You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » SUPER-SEKRETE BUKURIE NGA E TËRË BOTA

SUPER-SEKRETE BUKURIE NGA E TËRË BOTA

albstroka-blog-sekrete-bukurie-nga-e-tere-bota-lorena-stroka-biografia-shkrime-facebook© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Kaloi Shën Valentini, aq  e pati edhe ai i uruari! Erdhi sa për të na bërë pak rrëmujë, pse jo, për të na zbrazur xhepat me blerjen e (zh)veshjeve festive, dhe në të gdhirë na la shëndenë. Në të vërtetë, më të privilegjuarit e kësaj dite janë meshkujt, të cilët pasi trajtohen tërë natën si “sulltanë”, në mëngjes, ngrihen të ripërtërirë, gati për nderime të tjera… Kështu, nga nderimi në nderim, shkon ora 9:00 e mëngjesit, dhe ti e gjen veten ende në shtrat. Me ç ‘zemër të hysh pastaj në kuzhinë, kur pirgu i enëve të palara ka kaluar gjatësinë tënde, dhe dhoma e gjumit është bërë si fushë lulëkuqesh?! Shtrëngon dhëmbët fort, bën një dush të shpejt, dhe u futesh me kokë punëve të shtëpisë.  E pasi të jesh çturbulluar disi nga aroma e qirinjve, kujtohesh se ke dhe një faqe… të cilën s’ke qëllim ta lësh “jetime!”

Rezervat e energjisë femërore qenkan vërtet të pashtershme. Kush tjetër përveç tyre mund të jetë përpjestuesi më i denjë i kohës produktive? Ndërthurja harmonike e detyrimeve personale, familjare, shoqërore me ato profesionale është absolutisht meritë e femrave.

Akoma dhe në kohët e shkuara, kur mundësitë për trajtime të specializuara, ishin thuajse inekzistente, femrat arrinin të zbulonin gjithmonë mënyra të ndryshme për përmirësimin e pamjes së tyre të jashtme. Njihuni me disa prej tyre:

Në Kili femrat janë rritur me parimin se përkujdesja e lëkurës është një detyrë e përditshme që nuk duhet të harrojnë apo lënë kurrë pas dore. Kjo është arsyeja kryesore pse në çdo kohë që t’i shikosh, ato janë përherë të kuruara. Mes shumë kurave tradicionale, më e parapëlqyera e tyre është maska me rrush. Në mënyrë të veçantë, marrin një grusht me rrush të kuq, të cilin pasi e shtypin mirë e përziejnë me 2 lugë gjelle miell vendi (gruri), derisa formohet një masë e trashë. Mandej, e përhapin në fytyrë dhe qafë (të pastër) duke e lënë të veprojë rreth 10-12 minuta. Në fund, shpëlahen me ujë të vakët. Maska në fjalë, ofron hidratim, zbutje, lëmim, ushqyerje lëkure dhe pakësim rrudhash.

Në Amerikën Latine, femrat indigjene (Indiane) duket se kishin zbuluar metodën më efikase për luftimin e rrathëve të zinj. Çfarë bënin ato? Në një enë të pastër vendosnin 5 gjethe të freskëta nenenxhiku bashkë me 3-4 lugë gjelle ujë, pastaj i shtypnin fort, me ndihmën e një luge. Në vazhdim, e kullonin, dhe në lëngun e mbledhur shtonin 1 lugë çaj vaj bajame dhe 1/2 luge çaj mjaltë. Mandej i përzienin së bashku derisa krijohej një masë homogjene. E aplikonin poshtë syve çdo darkë para se të flinin.

Në Egjiptin e lashtë, përkujdesja e lëkurës cilësohej si një ritual i shenjtë. Për ruajtjen e elasticitetit të saj, vajzat dhe gratë përdornin një përzierje të veçantë vajrash: 1 lugë gjelle vaj ulliri, 1 lugë gjelle vaj susami, 1 lugë çaj vaj bajame e hidhur dhe 1 lugë gjelle kardamom.

Në Kinën e lashtë, zonjat e pasura guxonin të provonin metoda të reja, të padëgjuara më parë. Ato përdornin  një maskë speciale kundër-rrudhë, e cila përbëhej kryesisht nga pluhuri i perlave, butakëve, dhe përbërës të tjerë natyralë.

Në Indi, të gjitha vajzat, para se të martoheshin, i nënshtroheshin një trajtimi total: fytyre dhe trupi. Përbërësit bazikë të maskës ishin: kurkuma, vaji i bimës dru sandali, mielli, uji i trëndafilit dhe qumështi i freskët./albstroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2016 AlbStroka.com

Scroll to top