You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » Tezeu, ekzekutori i Minotaurit të Kretës

Tezeu, ekzekutori i Minotaurit të Kretës

Shkëputur nga libri: MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË (I) – Lorena Stroka

Sipas miteve të Tebës, Herakliu ka qenë një ndër heronjtë më të dëgjuar të lashtësisë greke. I barazvlefshëm me të, flitet se ish Tezeu, i biri i Egjeut, mbretit të Athinës dhe Etrës, princeshës së Troazenës. Ashtu si i biri Alkimisit, Tezeu luftoi kuajt dhe demat më kërcënues të asokohe. U ndesh me kafshë të egra dhe gjigandë të panumërt. Ndoqi grabitësit më të rrezikshëm, dhe u dallua në shumë fusha, detajet e të cilave nuk zgjuan interes të veçantë. Mirëpo ekziston një akt i tij heroik, i cili jo vetëm nuk kaloi pa u vënë re, por la dhe gjurmë të pashlyeshme, pothuajse në të gjitha gjeneratat e ardhshme. Është historia e Minotaurit, që lidhet me Ariadnin, vajzën e Minosit, mbretit të Kretës. Gjatë asaj kohe – kështu siç bëhet edhe sot – vendet fqinje dhe miqësore kishin si traditë mbledhjen e rinisë së tyre, për zhvillimin e ndeshjeve të ndryshme në mundje, vrapim dhe sporte të tjera. Fituesit merrnin çmimet përkatëse, dhe shpërblimet i ndanin në mënyrë të barabartë. Në njërën prej këtyre mbledhjeve, morën pjesë kampionë nga Athina dhe Kreta. Fitues në mundje u shpallë i biri i Minosit, Androgeosi, i cili ishte më i miri nga të gjithë Athinasit dhe të mëdhenjtë e Kretës. Athinasit nuk e pritën me gjakftohtësi fyerjen e një humbjeje, edhe pse paqësore, prandaj dhe e vranë pabesisht. Mbreti i Kretës, Minosi, mblodhi luftëtarët e tij, hipën në anije, mbërritën në Megara, dhe pasi pushtuan të gjithë qytetin, iu kundërvunë Athinës. Qyteti i Athinës shfaqi qëndresë më të madhe, edhe pse shumë shpejt kuptoi se fati i tij nuk ishte dhe aq i ndryshëm nga ai i qytetit të Megaras. Në dëshpërim e sipër, udhëheqësit e Athinës së atëhershme kërkuan ndihmën e Delfëve, për të mësuar mënyrën me të cilën do të shmangnin rrezikun që i kërcënonte.

E vetmja mënyrë për të eliminuar kërcënimin është që të pranoni paraprakisht kushtet e Minosit”, u përgjigj Pithia.

MINOTAURI

I zemëruar shumë për vdekjen e të birit, mbreti i Kretës, u vuri Athinasve një kusht të rëndë. Për tridhjetë vjet me rradhë, Athinasit do të ishin të detyruar t’i dërgonin shtatë djem dhe shtatë vajza të reja si ushqim për Minotaurin. Minotauri ishte një dem trupmadh, me forcë të pazakontë, i cili ushqehej vetëm me mish njeriu. Tezeu mungonte në luftë, dhe nuk ish në dijeni për episodin e krijuar. Mbërriti pikërisht në kohën kur të rinjtë fatkeqë do të përfundonin në stomakun e minotaurit. Pasi i mësoi të rejat, kërkoi që të shoqëronte vetë bashkëpatriotët e tij dhe të ndante me ta dhembjen që i priste. I ati i moshuar, Egjeu, iu lut që të mos shkonte. Viktimat tashmë ishin caktuar, dhe ai nuk ishte mes tyre. Tezeu qëndroi i shurdhët përpara përgjërimeve të të atit. Dëshira e tij ishte shumë e madhe, mendonte se në këtë mënyrë do të ndihmonte patriotët dhe miqtë e tij. Në fund të fundit, si mund të qëndronte në fronin e Athinës akoma dhe një ditë më shumë, në rast se zemra e tij qëndronte e ngurtë para fakteve të tilla?!

- “Po shkoj baba, atje ku më thërret nderi im. Do ta mund përbindëshin, dhe së shpejti do të kesh mundësinë të na shohësh të gjithëve së bashku shëndoshë e mirë, në atdheun tonë të madh e të dashur!”

Egjeu qëndroi në breg, ndërsa anija  me  velat e zeza, në shenjë zije dhe keqardhjeje, largohej bashkë me të birin e tij të dashur. Avash – avash anija zvogëlohej në horizont, deri sa u bë një pikëz e padallueshme dhe humbi… Mbreti i Athinës, i mposhtur nga dhembjet dhe vitet mbi supe, u kthye i stërmunduar në pallat. I mbeti veç një shpresë e zbehtë. Para se të ikte grupi i të rinjëve, iu përgjërua kapitenit të anijes duke i thënë:

-   “Kur të kthehesh pas, dhe nëse Tezeu është ende i gjallë, të lartësosh velat e bardha. Përndryshe do të kuptoj se im bir nuk jeton më”.

 

LABIRINTHI

Minotauri, ky përbindësh i egër, banonte në një shpellë, brenda një ndërtese të çuditshme. Vetëm Dedali, arkitekti më i njohur i lashtësisë Greke, kishte arritur të krijonte një labirinth të tillë. Si një mister i gjithëanshëm, ndërtesa në fjalë, përbënte problem serioz për cilindo që guxonte të hynte në të, kombinimi mjeshtëror, por, edhe ngatërrestar në të njëjtën kohë i krijimit arkitektonik përbëhej nga korridore, oborre, salla dhe kalime të nëndheshme. Rrjedhimisht, kurrkush nuk mund t’i shpëtonte babëzisë së pamëshirshme të përbindëshit të rralllë në llojin e vet.

ARIADNI

Sapo e morën vesh se po vinte një anije nga Athina, banorët e Kretës, rendën të shihnin pasagjerët e saj, viktimat e ardhshme të Minotaurit. Midis njerëzve, kalimin e dhimbshëm vërente me dëshpërim të thellë dhe e bija e Minosit. Në një çast i ra në sy i riu Athinas me pamje të vërtetë mbretërore. Atëherë pyeti se cili ishte, dhe mësoi se Tezeu ishte i biri i mbretit të Athinës dhe se kishte ardhur vullnetarisht me bashkëpatriotët e vet. Ariadni kishte dëgjuar për të, dhe e njihte guximin e tij. Ndërsa tani shihte dhe bukurinë që  dikur injoronte. Zemra e saj u ndrydhë duke sjellë ndërmend vdekjen që e priste. Vendosi, pra që ta shpëtonte, duke rrezikuar jetën e saj, dhe i foli lidhur me frikën që e brente. Tezeu nuk qëndroi i paemocionuar ndaj dhuntive të princeshës së re. Përkushtimi i saj i mbushi zemrën me dashuri. Në qoftë se do të dilte i gjallë nga Labirinthi, do të martohej me të. Ariadni e pranoi propozimin e tij, dhe i dha bashkëshortit të ardhshëm por dhe trimit zemërluan në të njëjtën kohë një lëmsh fillin e të cilit e mbante ajo. Dora e Tezeut duhej që të shtrëngonte fort lëmshin dhe ta linte të shtjellohej avash-avash. Duke e ndjekur kështu edhe në kthim, do të kthehej pas,  pa rënë nata, me udhëzues të pagabuar perin. Grupi me të rinjtë dhe të rejat e Athinës, bëri para drejt Labirinthit, kaloi pragun dhe u zhdukë. Ariadni gjithë merak, vërente me kujdes dorën e saj, lëvizjet që bënte filli tregonin lëvizjet e vetë Tezeut. Pas pak u dëgjuan rënkimet e përbindëshit. Filli lëvizte me shkëputje, gjë që tregonte se në atë çast rrokeshin. Bënin para, shtyheshin, përplaseshin, ndalonin. Papritur, gjithçka ra në qetësi. Peri nuk lëvizte më. Ç’ndodhi?! Dyshimi e trondiste. Mos ndoshta ëndërroi. Iu duk sikur filli kishte lëvizur… zërat e largët pushtuan veshët e saj. Por ç’zëra, pasi tingujt brenda mureve ngatërrestare të labirinthit ndrshonin vazhdimisht! Sa më shumë që afroheshin zhurmat, aq më tepër qartësohej gjendja. Nuk kishte më asnjë dyshim. Minotauri ishte mundur… Filli lëvizte, shpejt dhe qëndrueshëm. Tezeu kishte shpëtuar. Princesha rendi e gëzuar dhe e lumtur duke u mbështetur në gjirin e tij të ngrohtë.

Do të jetonin bashkë!

Tezeu së bashku me Ariadnin dhe shokët e vet që i shpëtoi nga vdekja e sigurtë, morën rrugën drejt limanit, ngritën velat dhe u nisën për në Athinë.

Fillimisht, deti kaltërosh ishte i qetë, më vonë u errësua duke nxjerrë dallgë të tmerrshme. Era frynte si e tërbuar, ndërsa retë e rënda e të zeza vareshin mbi ujë duke fshehur dritën e ditës. Një stuhi e rrëmbyer dhe tejet e rrezikshme shpërtheu papritur. Kapiteni së bashku me të rinjtë  dhe Tezeun në krye, mblodhën velat dhe kërkuan strehim në ishullin e Naksos.

E stërmunduar Ariadni, u ulë poshtë për t’u çlodhur dhe ashtu padashur e zuri gjumi. Kohëzgjatja e stuhisë ishte e shkurtër.  Deti u qetësua dhe dielli doli sërish, në qiellin e kthjellët kaltërosh. Nga një përhumbje e pashpjegueshme, Tezeu e braktisi Ariadnin ndërsa ajo flinte… Kur u zgjua, e bija e Minosit dhe e fejuara e heroit, vështroi e habitur rreth saj, po ç’të shihte? Nuk ishte askush, as shpirt, as marinarë dhe as anije. Mendoi se po ëndërronte. E çmendur nga agonia, rendi në breg, iu përgjërua zotave dhe mbeti e zhgënjyer me sytë e ngulitur drejt detit të pafund. Nga një koinçidencë e pashpresë, qëlloi të kalonte andej Vagoja, i cili kthehej nga një udhëtim i gjatë. Dëgjoi të bërtiturat e princeshës së shkretë, dhe rendi pranë saj. Me fjalë të ëmbla gjithë simpati, u mundua të zbuste sadopak dhembjen e saj. Ajo e dëgjonte me kënaqësi. Të dy së bashku mallkonin Tezeun. Përfundimisht, e bija e Minosit, humbi një të dashur por gjeti një bashkëshort, Vagon. Ndërsa anija e shtyrë nga valët e furishme mbërritii në fund të udhëtimit të vet. Për të përshëndetur i pari të atin e moshuar. Tezeu qëndroi në krye të anijes. Egjeu rrinte lart mbi një shkëmb dhe priste. Tezeu e njohu pa mundim mbretin e Athinës. Ndërsa Egjeu ashtu i pikëlluar nga pllakimi i zisë së çastit, u hodh në det, ku fatkeqësisht u përpi nga dallgët, duke menduar se i biri i tij kishte vdekur. Kapiteni i anijes i rrëmbyer nga gëzimi i kthimit për në atdhe kishte harruar të ndërronte velat e zeza!

Vdekja e Minotaurit dhe triumfi i kthimit nuk ekzistonin më për Tezeun. Dhembja e kishte tretur të tërin. Mos ndoshta zotat deshën ta ndëshkonin me vdekjen e të atit, për tradhtinë dhe mosmirënjohjen që tregoi ndaj Ariadnit?! Kush e di – nuk duhet të harrojmë se ekziston dhe NEMESIS – Drejtësia Hyjnore!

FEDRA DHE HIPOLITOSI

Mbreti i Athinës, Egjeu, kishte humbur në bregdet, në atë që mban emrin e tij deri më sot “Egje”. Arritja e vrasjes së Minotaurit, e bëri Tezeun njeriun më të përshtatshëm për fronin e Athinës. Gjithçka dukej se mbretërimi do të rridhte natyrshëm. Por fati që gjithmonë xhelozonte lumturinë e njerëzve, dhe veçanërisht të heronjve, vendoste ndryshe. Nga martesa e tij e parë me Aniopin, mbretëreshën e Amazonës, Tezeu kishte një djalë, Hipolitosin. Kur u martua për të dytën herë me Fedrën, motrën e Ariadnit, i biri i Aniopit tashmë ishte bërë një adoleshent i hijshëm. Ishte i dhënë pas studimit dhe diturisë dhe çlodhej vetëm me gjuetinë, e cila i falte kënaqësi të veçantë. Afërdita e fyer nga që princi i ri nguronte të flijonte për hir të saj mbolli në zemrën e të bijës së Minosit, një pasion të fortë erotik për djalin e burrit të saj. Hipolitosi i refuzonte propozimet e pandershme të njerkës së vet. Ferdra e mërzitur dhe e nevrikosur nga indiferenca e Hipolitosit  kreu veprimin e ulët që t’i ankohej Tezeut, sikur gjasme i biri i tij nuk e respektoi moralisht… Guxoi akoma të gënjente dhe shpifte mijëra ligësi të tjera, me qëllim të vetëm bindjen e mendjelehtit Teze, i cili vendosi që ta dënonte me ndëshkim të përjetshëm. Madje Afërdita duke vazhduar hakmarrjen e saj iu përgjërua Posidonit që ta ndihmonte me të gjithë fuqinë e vet. Ndërsa princi i ri hipur mbi karrocën e vet po largohej gjithë skeptizëm drejt detit që hapej para tij, zoti i deteve, nxorri nga dallgët e harbuara një përbindësh:

Me ballë të gjerë dhe brirë kërcënues

u vërvit një gjigand lëkurë luspuar.

Dem i paparë, dragua fluturues,

herë zhytej rrëmbyeshëm,

herë ngrihej si i tërbuar…

Kuajt e Hipolitosit të verbuar nga tymi dhe flakët që dilnin nga goja dhe fijet e hundës së përbindëshit, u drithëruan nga frika dhe u ngritën në dy këmbët e pasme me veshët e tendosur nevrikisht. Frikësimi i shtyu drejt një rendjeje të verbër midis shkëmbinjve, pyjeve dhe humnerave. Karroca u thye ndërsa rrotat u shpërbënë në mijëra copa. Hipolitosi ra përtokë, trupi i të riut pranoi plagë të rënda, vdekja e mbështolli në gjirin e saj duke pëshpëritur deri në çastet e fundit emrin e dashur të të atit. Në dëgjimin e fundit të frikshëm të Hipolitosit të pafajshëm, Fedra e mbërthyer nga pendimet desh humbi mendtë e kokës. U gjunëzua e përlotur para Tezeut dhe me sinqeritet të plotë kësaj rradhe, i rrëfeu të gjithë të vëretën lidhur me shpifjet e saj. Njohu pafajësinë absolute të Hipolitosit, domethënë që fajtorja dhe shkaktarja e vetme e asaj tragjedie ishte veç ajo.  Në fund, e mbuluar nga turpi dhe padrejtësitë që kishte bërë vendosi t’i jepte fund jetës së saj.

VDEKJA E TEZEUT

I goditur ashpërsisht nga vdekja e të birit të vetëm, dhe humbja e bashkëshortes, të cilën deri në atë çast e konsideronte besnike dhe të përkushtuar. Tezeu kërkoi të gjente ngushëllim tek arritjet e tij heroike. Kur u kthye sërish në Athinë, u përballë veç me kaosin dhe anarkinë. Qytetarët ishin revoltuar dhe vriteshin me njëri tjetrin. Tezeu u mundua t’i qetësonte. Por nuk ia arriti dot… Pas shpenzimit të të gjitha rezervave të durimit dhe përpjekjeve të njëpasnjëshme, u bind se me emrin dhe fuqinë e tij mbretërore nuk mund të risillte më qetësinë në qytet, prandaj dhe vendosi që ta braktiste… Kështu u largua nga Athina, dhe u transferua në ishullin e Skiros, me ata pak familjarë që i kishin mbetur. Atje, shpresonte të vdiste i qetë. Por as këtë nuk e arriti dot… Mbreti i Skiros, Lukomidi, i pushtuar nga ndjesia e xhelozisë por edhe nga frika se mos një ditë humbiste fronin e vet, e vrau pabesisht. Në ç’mënyrë? Shumë lehtë… Shkoi bashkë me të në një mal të lartë, gjasme për t’i treguar hapësirën e mbretërisë së tij, dhe në kohën kur Tezeu vështronte hapësirën e pafund, ai e shtyu duke e hedhur mbi shkëmbinjtë e mprehtë. Në këtë mënyrë të tmerrshme, vdiq i ati i Hipolitosit dhe heroi që dikur Ariadni shpëtoi nga kthetrat e përbindëshit në Labirinth.

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top