You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » NË KËRKIM TË SË VËRTETËS

NË KËRKIM TË SË VËRTETËS

lorena_stroka_biografia_wikipedia_poezi_gazeta_albstrokaShqipëroi: Lorena Stroka – Roehampton University, UK

Pas shumë e shumë endjesh nëpër qytete të ndryshme, dikush që kërkonte të mësonte thelbin e së vërtetës i ndali hapat te një shpellë me pus të thellë. I përgjunjur aty buzë pusit çudibërës, ai e pyeti se çka ishte e vërteta.

S’kaloi shumë, dhe nga fundi i tokës u dëgjua një zë: ‘Shko te kryqëzimi i fshatit, dhe atje do të gjesh atë që kërkon.’

Plot me shpresë e pritshmëri, burri rendi drejt kryqëzimit, ku përveç tre dyqaneve, s’pa gjë tjetër. Një dyqan shiste metale, tjetri dru, dhe i treti tela të hollë. Për çudi, asgjë dhe askush nuk dukej se kishte lidhje me zbulimin e së vërtetës.

I turfulluar dhe me inat në kokë, ai u kthye përsëri te pusi për t’i kërkuar shpjegime. Përgjigjja që mori përmblidhej në pak fjalë: ‘Do ta kuptosh me kalimin e kohës.’

Duke besuar se pusi ish tallur me të, ai vendosi të vazhdonte udhëtimet endacake në kërkim të së vërtetës.

E ndërsa vitet kalonin, kujtimi i kësaj përvoje sa vinte e zbehej, derisa një mbremje, siç ecte nën dritën e hënës, i tërhoqën vëmendjen tingujt e një ritmi indian. Ishte një melodi e mrekullueshme, e prodhuar me shumë mjeshtëri dhe frymëzim.

I ngazëllyer, u çapit në drejtim të muzikantit, për të kundruar nga afër lëvizjet e gishtave mbi korde. Papritmas këshoi një britmë gëzimi: Vegla muzikore ishte e ndërtuar me tela, copa metali e druri – me po të njëjtat materiale që kishte parë dikur te tre dyqanet, dhe s’u kishte kushtuar rëndësi të veçantë.

Më në fund, kuptoi se: Të gjithë kemi ato që nevojitemi, por jo të gjithë e dimë. Detyra jonë është t’i mbledhim e përdorim ato në mënyrë sa më të dobishme. Çdo gjë e parë veçmas duket e pavlefshme, por kur ato bashkohen në një trup të vetëm, atëherë krijohet diçka e re, diçka që nuk do të mund të përfytyronim kurrë më parë, nëse e shihnim pjesë-pjesë./albstroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top