj për të fituar dashurinë e tij… Medea, dhe pse ishte një vajzë e bukur, në shikim të parë nuk arriti të tërhiqte vëmendjen e të riut, Jason. Por nga që e dinte mirë se të gjithë kishin një çmim, i premtoi se do ta ndihmonte që të merrte Lëkurën e Artë. Pasi mbajti fjalën e dhënë, ndoqi të dashurin e saj drejt vendlindjes së tij. Për të vonuar sa më shumë të atin e tradhëtuar, i cili nëse e kapte do ta vriste, mendoi të bënte një veprim makabër, coptoi në dhjetra pjesë vëllain e saj, Apsirtin, pjesët e të cilit i flaku në det. I informuar për fundin tragjik të të birit nga dora e së motrës, i ati ndërpreu përkohësisht ndjekjen e saj, duke urdhëruar një grup shërbëtorësh të mblidhnin pjesët e të birit të vrarë. Më vonë, kur mbërritën në Iolko, Jasoni i kërkoi Medeas të hakmerrej kundra Pelias, i cili dikur kishte vrarë familjen e tij. Medea, atëherë bindi të bijat e Pelias të coptonin trupin e të atit e më vonë ta zienin për orë të tëra, pasi gjasme në këtë mënyrë do arrinin ta bënin sërish të ri. (Askush nuk e di se sa i vërtetë është ky variant, pasi ekziston edhe një tjetër, i cili përmendet në pjesën e parë të librit, megjithatë, jemi të detyruar t’i përmendim të gjitha variantet e mundshme).

Prej andej çifti u stabilizua në Korinth ku jetoi i lumtur për një periudhë të gjatë kohore, derisa Jasoni e braktisi për sytë e një gruaje tjetër, por edhe kësaj rradhe, Medea, nuk harroi të përdorte filtrat e saj magjikë. Pra, siç lexoni rrjedhën e ngjarjeve, Medea, përbënte me të vërtetë një ndër dramat më tragjike të Euripidit. Pasioni i hakmarrjes erotike të saj tejkaloi çdo kufi të ndërgjegjes njerëzore duke u shkallëzuar në nje rrënqethje të jashtëzakonshme. Dashuria e sëmurë u shndërrua në çmenduri absolute e të pakurueshme. Medea e verbuar nga tradhëtia e Jasonit, gëlltiti ndjenjën e nënës duke u hakmarrë me mënyrën më të frikëshme të historisë njerëzore, pra vrau dy fëmijët e saj për të lënduar bashkëshortin e pabesë. Të gjitha filluan kur Jasoni vendosi të martohej me Glauken të bijën e mbretit Kreon të Korinthit. Me qëllim hakmarrjen, Medea, i dërgoi nuses ditën e dasmës një serë dhuratash të helmuara, midis të cilave dhe një fustan të cilin sapo e veshi u përfshi në flakë. Në vazhdim, vrau dhe të bijtë e saj (Feresin dhe Mermerin). Menjëherë pas gjithë këtyre, Medea u largua mbi krahët e një dragoi drejt Athinës, ku u martua me Aegeusin dhe bënë një fëmijë së bashku, Midon. E çuditshmja ishte se Medea sa do që kishte filluar një jetë të re nuk arrinte të shmangte dot ndjesinë kriminale që e brente në çdo kohë, ishte si të thuash një grua e lindur vetëm për të bërë keq. Demoni që strehoej në shpirtin e saj gjynahqar kërkonte gjak, hakmarrje, lavdi, para dhe status social. Një grua e cila kishte lyer duart me gjakun e fëmijëve të saj ishte në gjendje të bënte gjithçka pa ndjerë pikë pendimi. Gjatë jetesës së saj me Aegeusin, prania e të vjehrrit, Tezeut, i prishte planet për një mbretëri të madhe të udhëhequr nga ajo vetë, prandaj mendoi ta vriste. Por Aegeusi i cili e nuhati fundin e shpejtë të të atit nga dora e bashkëshortes së tij, vendosi që me dëbimin e Medeas nga mbretëria e tyre, fatkeqësia dhe përgjakja do të shmangeshin. E vetme, e pikëlluar, e tradhëtuar dhe tepër e lënduar Medea mori rrugën e largimit drejt Azisë. Gjatë viteve të fundit të jetës së saj thuhet se u bë bashkëshortja e Akilit. Askush nuk e di të vërtetën!/AlbStroka.com/

© Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top