You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » SI TË KURONI LËKURAT E THATA (EKSKLUZIVE)

SI TË KURONI LËKURAT E THATA (EKSKLUZIVE)

© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Kam vërejtur se gjërat më të bukura në jetë më ndodhnin gjithmonë në kohëra të papritura  (po pse kështu nuk ndodh zakonisht, do më thoni?). Sa herë bëja plane të mëdha (sidomos gjatë viteve të adoleshencës, atëherë, kur ëndërroja me sy hapur e shkreta), si për dreq, asnjë “realizim” nuk i përqasej asaj që unë kisha përfytyruar e ndërtuar në kokën time. Me kalimin e kohës, gjërat ndryshuan gradualisht, pas përfundimit të studimeve që aq merak i kisha, pra, në vitin 2010… u bëra më elastike në marrëdhëniet me veten në rradhë të parë dhe pastaj me të tjerët. Ndjeva se synimet e mia po përmbusheshin pjesërisht. Fillova të stresohesha më pak, të jetoja më shumë, të qetësohesha në çdo drejtim (kishte dhe çaste që thyhesha, por për fat të mirë, jo shpesh)… Dhe pas gjithë këtyre, kuptova se sa më pak gjëra dëshirojmë në jetë, aq më të lumtur jemi…

Aktualisht, jam në një periudhë paqeje të brendshme. Uroj që dhe ju të jeni sa më mirë me gjithçka ndjeni dhe bëni. Mos u mërzitni për gjëra të parëndësishme apo kalimtare, mos u pendoni për gjëra që bëtë apo nuk bëtë në jetë, mos shpenzoni kot asnjë çast nga koha juaj (sepse ç’ikën, s’kthehet më pas), mos hiqni dorë nga synimet tuaja, mos largoni nga vetja njerëzit që ju duan vërtet dhe pa interes (se në këtë botë të shitur më e vështira është të gjesh njerëz të sinqertë), mos ndiqni lekun, por ndjenjën, mos  lejoni të vendosin të tjerët për ju, jetoni të çliruar nga çdo ankth apo ndjenjë pesimizmi… Mos harroni të kujdeseni për veten tuaj…

(Ky i imi, po qesh tani, “të paska kapur fryma filozofike”, më thotë).

Nejse… boll ju lodha me “filozofitë” e mia, fundja ka të tjerë që i dinë më mirë se unë këto çështje, dhe le të flasim për këto që zotërojmë dhe mundemi apo jo?

Macadamia Ternifolia është një pemë që rritet në Australi. Frytet e saj janë të ngjashme me lajthi dhe vaji i tyre është i njohur për vetitë antioksidante dhe hidratuese që ka. Më poshtë, po ju rendis përbërësit që do të nevojiteni për përgatitjen e vajit rigjenerues, hidratues dhe ushqyes për lëkurat e thata:

Përbërësit

1 lugë çaj vaj avokadoje

1 lugë çaj vaj gruri

1 lugë çaj vaj kokosi

2 lugë gjelle vaj macadamia

1/2 lugë çaj vaj balsami

7 pika vaj esencial barbarozë

13 pika vaj esencial livandoje

2 kapsula me vitaminë E

Përgatitja

Në një shishe të errët e të sterilizuar përzieni vajrat (jo esencialë), pastaj shtoni 2 vitaminat E, vajrat esencialë dhe tundini fort.

Përdorimi dhe këshilla

Gjithmonë, para se ta përdorni, tundeni shishen mirë (me qëllim që të bashkohen të gjithë përbërësit me njëri-tjetrin) dhe pastaj aplikojeni në fytyrë dhe trup të pastër (të keni bërë dush më parë). Për rezultate më të mira, mbështilluni me membranë plastike për rreth 25-30 minuta./AlbStroka.com/

Shihemi në shkrimin e radhës…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top