You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » SONTE MOS IK…

SONTE MOS IK…

sonte-mos-ik-albstroka-blog-lorena-stroka-poezi-shkrime-perkthime-gazetareShqipëroi: Lorena Stroka – Roehampton University, UK

Nguroj të shkruaj për ty. Ndoshta është shumë herët, mbase mund të jetë dhe tepër vonë, s’e di!

Më telefonove natën vonë a herët në mëngjes – është si puna e asaj gotës gjysmë bosh e gjymë plot që secili prej nesh e këndvështron ndryshe.

Pikërisht nga ai këndvështrim marrëdhënia jonë filloi të sëmurej. Nga të gjitha ato që ti emërtoje “logjikë e përbashkët”, dhe pse unë këmbëngulja se nuk ka asgjë të përbashkët me logjikën.

Nga të gjitha ato që unë i quaja shaka, dhe ty të vinte turp.

Nga të gjitha ato që unë kisha frikë, dhe ti talleshe me mua.

Nga të gjitha ato që më lëndonin, dhe ti nuk nguroje t’i përsërisje.

“Do të përpiqemi”, thamë me dhjetra herë, “ta shpëtojmë këtë lidhje”, edhe pse të dy e dinim mirë se ato ishin veç fjalët që ne donim të dëgjonim.

Të vërtetën e harruam muaj më parë, tek ajo dhoma e hotelit, kur më the: “TË DUA!”

Kur të putha, e të thashë: “Nuk do të të lë kurrë.”

Të vërtetën e harruam muaj më parë, sepse atje harruam dhe veten tonë.

Mbylle receptorin dhe erdhe të më gjesh. U ulëm në hyrjen e shtëpisë sime. S’e di në kishte mbetur diçka tjetër për t’u thënë. Kaluan dhjetë minuta, më të mundimshmet e jetës sime, derisa njeri prej nesh të fliste.

Herë shihje këmbët e tua, e herë asgjënë para teje. Unë ndiqja rrugëtimin e syve të tu për të lexuar mendimin tënd.

“Si je?”, më pyete.

“Të rrije këtu e ta mësoje. Të mos ikje. Të mos fshiheshe prapa justifikimeve.” Këtë mendoja, por, të vetmet fjalë që mundën të dilnin prej buzëve të mia ishin: “Mirë, po ti?”

Para se të përfundoja fjalën, më pëshpërite: “Më mungon!”

Jo, nuk të mungoj, tani e di. Thoje se kërkoje dashurinë, por, tundimi i lëkurës të tërhiqte më shumë.

Përdorje një mbrojtje të sulmshme, për të kontrolluar drejtimin e bashkëbisedimit tonë.

Atëherë m’u dukë interesante, ndërsa tani e di që s’mundeshe të bëje ndryshe. Doje të argëtoheshe, pa ndjerë dhimbjet e dashurisë, megjithëse thoje se doje të dashuroje. Tani e di!

Ajo që të frikësoi më shumë ishte vetë dashuria. Dashuria ime për ty.

Tani, të ulur në shkallë, ngjajmë me heronj dekadentë të natës. Hijet mund të mbulojnë të vërtetën që fshihet në sy. Atë që nën rrezet e diellit nuk mbetet kurrë e fshehur.

U gdhi dhe rrugët ishin ende bosh. Dëgjova zvarritje hapash teksa largoheshin. Ishin hapat e tua. Si gjithmonë, si çdo herë!

Natën e shkuar e dehëm me alkool dhe lëkurën me lotë. Para shishes bosh, të gjitha premtimet dukeshin të përgjithmonshme.

Paguam “Tani-në” me premtimet e “Përgjithmonë-shme” dhe diku aty humbëm mes tyre.

Të kundroj dhe vetëpyetem: “A do të shërohem ndonjëherë nga kjo sëmundje e të shpresuarit qelbëzues?!”

…për një hiç, mos ki frikë, si arritëm tek të pathënat… sonte pritmë, mos ik…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top