You Are Here: Home » Kuriozitete » Rosalia: mumia më e bukur në botë!

Rosalia: mumia më e bukur në botë!

Nga Lorena Stroka

Rosalia Lombardo ishte një vogëlushe  e bukur që vdiq në vitin 1920, në moshën dy vjeçare nga një infeksion i traktit respirator, në Palermo të Siçilisë. Në këtë qytet të vjetër të Italisë Jugore, praktikohej procesi i balsamimit të trupave të vdekur dhe vendosja e tyre në katakombet e manastirit nga murgët Cappuccini. Sot, manastiri në fjalë, përbën muzeun më makabër në botë. Mikroklima në dhomën e nëndheshme kujdesej për ruajtjen e kufomave në gjendje të shkëlqyer.

I ati i Rosalisë, gjenerali Mario Lombardo, ngaqë nuk e duronte dot qëndrimin larg së bijës, i bindi murgët që t’i siguronin një vend për atë në dhomën e nëndheshme, në mënyrë që ta vizitonte sa herë të donte. Gjithashtu, për ruajtjen e bukurisë së saj ai kërkoi ndihmën e balsamuesit më të shquar të asaj kohe, Alfredo Salafia.

E fshehta e Profesor Salafia…

Salafia ishte një kimist i njohur Italian që kishte zbuluar formulën e fshehtë për ruajtjen e trupave pas vdekjes. Fillimisht, Salafia realizonte balsamime në kafshë e më vonë në njerëz.  Me përsosjen e teknikës së tij, arriti ta bënte voglushen Rosalia, një fëmijë që kushdo që e shikon mendon se vdiq dje, edhe pse kanë kaluar më shumë se 90 vjet qysh nga ajo ditë.

Si balsamoset bukuria!

Salafia u nda nga jeta 13 vjet pas vdekjes së vogëlushes, dhe nuk la askund dhe tek asnjë sekretin e përzierjes kimike që eleminonte prishjen dhe zbuste pikëllimin. Sekreti i tij dukej se kish humbur përgjithmonë deri në kohën kur një grup shkencëtarësh Italianë zbuloi një dorëshkrim të tij me titull: “New special method for the preservation of the entire human cadaver in the state of permanent freshness”. Në dorëshkrim, balsamuesi shpjegonte hollësisht recetën e likidit (lëngut) që injektoi në arteriet e Rosalisë: një sasi glicerina, një sasi formaldehyde dhe një solucon alkooli me acid salicylic. Shkencëtarët nënvizojnë se formula e profesorit nuk kishte asgjë të pazakontë, pasi ishte e përngjashme me atë të balsamimeve të tjera. Për fat të keq pyetja vazhdon të mbetet pa përgjigje! Si vallë balsamoset bukuria?

Akoma dhe sot duket sikur fle…

Ata që vizitojnë Palermon, më konkretisht, manastirin muze, mbeten të habitur me ato që shikojnë, duke menduar se jeta s’qenka asgjë, dhe se të gjithë jemi kalimtarë. Pothuajse të gjithë ikin të përlotur dhe të tronditur pas vështrimit të “Bukuroshes së Fjetur”, balsamimit më perfekt që është bërë ndonjëherë. Sytë e mbyllur të Rosalisë duken sikur ende ëndërrojnë në gjumin e përjetshëm.

Rosalia brenda arkivolit të qeltë mikroskopik, ngjan me “kukullat” e vitrinave që magnetizojnë vështrimet fëminore. Vështrimi i saj i vulosur që duket i zemëruar para vdekjes së pamëshirshme të prek në shpirt. “Kukulla” dikur ishte e gjallë por fati e destinoi për t’u bërë mumia më e bukur në botë…

© Albstroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top