You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » Gruaja gjatë periudhës Homerike

Gruaja gjatë periudhës Homerike

Shkëputur nga libri: “Mitologjia, filozofët dhe poetët e lashtë Grekë (I)”.

Gjatë periudhës Homerike gratë ndaheshin në tre kategori: Në kategorinë e parë përfshiheshin gratë e shtratit (ato që dinin të ofronin kënaqësi seksuale dhe pasion të pafund), të cilat ishin ndër më të shtrenjtat. Në të dytën, renditeshin gratë e shkathëta, hijshme, ato që mund të bënin punë të zgjedhura, që kërkonin finesë, ndërsa në kategorinë e tretë, bënin pjesë të gjitha ato gra që i përvisheshin punës pa dallim, me pak fjalë, ishin të përgatitura për çdo lloj angazhimi (kryesisht të rëndomtë). Një e tillë ishte dhe Hrisida, e cila thuhej se përveç “duarartë” ishte dhe gjaknxehtë, për shumë kohë flinte me Agamemnonin. Çuditërisht, nuk përmenden gratë të cilat angazhoheshin me punë bujqësie, diçka që më vonë u bë rregull. Atëherë gratë (si në disa vende akoma edhe sot) kishin një çmim. Deri diku trajtoheshin si plaçkë, bliheshin dhe shiteshin sipas qejfeve të “parallinjve” të kohës, imagjinoni një tripod i madh (tripodi simbolizon tri pjesët e ekzistencës së njeriut: Trupin, Shpirtin dhe Frymën) kushtonte sa dymbëdhjetë qe, ndërsa një skllave e mirë veç katër qe. Ia vlen të theksoj, se një ka kushtonte gjysmë talenti (prej floriri). Megjithatë, përveç virtyteve të lartpërmendura rëndësi të madhe kishte dhe virgjëria, pra luante rol parësor në përcaktimin e kostos përfundimtare të një gruaje. Në ato kohëra, gratë që shiteshin jo gjithmonë ishin të detyruara të kryenin marrëdhënie seksuale me blerësit e tyre (kjo varej nga dëshira e  të dytëve). Sipas Agamemnonit, Hipodamia ishte ende e paprekur kur ia ktheu Akilit, pavarësisht se e kundërta ishte më se e natyrshme që të ndodhte midis një burri dhe një gruaje.

Përveç virgjërisë, shtati, shkathtësia në duar, zgjuarësia dhe aftësitë në punë renditeshin si cilësi të shumëkërkuara, fundja jo më kot Agamemnoni deklaronte se preferonte Hrisidën dhe Klitemnistrën (të cilat i gëzonin pothuajse të gjitha këto).

Bukuria në kombinim me rininë përbënin shembullin ideal për çdo mashkull. Akoma dhe Odiseu i deklaroi Kalipsosë me sinqeritet të plotë: “E nderuar hyjni, e di shumë mirë se sa e shëmtuar duket Penelopa para teje, sa në shtat po aq edhe në formë, kushdo që t’ju krahasojë lehtë mund të dallojë se perëndeshë dhe e re je veç ti.”/AlbStroka.com/

© Lorena Stroka: Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top