You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » “QAJ ZEMËR, POR, MOS U THYEJ!”

“QAJ ZEMËR, POR, MOS U THYEJ!”

albstroka-lorena-stroka-perkthimeNga Lorena Stroka

“Çdo ditë zgjohemi paksa të ndryshuar, sepse njeriu që ishim dje, ka vdekur”, shkroi John Updike”, “atëherë pse kemi frikë nga vdekja, kur e dimë që ajo gjithnjë do të vijë?”

Gjysmë shekulli më parë, Montaigne, kishte parashtruar të njëjtën pyetje, por, disi ndryshe:

“Të vajtojmë pse nuk do të jetojmë pas 100 vjetësh, është po aq marrëzi sa të ndiejmë keqardhje pse nuk jetuam 100 vjet më parë.”

Në qoftë se pyetja dhe ideja e vdekjes mbeten ende të pazgjidhura në mendjen e të rriturve, atëherë si dhe sa, mund t’i qetësojnë vërtet fëmijët përmes mirëkuptimit dhe ngushëllimit?

Libri i cili i shtohet serisë së botimeve që kanë si qëllim të ndihmojnë fëmijët të kuptojnë domethënien e vdekjes titullohet: “CRY, HEART, BUT NEVER BREAK”, dhe mban firmën e autorit të mirënjohur për fëmijë, Glenn Ringtved.

Ringtved, ka shpalosur në brendësi të librit një pjesë të ndjeshme të jetës së tij, duke u përpjekur t’u tregojë më të vegjëlve, se është më mirë që dhimbja e thellë e humbjes të përjetohet se sa të kufizohet.

Historia zë fill jashtë një shtëpie të vogël e të rehatshme, në të cilën banojnë katër fëmijë me gjyshen e tyre. Kharoni pasi lë kosën jashtë dere, sepse nuk do që të trembë fëmijët, një veprim aspak i zakontë për të, hyn brenda, dhe ulet bashkë me ta në tavolinën e ngrënies, ku atje, veç një prej tyre, më e vogla në moshë, Leah, guxon ta shohë në sy.

E ndërsa fëmijët dëgjojnë frymëmarrjet e mundimshme të gjyshes një kat më lart, kuptojnë se Kharoni ka ardhur për ta marrë me vete, prandaj dhe mundohen që ta vonojnë sa më shumë. Duke besuar se Kharoni punon vetëm natën, vazhdojnë t’i mbushin vazhdimisht kupën me kafe, derisa të gdhihet e të detyrohet të largohet.
Por, vjen një çast dhe Kharoni mbështet dorën e stërhollë mbi kupën e vendosur para tij, duke dashur të tregojë se ka ardhur koha e ikjes. Atëherë, Leah, merr dorën e tij në të sajën, dhe i përgjërohet që të mos ia marrë gjyshen larg.

Pse duhet të ikë gjyshja?

Disa thonë se zemra e Kharonit është e vdekur dhe sterrë e zezë, porsi një copë qymyri, por kjo nuk është e vërtetë. Nën pardesynë që mban veshur, zemra e tij është aq e kuqe, sa muzgu më mahnitës që keni parë ndonjëherë, e cila rreh me dashurinë më të madhe për jetën…

vazhdimi është akoma më prekës…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2016 AlbStroka.com

Scroll to top