You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » GJITHÇKA RRETH OQEANIT

GJITHÇKA RRETH OQEANIT

Shkëputur nga libri: MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË (I) – Lorena Stroka

Oqeani (nga greqishtja e vjetër: Οκεανός) në Mitologjinë e Lashtë Greke ishte i biri i Qiellit (Ουρανού) dhe Geas.

Oqeani ishte zoti më i lashtë ujor i Mitologjisë Greke. Thuhet se për herë të parë u shfaq në poezitë orfike bashkë me Tithian. Sipas këtij varianti, Nihta dhe Etheras lindën një vezë të argjendtë, domethënë hënën. Nga kjo vezë doli Erosi.

Erosi renditi gjithçka dhe krijoi Kaosin e madh, lart në qiell, dhe tokën Gea, këtu poshtë. Kaosi dhe Gea u çiftëzuan me konsensusin e Erosit dhe lindën Oqeanin dhe Tithian.

Oqeani filloi të lindte të gjitha qeniet e gjalla të tokës dhe të gjithë zotat e mëvonshëm.

Oqeani Titan

Sipas një varianti tjetër, Oqeani ishte i biri i Qiellit dhe Geas, gjithashtu dhe më i fuqishmi i dymbëdhjetë Titanve dhe Titanidave. Dominimi i tij kishte shkaktuar zilinë e të tjerëve, madje nuk ishin të paktë ata që mundoheshin të luftonin për epërsi. Oqeani kishte pasione të mëdha, midis të cilave nuk mungonin as krijesat e bukura. Sa herë që u mundua të përdhunonte Herën, asnjëherë s’ia doli mbanë, pasi Zeusi e mbronte dhe e shpëtonte gjithnjë. Nga lidhja bashkëshortore e tij me Tithian (motrën e tij) lindën të gjitha hynjitë e lumenjve, deteve dhe burimeve – të ashtëquajturat Oqeanida. Për shkak të pjellshmërisë së tyre dhe mbiprodhimit të elementeve ujore të natyrës bëheshin përmbytje të shpeshta. Më në fund u ndanë dhe e keqja ndaloi.

Oqeani dhe Tithia nuk u implikuan në luftën e Titanëve kundër Zeusit, për këtë, Zeusi nuk i ngacmoi, përkundrazi i la të lirë që të mbizotëronin mbretërinë ujore.

Në vazhdim, (sipas mitologjisë së lashtë greke) Oqeani u martua me motrën e tij (të dytë), me të cilën bënë Kekropët.

Interpretimi dhe prejardhja e mitit

Oqeani rrethonte të gjithë Tokën si një lumë gjigand pa burime dhe pa derdhje. Pas shfaqjes së Deukalionit dhe tërheqjes së ujrave liqenet, lumenjtë dhe burimet e krijuara u quajtën alegorisht “fëmijë të Oqeanit”. Për interpretimin e burimeve mendonin se Oqeani  ishte ai që me rryma të nëndheshme ushqente lumenjtë që vazhdonin rrjedhën e tyre, prandaj dhe quhej «αψόρρους».

Si rezultat i vëzhgimeve të para, Oqeani, konsiderohej një rreth i madh që ndante sferën qiellore pikërisht në mes, prandaj dhe quhej «ορίζον». Nën këtë perceptim, të gjitha mitet relative tregonin se lindja e Diellit, e yjeve dhe plejadave bëhej nga Oqeani dhe se në vazhdim “fundoseshin” në të. Gjithashtu, të lashtët mendonin se përtej Oqeanit ndodhej Hadi i zymtë.

Kështu, Oqeani ashtu si të gjitha fuqitë e tjera natyrore të vëzhguara u ngrit në konceptin hynjor, duke u konsideruar element fillestar, ose ndryshe “Babai i zotave dhe gjërave”. Paralelisht, me dualin hynjor (të Qiellit dhe Geas), Grekët e lashtë (vëzhgues) krijuan dualin hynjor të baba Oqeanit dhe nënë Tithias, nga bashkimi i të cilëve, sipas «Θεογονία» të Hisodit, lindën  mijëra lumenj (zota) dhe mijëra nimfa, të ashtëquajturat Oqeanida.

Përdorimi i emrit

Historikisht, njeriu i parë që referoi Oqeanin në kuptimin e sipërfaqes së madhe ujore ishte Herodoti, term i cili vazhdon të përdoret deri në ditët e sotme.

Artet e Bukura

Në Art, Oqeani shfaqet ciklik (rrethor) duke pasur në mesin e tokës, qiellin dhe detin (njëlloj si në mburojën e Herakliut dhe Akilit). Në epokën Aleksandriane (periudhën Helenistike) shfaqet si një plak me mjekër të gjatë, i gjysmëzhveshur dhe me brirë dashi. Në vazhdim, në periudhën Romake, si plak i gjysmëzhveshur, i ulur në shtrat, dysheku i të cilit është sipërfaqja e detit, ndërsa në dorën e djathtë mban një sfurk të gjatë.

Sferë qiellore

Sferë qiellore quhet sfera që ka si qendër Tokën (veçanërisht në syrin e vëzhguesit tokësor), rrezja e së cilës konsiderohet infinite (e pafund).

Gjurmët dhe lëvizjet e trupave qiellorë, që konsiderohet se bëhen në sipërfaqen e brendshme të sferës qiellore përbëjnë objekt i Sferës Astronomike, që është degë e Astronomisë.

Definime

-         Sfera qiellore rrotullohet nga A në D, rreth aksit qiellor (celestial axis) duke përfunduar një rrotullim të plotë brenda 24 orëve astrale.

-         Pikat në të cilat aksi qiellor kryqëzon sferën qiellore quhen pole qiellore (celestial poles).

-         Rrathët e mëdhenj të sferës qiellore që kalojnë nga polet qiellore, dhe që janë të pafund quhen meridianë qiellorë (celestial merdiens).

-         Rrethi më i madh i sferës qiellore që është vertikal drejt aksit qiellor quhet ekuator qiellor (celestial equator). Ekuatori qiellor konsiderohet zgjerim i ekuatorit tokësor.

-         Qarqet paralele të ekuatorit qiellor quhen celestiale paralele  (celestial parallels).

Pozicionet e Sferës Qiellore

Pozicionet karakteristike që mund të marr sfera Qiellore në lidhje me pozicionin terrenial të vëzhguesit janë si më poshtë:

-         Pozicion Vertikal (i sferës Qiellore)

-         Pozicion Lateral (i sferës Qiellore)

-         Pozicion Paralel (i sferës Qiellore)

Vëzhgime

Për sa i përket sferës qiellore, ekziston një mjet mbikqyrës (ekuivalent me globin që tregon sipërfaqen e Tokës), në sipërfaqen e të cilit shfaqen elemente të Universit, si poziconet e yjeve, plejadave por edhe shumë rrathë të qiellit. Ky mjet përdoret vetëm për qëllime edukimi (të studimit të shpejtë) të pozicioneve të trupave qiellorë.

© Lorena Stroka: Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top