You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » SI TË BËSH VETË XHEL FLOKËSH PA KIMIKATE

SI TË BËSH VETË XHEL FLOKËSH PA KIMIKATE

albstroka-blog-si-te-besh-vete-xhel-flokesh-lorena-stroka-shkrime-gazetare-poete-përkthyese© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve kudoqofshi dhe me këdoqofshi…

Xheli është një ndër produktet kozmetike që përdoret thuajse nga gjithkush, të vegjëlit, të mëdhenjtë, femrat apo meshkujt! Shpesh, sasia që përdorim në flokë, është aq e madhe, sa jo vetëm nuk na përmirëson estetikisht, por, ndonjëherë, na shkakton akoma dhe probleme shëndetësore, për shkak të përmbajtjes së lartë të kimikateve.

Të gjithë ju që keni fëmijë (të cilët pëdorin xhel flokësh), apo jeni vetë fëmijë, provoni të përgatisni vetë recetën e mëposhtme, e cila kushton pak dhe nuk përbën asnjëlloj rreziku për shëndetin.

Përbërësit

1 filxhan (kafeje) ujë të ngrohtë

1 lugë gjelle xhelatinë natyrale

pakëz vaj esencial të zgjedhjes suaj (jasemine, trëndafili, menteje, limoni etj., etj.)

Përgatitja

Pasi të tretni xhelatinën në ujin e ngrohtë, shtoni vajin esencial dhe vijoni me përzierjen. Mandej ruajeni (në derën e frigoriferit) në një vazo prej qelqi të sterilizuar me kapak hermetik. Përdoreni sa herë të doni në flokë të thata, (jo të lagura). Xheli duhet përdorur brenda 12 ditëve!/albstroka.com/

*Xhelatina është një substance gjysmë e tejdukshme (pa shije), që merret nga përpunimi i kolagjenit (kolagjeni është një proteinë fijore që përbën 33% të proteinave që gjenden në trupin e njeriut) të nxjerrë nga lëkurat e kafshëve, kockat dhe indet lidhëse.

Ka dy lloje xhelatine: biologjike dhe inorganike. Sot, 80% e xhelatinës së prodhuar në Europë vjen nga lëkura e derrave, 15% nga një nën-shtresë e hollë e lëkurës së demave dhe 5% kryesisht nga kërcet e kockave të derrave dhe demave.

Në qoftë se kërkoni mendimin tim, do t’ju rekomandoja të përdornit xhelatinë me prejardhje bimore (agar agar), ose xhelatinë të përgatitur nga lëndët e para të peshkut, (kanë kosto disi më të lartë krahasimisht me llojet e tjera, por, janë më cilësore).
Kur them xhelatinë natyrale e kam fjalën të mos jetë e gatshme, (domethënë procesin e tretjes në ujë ta bëni ju vetë në shtëpi).
Xhelatinën e gjeni në formë fletësh dhe pluhuri. Që të dyja janë njëlloj të efektshme!

© AlbStroka.com

 

Copyright © 2008-2016 AlbStroka.com

Scroll to top