You Are Here: Home » Mjekësi » SHKENCËTARËT ZBULOJNË NJË ORGAN TË RI NË TRUPIN E NJERIUT!

SHKENCËTARËT ZBULOJNË NJË ORGAN TË RI NË TRUPIN E NJERIUT!

albstroka-blog-lorena_stroka_shkrime_gazetare_zbulohet-organ-i-ri-ne-trupin-e-njeriutNga Lorena Stroka

Kur në vitin 1508, Leonardo da Vinci përshkroi dhe skicoi organin në fjalë, askush nuk ia vuri veshin!

Shkencëtarët e spitalit universitar të Limerick-ut (Irlandë), kanë zbuluar një tjetër organ të fshehur në sistemin tretës të njeriut. Fillimisht, hamendësohej se mesenterika (organi i gjetur), përbënte thjesht pjesë plotësuese e sistemit tretës, mirëpo më vonë, u konstatua se ai ish në të vërtetë një trup i vetëm, që në të kaluarën nuk ish studiuar si duhej. Në bazë të gjetjeve të deritanishme, rezulton se përshkrimi anatomik gati 100 vjeçar, në lidhje me këtë organ, ka qenë tërësisht i gabuar.

Profesori irlandez i kirurgjisë Xh. Kalvin është shprehur se në studimin e dorëzuar dhe vlerësuar nga specialistë të fushës, nënvizohet zbulimi i një organi të ri, të panjohur më parë si i tilllë.

Nga ana tjetër, megjithëse mjekët njohin me saktësi pozicionin e organit të ri në trup (mes zorrës së trashë dhe barkut), ende nuk kanë arritur të dëshifrojnë funksionin e tij. Ata besojnë se mënyra e funksionit të mesenterikës do të mundësojë identifikimin e anomalive dhe sëmundjeve të mundshme. Për më tepër, klasifikimi i organit do të shërbejë për trajtimin e sëmundjeve të barkut me më pak ndërhyrje kirurgjikale, me më pak komplikime, dhe mbi të gjitha, me kosto më të ulët.

Hulumtimi i universitetit irlandez, për shkak të rëndësisë dhe veçantisë që e karakterizon, është botuar në revistën prestigjoze The Lancet. Sa i përket studentëve të mjekësisë, menjëherë pas shtimit të mesenterikës në Gray’s Anatomy, (enciklopedia më e njohur në botë, në lidhje me anatominë e trupit të njeriut që nga viti 1875), kanë filluar ta studiojnë veçmas./albstroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top