You Are Here: Home » Mjekësi » Gjinekologji » Terapia hormonale lidhet me kancerin ovarian

Terapia hormonale lidhet me kancerin ovarian

Nga Lorena Stroka

Sipas një hulumtimi të ri, gratë që përdorin Terapi Hormonale Zëvendësuese pas menopauzës, rrezikojnë rreth 29% më shumë (në krahasim me gratë e tjera) që të shfaqin kancer në vezore.

Hulumtuesit e Universitetit të Oksfordit analizuan disa të dhëna (European Prospective Investigation Into Cancer and Nutrition) për të vlerësuar lidhjen midis Terapisë Hormonale Zëvendësuese pas periudhës së menopauzës dhe rrezikut të shfaqjes së kancerit ovarian.

Shkencëtarët, të udhëhequr nga Constantine Tsilidi, analizuan të dhënat e 126.920 grave në menopauzë, që nuk kishin histori trashëgimie të kancerit dhe që nuk kishin hequr vezoret e tyre. Gjatë riegzaminimit brenda 9 vjetësh, u vërtetua se 424 prej tyre shfaqën kancer ovarian.

Më konkretisht, studimi zbuloi se përdorimi i terapisë hormonale rriti në 29% rrezikun e shfaqjes së kancerit ovarian, në krahasim me gratë që nuk kishin përdorur kurrë terapi hormonale. Ndërsa përdorimi i terapisë vetëm me estrogjene, e rriti rrezikun e shfaqjes së kancerit të vezoreve deri në 63%.

Gratë, të cilat gjatë së shkuarës kishin bërë (për 5 vjet) ndonjë lloj terapie hormonale, rrezikonin 45% më shumë që të shfaqnin kancer ovarian, në krahasim  me gratë që nuk i ishin nënshtruar asnjë terapie hormonale zëvendësuese.

Hulumtimi i botuar muajin e shkuar në revistën The Journal of the American Medical Association, zbuloi se gratë që pas menopazuës marrin kombinim estrogjeni dhe progestini, rrezikojnë më shumë që të zhvillojnë një lloj më të avancuar kanceri në gji, që në shumë raste mund të jetë akoma edhe vdekjeprurës.

© 2010: Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top