You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » RECETA TË REJA PËR ZHDUKJEN E PUÇRRAVE DHE HEQJEN E PIKAVE TË ZEZA

RECETA TË REJA PËR ZHDUKJEN E PUÇRRAVE DHE HEQJEN E PIKAVE TË ZEZA

ALBSTROKA-BLOG-RECETA-BUKURIE-PER-ZHDUKJEN-E-PUCRRAVE-DHE-HEQJEN-E-PIKAVE-TE-ZEZA-LORENA-STROKA-GAZETARE-SHKRIMTARE-POETE-PERKTHYESE-SHQIPTARE-ALBSTROKA-BUKURI© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve kudoqofshi dhe me këdoqofshi…

Në qoftë se ka një ditë që duhet ta fshij nga kalendari, ajo është data 21 maj. Jam acaruar aq shumë atë ditë, sa akoma dhe tani që e kujtoj nxjerr tym nga veshët. Si fillim, humba celularin kur shkova për kafe, nuk e mbaj mend se ku e lashë (dhe më e forta e të gjithave është se u shisja mend të tjerëve, u thoja: po ku  e keni mendjen, ja pse s’më humbet gjë dhe mua?!). E qava telefonin, për fat të mirë s’kisha ndonjë gjë me vlerë brenda tij (foto, adresa, nr. llogarie etj.), as ishte shumë i shtrenjtë, 200 euro e kisha blerë, por, akoma dhe kështu nuk të vjen mirë, prapë së prapë mërzitesh disi.

Në qoftë se mendoni se mbrapshtësitë përfunduan aty, goboheni. Kur u ktheva në shtëpi, ngaqë doja të harroja atë që kish ndodhur pak më parë, vendosa të sistemoja disa sende të vjetra. Mirëpo unë kam një zakon të keq, kur dua të ruaj diçka, e fsheh aq mirë, sa në fund, s’e gjej dot më as vetë. E hodha të gjithë shtëpinë në shesh dhe atë që kërkoja ende s’e kam gjetur. Nuk besoj ta ketë vjedhur njeri, se me gjithë këto dyer sigurie që kemi ne këtu, është pak e vështirë të ndodh diçka e tillë, thjesht, tani për tani nuk duket gjëkundi! Kush e di se kur do dalë, mbase një ditë kur as unë s’do ta pres…

Thashë të gjitha këto ndodhën në datën 21, sot është një ditë e re, dhe unë kam vendosur të ec përpara e të mos ndërpres angazhimet e mia…

Sot, do të flasim për zhdukjen e puçrrave dhe pikave të zeza në kushte shtëpie. Jo, nuk do të bëjmë riciklim të atyre që thonë të tjerët, por, do të mësojmë gjëra të reja, tek e fundit, këtë nuk bëjmë gjithnjë këtu?

Maskë me lime

Në një tas përzieni mirë së bashku 1 lugë gjelle lëng lime me 1 lugë gjelle pluhur kanelle. Në vazhdim, aplikojeni mbi çdo puçërr, jo në të gjithë fytyrën, dhe lereni të veprojë gjatë gjithë natës. Në mëngjes, shpëlahuni me ujë të ftohtë. Përzierja e mësipërme vret mikrobet, bakteret dhe përthan pjesën e infektuar.

Makë me miell  misri

Në një tas shtoni 3 lugë gjelle miell misri dhe 1 lugë gjelle uthull, pastaj përziejini mirë së bashku derisa të krijohet një masë e trashë ngjitëse. Në vazhdim, aplikojeni në fytyrë dhe qafë për rreth 20-25 minuta. Në fund, lahuni me ujë të ngrohtë dhe fshihuni me peshqir të pastër.

Maskë me gjethe koriandri

Në një tas përzieni disa gjethe koriandri, pakëz pluhur kurkume dhe disa pika ujë derisa të krijohet një krem i trashë. Pastaj, aplikojeni në ato pjesë ku keni puçrra duke e lënë të veprojë rreth 25-30 minuta. Në fund, shpëlahuni me ujë të ftohtë… Po ta përsërisni 2-3 herë në javë, shumë shpejt puçrrat do të zhduken plotësisht./albstroka.com/

Mirë u lexofshim në shkrimin e rradhës…

P.S: Sa për ju që vazhdoni ta keni dorën të gjatë, një gjë do t’ju them vetëm TURP TË KENI! Kur nuk jeni të aftë të shkruani vetë, mos deklaroni gazetarë!

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2016 AlbStroka.com

Scroll to top