You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » REBELË ME SHKAK

REBELË ME SHKAK

Përktheu: Lorena Stroka, Roehampton University, UK

Slawomir Mrozek

Drejtori i Filarmonisë na mirëpriti ngrohtësisht.

- “Çfarë mund të bëj për ju?”, pyeti ai.

- “Na detyroheni njëqind mijë”.

- “Shumë e mundshme. Thjesht më kujtoni se përse?”.

- “Është paradhënie”, i thamë.

- “Po! Shumë e arsyeshme. Paradhënie për çfarë?”.

- “Për koncertin tonë në Filarmoni”.

- “Po. Arsye shumë e mirë. Më falni nëse gaboj, por mendoj se nuk jemi takuar më parë. Mos vallë kemi nënshkruar ndonjë marrëveshje?”.

“Jo, akoma, por mund ta nënshkruajmë tani”.

- “Padyshim që mundeni. A mund të më jepni një ide të përgjithshme të propozimit tuaj? Jeni orkestër?”

- “Ende jo, por do të bëhemi”.

- “Cili është repertori juaj në vija të përgjithshme?”.

- “Do ta krijojmë kur të mësojmë të luajmë”.

- “Të luani?”.

- “Veglat tona, natyrisht”.

Marrëzia e këtij tipit filloi të më acaronte nervat.

- “Zotërinj, ende nuk keni mësuar të luani?”

- “Kjo pak rëndësi ka, fundja, cili është ndryshimi? E ardhmja na përket, nuk e shikon?”

- “Oh, po. Sigurisht. Por më lejoni t’ju bëj një propozim. Fillimisht mësoni të luani, shtrojeni dorën mirë, dhe pastaj ejani ta diskutojmë. Se padyshim e ardhmja ju përket”.

Dhe ky derri fashist nuk na i dha paradhënien. Ikëm duke ndjerë shtypjen shoqërore në lëkurën tonë. Jashtë varej një poster që reklamonte një Mozart.

- “Kush është ai?”, pyeti njëri prej nesh. “Nuk e mbaj mend se kush. Nuk kam kujtesë të mirë, sidomos në mëngjes”.

- “Një i lashtë”.

Ndaluam së foluri për artin dhe shkuam të përgatisnin një bombë, për t’ia vënë Filarmonisë.

Mbi të gjitha drejtësia e mundimit./AlbStroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top