You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » Shpirti Homerik

Shpirti Homerik

Shkëputur nga libri: “Mitologjia, filozofët dhe poetët e lashtë Grekë (I)”.

Pavarësisht se heronjtë Homerikë jetonin brenda një mjedisi të ashpër, të përlyer me lotë e gjak, dhe që shpesh herë duhej të ishin të “armatosur” me fuqi të jashtëzakonshme shpirtërore për të mbijetuar nga kthetrat e armikut, në Iliadën e Homerit të madh na bie në sy dhe ana tjetër shpirtërore e shumë heronjve: “Akili e donte shumë të ëmën, dhe nuk e fshihte. Në çaste të vështira lutej tek ajo. Hrisi ofroi një shumë të madhe parash për të marrë pas të bijën, Hrisidën”.

Pra, siç e shihni akoma edhe në ata shpirtra egërsirë strehohej një copëz mirësie apo dashurie (sado e vogël qoftë) kryesisht për të afërmit e shkallës së parë apo të dytë. Gjithsesi, as atëherë nuk mungonin mendimet oportuniste. Fundja edhe ato janë aq njerëzore sa çdo kundërshtim do të ishte ekzagjerim… Vejusha Βrisidë qante e bërtiste mbi varrin e Patroklos, sepse i kishte premtuar se do ta martonte me Akilin, që kishte vrarë burrin dhe tre vëllezërit e saj.

Ekzistonin dhe shumë raste të tjera ku urrejtja tejkalonte çdo kufi njerëzor. Agamemnoni ankohej për sjelljen e të shoqes, të cilën herë pas here e “stoliste” me mbiemra të llojit «σκύλα». Në një skenë tjetër, Homeri na përshkruan gjallërisht imazhin e një nëne, Altheas, tek vajtonte e gjunjëzuar, duke grushtuar tokën fuqishëm, e duke i bërë thirrje Hadit dhe Persefonës që të vrisnin djalin e saj, Meleagron, sepse i kishte vrarë të vëllain në betejë.

© Lorena Stroka: Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top