You Are Here: Home » POETRY-QUOTES

POETRY-QUOTES

albstroka-lorena-stroka-thenie-quotesPjesë nga krijimtaria ime letrare…

E shkuara, kaloi, iku. E ardhmja nuk ka ardhur ende. Rrjedhimisht, asnjëra prej këtyre dy koncepteve nuk është reale! E vetmja gjë që ekziston është e tanishmja, e sotmja, e këtushmja. E kaluara është e tanishmja e së djeshmes, dhe e ardhmja, e tanishmja e së nesërmes. Që të dyja vijojnë të jenë në të njëjtën pikë, tek e tanishmja.

| Lorena Stroka |

Do guxim t’i kthesh shpinën sigurisë, qëndrueshmërisë dhe t’i hapësh krahët të panjohurës…

| Lorena Stroka |

Ushqimi më i shijshëm i urrejtjes është keqbërja.

| Lorena Stroka |

Rikthimi te një dashuri e vjetër nuk është vazhdimësia e një udhëtimi të lënë përgjysmë, por, rruga më e shkurtër për të zhdukur çdo gjurmë të vetëbesimit të humbur.

| Lorena Stroka |

Lumturia nuk është mungesa e problemeve, por, aftësia për t’i përballuar ato.
Të duash jetën do të thotë të besosh intuitën tënde, të marrësh rreziqe, të humbësh, të fitosh, të mos dish të ndalosh. Jeta është një rrugë me dredhka, por, gjithmonë me shtigje. Pusho së shqetësuari e dyshuari për çdo hap që bën. Jeto vetëdijëshmërisht çdo çast sido që vjen. Mund të mos përfundosh aty ku pikërisht doje të shkoje, por, në fund ,do të mbërrish aty ku pikërisht duhet të shkosh.

| Lorena Stroka |

Koncepti i varësisë është një prej situatave më delikate për t’u trajtuar. Është jashtëzakonisht e vështirë të qëndrosh larg gjërave, njerëzve, vendeve e kohës që të “armatosin” me optimizëm qoftë dhe iluzor… Por, që nga çasti që arrin të shkëputesh prej tyre, mëson të duash dhe të jetosh i çliruar nga të gjitha llojet e varësisë, vetëm atëherë vlerëson rëndësinë reale të çdo minuti të shpenzuar më parë.  

Varësia është e lidhur me frikën dhe ankthin që të pushton për të mos humbur ato që beson se janë të vlefshme për ty, pavarësisht realitetit!
Jeta është një udhëtim i gjatë dhe jo thjesht një destinacion. Gjithmonë ki parasysh imazhin e qartë të së ardhmes që dëshiron, pa harruar të jetosh të sotmen sikur nuk ka të të nesërme!

| Lorena Stroka |

Mos kini frikë të provoni, të dashuroni, të jetoni, të ëndërroni, jo një, por, disa herë. Mos lejoni askënd dhe asgjë që t’ju turbullojë shikimin e ngurtësojë zemrën. Mësimet më të mira në jetë merren nga gabimet dhe rrethanat më të këqija. Do të ketë çaste që do mendoni se gjërat nuk mund të ecin më keq se kaq, dhe se jeni bërë njësh me të pamundurën. Mos hiqni dorë, guxoni një nisje të re! Ndonjëherë është e domosdoshme të përjetoni më të këqijat, për të arritur te më të mirat.

| Lorena Stroka |

Mos lejoni hijet e frikshme të së kaluarës, qofshin ato fjalë përbuzëse apo përpjekje të dështuara që t’ju fshehin pragun e qëllimeve të ardhshme. Është detyra juaj t’i mbijetoni çdo mbrapshtësie, të papriture, vonese dhe të çoni deri në fund atë që keni nisur. Tani, jo nesër, sepse durim nuk do të thotë të presësh!

| Lorena Stroka |

Asnjë njeri nuk lindë me ndonjë cilësi morale, në bazë të së cilës të karakterizohet si “i mirë” apo “i keq”. Por, padyshim, secili prej tyre, zotëron një larmishmëri “mundësish”, të cilat kur “aktivizohen” me vullnet të lirë, në fund përcaktojnë sjelljen morale e personale të gjithëkujt… Për shembull, çdo njeri e ka “mundësinë” të “shpërthejë” verbalisht apo fizikisht… por, jo të gjithë i konsiderojnë të përshtatshme për karakterin e tyre këto lloj sjelljesh.
Nëse subjekti zgjedh të reagojë me orgji apo ta zbusë disi atë, ku një stimul “e aktivizon”, është diçka që varet vetëm nga ai, domethënë nga “mundësia” që ai zgjedhë për të “aktivizuar”… Tek e fundit, vlera e sensit të masës ëshë çështje personale
.

| Lorena Stroka |

Optimizmi i fillestarit është prirja njerëzore për të nënvlerësuar kohën apo përpjekjen që nevojitet për të përfunduar një projekt që ndërmerr për herë të parë. Kjo ndodhë për shkak të mungesës së planifikimit dhe kërkimit nga ana e individit që është i ngazëllyer për të bërë diçka të pa përsëritur më parë.
Me fjalë të tjera, kur marrim përsipër diçka për të cilën jemi të ngazëllyer dhe mezi presim ta jetësojmë, në vend që të vonojmë nisjen, me qëllim që të vlerësojmë me saktësi shkallën e vështirësisë, por, dhe burimet që nevojiten, shpesh, thjesht… hamendësojmë dhe i futemi punës me kokë! Kështu, pritshmëritë tona në lidhje me kohën dhe përpjekjen që nevojitet bazohen tek optimizmi ynë i parë, dhe jo te përvoja e së shkuarës apo të dhënat e besueshme! Dhe sigurisht, këtë e zbulojmë pak më vonë, gjatë përparimit të punës, kur e gjejmë veten të papërgatitur ose të paaftë për ta përfunduar atë.

| Lorena Stroka |

 lorena-stroka-poezi-wikipedia-foto-biografia-facebook-albstroka-facebookHESHTJE E GJATË

Një heshtje e gjatë mbretëron këtë natë,
s’e di pse në çdo qelizë ndiej frikë,
në xhamin e mbuluar nga tisi i natës,
shoh një dorë,
dëgjoj një zë
që thotë: “më prit”.

(mos)PRITJA

Në t’u sostë caku i durimit

edhe pritja t’u duktë e gjatë.

Ç’ndjenjë sfilitëse! – mos thuaj,
se kush do, kohën s’mat!

E në besofsh se dikur,
mund të kthehesh si më parë,
mal ndryshimesh ke për të gjetur,
e në shpirtin tim tjetër behar.

HEROI IM

Tezeus, për ty tradhtova tim atë,
Minosin, mbret në Kretë,
shkela rite, doke, zakone vendi,
treguar ty daljen e fshehtë.

Për ty tejkalova vetveten,
shpërfillur ndrojtje e frikë,
perin udhërrëfyes të dhashë duarsh,
hero të dilje nga i mistershmi Labirinth.

Si e çmendur rrihte e imja zemër,
në çdo lëvizje që bëje ti,
sa herë filli mpleksej ngushtësive vdekjendjellëse,
aq herë dridhej i imi shpirt.

Besoja në ty hero legjendar,
mundësin e Prokrustit mitik,
grabitësit më të ashpër Helen,
që udhëtarët shqyente si bishë.

Minotauri i pamposhtur,
përbindëshi që s’ngopej me mish të rinjsh,
ishte sfida jote më e madhe,
bëma që do të falte lavdinë.

Tezeus, ia dole mbanë,
ashtu si hero i vërtetë,
përdhe shtrive Minotaurin e përgjakur,
emri yt mori dhenë.

Fort gjirit më shtrëngove hyjnori im,
duke më puthur në ballë,
“Ariadni, e imja do të bëhesh”, më the,
“veç vdekja do të na ndajë”.

Pas triumfit heroi im,
anijes vërshuam me nxitim,
velat ngritur deri në qiell
seç përkundnin tonën krenari.

Por stuhia ziliqare,
mes deti na zuri pusinë,
por si gjethe harruar valësh
endeshim të pashpresë unë e ti.

Buzë detit na gjeti nata,
plasur rërës krahështrirë,
“mbylli, sytë, fli”, më the,
“nesër na pret një ditë më e mirë”.

Kur dallga e harbuar më njomi sytë,
e më zgjoi nga gjumë i thellë,
përreth meje s’ish askush,
mbrëmë të kisha parë për të fundit herë.

Klitha, bërtita si e marrë
me vështrimin kthyer nga deti i gjerë:
“pse më braktise, pse më mohove”, të pyeta,
“kur sa ty s’desha askënd, asnjëherë?!”

SHKRETË

Sa kot na shkoi kjo jetë,
as qeshëm,
as gëzuam,
as folëm njëherë vërtet.
Puna,
rutina,
e nesërmja që vjen,
na trishtuan,
zhgënjyen,
zemrën na brenë.
Veç në ëndrra shijuam
ca “copëza jetë”,
“copëza” që pas çdo zgjimi
sërish na linin shkretë…

SHPËRFILLJA

Dikur urrejtjen e kishim për gjëmë,
mbase për më të madhen fatkeqësi,
mirëpo shpërfillja qenka më e rëndë
se kështu as të mendon, as të kujton më njeri!
 
MENDJEMADHËSIA – PËRULËSIA 
 
Mendjemadhësia, Përulësisë
me përbuzje, një ditë, i tha:
“sa më dhimbsesh, moj motër,
që në ty, hiç krye s’ka”.
Zë-ëmbël si përherë,
Përulësia ia ktheu e qetë:
“kryeneçësia, motër e dashur,
është pjellë e zemërimit të fshehtë”.
E inatosur Mendjemadhësia
malit të egoizmit u ngjit përpjetë,
por mes rruge seç u pengua,
poshtë rrëshqiti, më s’u gjetë.
 
KUQOSHI
 
Na ishin dy vëllezër,
të gjatë si viganë.
Njëri kuqosh,
tjetri zeshkan.

Mendueshëm i ati,
i vështronte përmatanë:
“Ky bela kuqoshi,
hiç s’më ngjan?!”

Të shoqen thërriti,
oxhakut, aty pranë.
Gjoja për t’i rrëfyer
plagën që në zemër mban.

“Dikur e shtrenjta ime,
sytë gjetkë më vanë,
dhelkat e një djallusheje
mend në kokë s’më lanë.”

“Të kam falur”, i thotë e shoqja,
çlirët, zëngadalë.
“Joshja tundon edhe më besnikun”,
ndërkohë sytë kuqoshit ndalë…

 

SYLESHI

Në një qoshe kafeneje
kokë më kokë mbledhur dy shokë,
njëri i ri, tjetri i vjetër,
gotat e rakisë trokasin tok.
 
“Jam në hall”, rrëfehet i riu,
“Bota ndiej se më përgojon,
sa herë dal me time shoqe,
vëngër duket se më shikojnë”.
 
“Miku im”, ia kthen i vjetri,
“Mos vrit mendjen se ç’thonë,
s’e kupton që i bluan zilia
krah për krah kur ju shikojnë?”.
 
Ndërsa i riu tymos cigaren,
dhe rrudhat ballit shton,
më i vjetri mërmërit nënzë:
“Fati i syleshit zor se ndryshon”.
 
GËNJESHTRA
 
Të vërtetës i thurim lavde,
por gënjeshtrën përnderojmë vërtet,
sa herë punët i kemi pisk,
goja të parën atë thërret…
(edhe pse ndërgjegja një çikë më pas na vret?!)
 

PËRSËRI TY

Rebelisht më sundove,
zemrën, mendjen, gjithçka.
Botën njëherazi ma tundove:
“si ty”, thashë “tjetër s’ka”.
 
Të nesërmes s’iu frika,
as thashë: “Po tani?”.
Dhe sikur shtatë jetë të kisha,
ty do të zgjidhja përsëri.
 
 

FOL, TË FLAS

Fol, të flas, o i uruar!
Zemrën më, mos ma plas.
Përmatanë është lamtumira.
Përketej, një shpresë, një gjasë.

Fol, të flas, o i uruar!
Të të dua, jepmë shkas.
Drojën mos e lër të luajë,
se ç’rrëshqet, kthim s’ka pas.

MË PRIT

Buzë detit do vrapoj,
këmbëzbathur si fëmijë,
leshrat supeve do i lëshoj,
gjurmët rërës do më sjellin tek ty…
 
Edhe nëse vala i ka mbuluar,
unë do të gjej përsëri,
harta e zemrës që s’gabon kurrë,
do më tregojë se ku je ti…
 
Ndaj më prit aty ku je,
si të ish’ fillim i ri,
mos beso në të tjera buzë,
pa më takuar përsëri…
 
Edhe pse jeta na ndau kot,
pa arsye na dënoi me vetmi,
kurrë s’rreshtëm së besuari
në të ndjenjës sonë fuqi…
 

MIRËDASHËSI

Dhe me ty, dhe me atë,
kurdoherë e has në mes.
Ç’soj “mirëdashës” paskësh qenë,
matrapazi me një thes?!

Po halli, hallit s’i përngjan,
as njerëzit s’janë njëlloj.
Si u dashkan përzierë bashkë?!
Më keq s’ka ku të shkojë!

KRENARIA

Një përndarës ka dashuria,
kokëshkretën krenari.
Sa herë rri ajo përmbi,
palët e zemrës bëhen fli!

S’E DI!

S’e di në duhet të flas, hesht apo qaj!
S’e di në duhet të dëgjoj, besoj apo fal!
S’e di në duhet të duroj, harroj apo shaj!
Hallet s’paskan të sosur,
ky qenka çmimi i të qenët gjallë!
 

LUFTIME ZEMRE

Më mirë luftëtar
e me plagë në gji,
se sa zemërngurtë,
ndaj jetës sehirxhi.
 
 
“MIQTË”
 
Në dyshofshin në fjalët e tua,
në pyetshin disa herë:
“Vërtet është si thua?”
Largoji, miqtë e vërtetë,
s’pyesin kurrë dy herë.
 
 
DASHURIA E PARË 
 
 
Sado rrahje të forta të pasojnë,
e “të dua” të dëgjohen përsëri,
heshturazi do të na ndjekë gjithmonë
kujtimi i së parës dashuri…
 
Në çdo melodi të vjetër
do të ndiejmë një drithërim të ri,
në mend do të na vijë e shkuara,
çaste e fjalë nga e para dashuri.
 
Disi kështu do të vazhdojmë të jetojmë,
pa e fshirë a lënë në harrim,
sa herë loti të rrëshqasë i shkujdesur,
zemrën do të pyesim se ku bëmë gabim?!
 
 
KUJTIM I LARGËT
 
 
Ti ishe me atë,
unë me dikë tjetër
koha kish’ pluhurosur
dashurinë tonë të vjetër.
Kur të pashë përkrah saj,
gruas pa emër,
një mal malli m’u rrëzua
mbi të gjorën zemër.
Mjaftuan disa vështrime
e ca vargje në letër,
të ndizeshin shkëndijat
e një dashurie në mes mbetur.
Kur më the: “U ndava, jemi të lirë,
pengesë tjetër s’kemi për të gjetur”,
diçka krisi brenda meje,
ish’ koha për të heshtur.
 
AJO
 
 
I fliste gjithmonë për atë,
dhe ajo e dëgjonte me kujdes,
i thoshte sa shumë e donte,
e ndjente të tijën pjesë…
 
Ngrohtësisht në sy ajo e vështronte
duke i thënë: “Ki shpresë,
durimi është arma e të fituarit,
nxitimi këshilluesi më i keq…”
 
Ai vazhdonte t’i rrëfehej
dhe ajo ta dëgjonte si përherë,
megjithëse kurrë s’i tha të dua,
në krahët e tua më merr…
 
Mendonte se ajo që ai donte
s’ish ajo vetë,
por një tjetër, një e panjohur
gruaja që i kish vjedhur zemrën vërtet…
 
lorena-stroka-poezi
ZENGJINI I RI

 

Një zengjin, zengjin i ri,
kapardisur majë kalit,
në mëhallë përhapte fjalë:
“Fati i madh, t’i bësh ballë hallit.”

Shtypësi i ri, s’kish të përmbajtur,
fukarait, i thosh’: Larg më rri,
hapmë rrugën të kaloj.”
Ngado mbillte neveri…

Kurrkush s’i pati thënë,
pasunarit mendjelli,
se fisnik të bën sjellja,
dhe jo kuleta, o faqezi.

MURET E VETMISË

Muret e shtëpisë
ngjajnë me kështjellë,
janë veshur në zi
e dëshpërim të thellë.

Dhomat e zbrazëta,
pa asnjë njeri,
kujtojnë dhembje të pafund,
zhytur në vetmi…

 

TEKA ZEMRE

Dashuri moj dashuri,

kush të ndjeu, tha, këtu rri!

Stinë-trazuar si ngaherë,

tekat zemrës veç ti ia di.

 

TJETËRSIMI

Po pranove të të tjetërsojnë,

dhe të të ndreqin siç duan vetë,

mos u vetëpyet pas kësaj,

se kush e vrau tënden jetë?!

GABIMI

Gabimi në teori
është mësim i pamarrë,
një lojë e mbetur në tentativë,
pa humbës, pa fitimtar…

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top