You Are Here: Home » Mjekësi » Vaksinë e re kundër tuberkulozit

Vaksinë e re kundër tuberkulozit

Nga Lorena Stroka

Një ekip shkencëtarësh ndërkombëtar ka zhvilluar një vaksinë të re që mund të mbrojë sa para dhe pas ekspozimit në bakterin infektiv të tuberkulozit. Vaksina në fjalë, konsiderohet një arritje shumë e rëndësishme, pasi rrit për shumë vite  mbrojtjen e organizmit nga Tuberkulozi.

Hulumtuesit nga Danimarka, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Spanja dhe Irlanda, nën kryesinë e pedagogut Peter Andersen të Statens Serum Institute në Kopenhagë, (që paraqitën studimin relativ në revistën mjekësore Nature Medicine), anonçuan se vaksina e re kombinon proteina, të cilat shkaktojnë reagim të sistemit vetëmbrojtës, sa ndaj formës aktive, po aq edhe ndaj asaj të heshtur të mikobakterit të sëmundjes  (Mycobacterium tuberculosis).

Sipas studiuesve, përveç vaksinimit fillestar të fëmijëve të vegjël, do të jepet edhe një dozë shtesë për fëmijët më të rritur, dhe të rinjtë në përgjithësi, gjë që do t’i mbrojë për shumë vite akoma.

Tuberkulozi prek mushkritë, duke shkaktuar simptoma të tilla si:

  • kollë
  • dhembje në gjoks
  • temperaturë
  • djersë gjatë darkës
  • humbje peshe

Tuberkulozi mund të shërohet me antibiotik, megjithatë vazhdon të mbetet një problem serioz ndërkombëtar (me më shumë se 9 milionë raste në vit), veçanërisht në vendet e pazhvilluara, ku aksesi në antibiotikë është tejet i kufizuar.

Vetëm në disa raste (më pak se 5%), simptomat shfaqen menjëherë pas infektimit. Në 90% të rasteve, bakteri pasi hyn në organizëm, ndryshon “firmën” e tij kimike dhe qëndron në “hipnozë”. Zakonisht nuk del nga kjo gjendje e heshtur, me përjashtim 10% të mbartësve, tek të cilët riaktivizohet  (pas shumë vitesh ose dekadash që nga çasti i infektimit fillestar),  duke shkaktuar simptoma serioze. Sëmundja që është infektive, transmetohet nëpërmjet pikave nga mushkërite te vujatësit.

Vaksinat ekzistuese (të tilla si BCG) janë të efektshme vetëm nëse  jepen preventivisht para ekspozimit në patogjen. Gjithsesi, nuk pengojnë infektimin, por luftojnë simptomat akute dhe aktivizimin e bakterit. Me kalimin e kohës, ndërsa veprimi i vaksinës “dobësohet” dhe nuk ka më efekt mbrojtës, bakteri mund të rishfaqet duke u “zgjuar” nga gjendja e heshtur në të cilën ndodhej më parë.

Vaksina e re është testuar në kafshë (minj) dhe tashme planifikohen testime klinike në njerëz. Nëse rezulton e efektshme, do të zgjidhë problemin, duke parandaluar sa infektimin fillestar po aq edhe aktivizimin e mëvonshëm të bakterit./AlbStroka.com/

© Ndalohet çdo ribotim i pa autorizuar

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top