You Are Here: Home » Gnomonologji » NJIHUNI ME DISA PREJ TEORIVE MË TË ÇUDITSHME FILOZOFIKE!

NJIHUNI ME DISA PREJ TEORIVE MË TË ÇUDITSHME FILOZOFIKE!

albstroka-blog-lorena-stroka-foto-biografia-wikipedia-shkrime-filozofikeNga Lorena Stroka

Megjithëse shumë njerëz besojnë se filozofia është një “shkollë e padobishme”, kurrkush nuk mund të mohojë faktin që ajo vijon të jetë mënyra më e mirë për të të “turbulluar” mendjen!  Është tjetër gjë të të ngatërrojë dikush tjetër, dhe krejt  e ndryshme të ngatërrosh ti vetveten!

Më poshtë do të njihemi me disa prej teorive më të çuditshme filozofike. Disa prej tyre kanë njëfarë kuptimi, ndërsa ca të tjera tingëllojnë disi absurde. Megjithatë, në tërësi, të gjitha përcjellin mesazhe specifike, nëse merret parasysh koha gjatë së cilës janë formuluar.

Zoizmi

Zoizmi pretendon se shpirti dhe fryma nuk është diçka që identifikohet vetëm te njerëzit dhe kafshët, por që ekziston edhe në objekte të tjera si, gurët, bimët, vetëtimat, malet etj. Shumë argumentojnë se zoizmi përdoret vetëm në qytetërimet ku shoqëria dhe besimet fetare nuk bazohen te shkenca dhe matematika. Disa skeptikë të tjerë, shpjegojnë se filozofia e zoizmit përdoret më së shumti për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të vështira. Sidoqoftë, në fund, shumëkush do ta ketë të vështirë të besojë se guri në tokë ka shpirtin e vet!

Fenomenalizmi

Fenomenalizmi thotë se objektet natyrore nuk ekzistojnë si të tilla, por, vetëm si dukuri perceptuese. Duke lënë të kuptohet se kurrë nuk mund të dimë nëse diçka është e vërtetë, përtej asaj që ne mund të kuptojmë apo vërtetojmë. Edhe pse kjo teori duket mjaft interesante, në thelb mbart një mori paqartësish. Çfarë nënkuptojmë me fjalën vërtetojmë? Po me matematikën çfarë ndodh? Cili mund të dyshojë për vërtetësinë e numrave? Ata nuk kanë nevojë për perceptim ndijor!

Absolutizmi moral

Në mendjen tënde asgjë nuk është absolute, rrjedhimisht absolutizmi moral për ty thjesht nuk funksionon. Sipas teorisë, ka drejtësi dhe padrejtësi absolute, dhe se rëndësi ka veç konteksti i veprimit. Është e moralshme të gënjesh për një të mirë më të madhe? E zemë se keni gënjyer për të shpëtuar jetën e dikujt. A është moralisht i gabuar ky veprim?

Dezintegrimi

Kjo teori e cila  e mori emrin nga Jacques Derrida, thotë se kur lexoni një tekst, nuk ka një kuptim të caktuar, dhe se ai mund të ketë interpretime të shumëllojshme. Me pak fjalë, kur dikush vendos të lexojë një shkrim letrar, vetë ai do të vendosë se cili është kuptimi i asaj që po lexon. E megjithëse ka disa ide testive, kjo teori e bën letërsinë të pakuptimtë. Nëse zvogëlohet vazhdimisht kuptimi i diçkaje, në fund rrezikon të humbasë çdo qëllim.

Atomizmi logjik

Sipas atomizmit logjik të formuluar nga Bertrand Russel, bota përbëhet nga të dhëna logjike (individë) që nuk mund të thyhen në copëza më të vogla, dhe se të gjitha të vërtetat janë të bazuara në një shtresë të dhënash individuale, tejet të lehta e të thjeshta për t’u kuptuar nga gjithëkush./albstroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top