You Are Here: Home » MITOLOGJI » Japoneze » Mit interesant

Mit interesant

Përktheu: Lorena Stroka, Roehampton University, UK

250 vjet më pare, në fshatin Kata (Kata do të thotë veri) diku në brinjët e një mali jetonte një mjek i dhembshur, i sjellshëm dhe zemërmirë. Një ditë, takoi rastësisht disa fëmijë që lëndonin një gjarpër të madh e të bardhë. Pasi i ndoqi duke i këshilluar që të mos ta përsërisnin më, u kujdes për plagët e gjarpërit derisa ia shëroi plotësisht.

Pas disa ditësh një udhëtare ndaloi te shtëpia e mjekut. Qysh në fillim dukej simpatizimi që ndjenin për njëri-tjetrin. Mjeku dhe gruaja nuk vonuan së dashuruari, madje shumë shpejt u martuan.

Pas disa kohësh çifti bëri një fëmijë të mrekullueshëm. Tashmë në shtëpinë e mjekut mbretëronte lumturia absolute.

Një ditë, kur mjeku u kthye nga puna më herët në shtëpi, ndjeu se një surprizë e pakëndshme e priste. Hapi derën, po ç’të shihte?! Gjarpërin e bardhë e të madh tek përqafonte gjithë dashuri e ngrohtësi fëmijën e vogël. Gjarpëri u trondit dhe u shndërrua menjëherë në bashkëshorten e mjekut. Me lotë në sy i tha:

-         “Tani që më pe se cila jam, më duhet të iki. Nuk mund të qëndrojmë më bashkë”.

Por, para se të ikte i dha fëmijës një sferë magjike duke i thënë.

-         “Sa herë që të ndihesh i vetmuar ose i mërzitur, luaj me këtë  sferën, dhe lotët do të ndalojnë në çast”.

Fëmija luante çdo ditë me sferën, dhe kështu nuk qante për nënën e tij të bukur.

Një ditë, një punonjës i zyrës së tatimeve kaloi nga shtëpia e mjekut, pa sferën dhe e mori. Atëherë, fëmija filloi të qante ditë-natë. Mjeku i shqetësuar për shëndetin e fëmijës shkoi të takonte gjarpërin.  Pasi e gjeti i tha se dikush kishte vjedhur sferën magjike. Gjarpëri u mërzit shumë, megjithatë, në të ikur i dha një sferë tjetër. Kështu, për pak kohë akoma fëmija luante i gëzuar me sferën e re.

Gjatë ditëve që pasuan, një tjetër punonjës shtetëror shkoi te shtëpia e mjekut gjasme për kontroll dhe vuri në sy sferën e dytë magjike.  Kur gruaja – gjarpër mësoi se dhe sfera e dytë ishte vjedhur, u mërzit jashtë mase. Prandaj u drejtua nga bashkëshorti i saj duke i thënë:

-  “Që të dish të vërtetën, këto dy sfera ishin sytë e mi. Tani që t’i dhashë, s’më ka mbetur asgjë tjetër për të të dhënë”.

Zemërimi e kishte tronditur të tërën, aq sa dhe mali filloi të çahej gjithandej. Një tërmet i fortë tronditi malin dhe shkaktoi shpërthimin e gjithanshëm të vullkanit. Hiri dhe gurët e mëdhenj u shpërndanë në katër anët duke e mbuluar fshatin tërësisht.

Një cunam gjigand erdhi nga deti i tërbuar dhe përmbyti të gjithë ata që shpëtuan nga hiri dhe shkëmbinjtë e thërrmuar. Çuditërisht, shtëpia e mjekut mbeti e paprekur dhe e sigurtë. Ai së bashku me fëmijën jetuan për të mjekuar të mbijetuarit dhe rindërtuar fshatin e shkatërruar.

Ky mit përpiqet të shpjegojë tërmetin e vitit 1792, i cili shkaktoi shpërthimin e vullkanit Shimabara. Tërmeti, vullkani dhe cunami vranë plot 15000 njerëz. Në vitin 1990, një shpërthim  i ri shkatërroi 300 shtëpi dhe vrau 40 persona, ndërsa hiri mbuloi fshatin për 5 vjet.

© 2010: Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top