You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » MËNYRA SE SI TË PËRDORNI KAFEINËN PËR RRITJEN E FLOKËVE

MËNYRA SE SI TË PËRDORNI KAFEINËN PËR RRITJEN E FLOKËVE

albstroka-blog-maska-me-kafe-per-rritjen-e-flokeve-receta-nga-lorena-stroka-foto© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Këtu e 20 minuta hyj e dal në dhomën e gjumit, pa prekur asgjë me dorë. Arsyeja? Frika e (ri)sistemimit të rrobave sipas ngjyrave, copave dhe llojit. Megjithëse është jashtëzakonisht i madh, ndiej se po të kishte zë, do të më thoshte: Më bosho pak moj e uruar, se s’marr dot më frymë! Është një faqe e tërë muri, nga fundi në krye. Sipas një përllogaritjeje të vogël që bëra, do të më duhen së paku 2-3 orë për t’i vënë punët në ujdi! Në fakt,  e mira është të kesh një dressing room, ku t’i mbledhësh të gjitha aty, pa ndjerë ankth si me hapjen e dollapit. Por, problemi është se ne që jetojmë jashtë dhe nuk kemi shtëpitë tona private, nuk e realizojmë dot këtë ëndërr (për momentin). Në këto kushte, detyrohesh të blesh edhe një dollap tjetër, për t’i ndarë rrobat në dy pjesë. Tani se si do të përputhen dy dollape në një dhomë, kjo është një tjetër temë, madje mjaft e vështirë për t’u diskutuar në këtë orë!

Prandaj thashë me vete: përgatit një kafe si fillim, shkruaj çke për të shkruar, dhe pastaj riktheju malit me rroba, aty është ai, nuk ikën!

Por, për të mos dalë plotësisht nga natyra e rubrikës, po hyj direkt tek tema e ditës. A e dini që shumë herë përmes pyetjeve tuaja më frymëzoni për shkrime të tjera? Nuk ka gjë më interesante se sa kjo! Sa herë ta shikoni të arsyeshme sqarimin  e ndonjë paqartësie, kërkojeni pa ndjerë drojë. Unë do të mundohem t’ju shpjegoj në mënyrë të detajuar se përse bëhet fjalë (kuptohet për ato gjëra që kam njohuri).

Pak kohë më parë, kisha postuar një shkrim që fliste për ndikimin e kafeinës tek rritja  e flokëve. Ç’do të thotë kjo? Të pijmë sa më shumë kafe? Natyrisht që jo, qëllimi ynë është zgjatja e shëndetshme e flokëve, jo pagjumësia kronike! Lidhur me këtë temë, ka disa zgjidhje praktike që besoj se ndihmojnë vërtet:

E para, është përdorimi i produkteve larëse, që kanë si përbërës kryesor substancën NYC ose kafeinën. Për shembull, në treg mund të gjeni Fall Fight Shampoo (linjës Garnier Fructis) si dhe Age Energy (linjës Logona.) Në këtë rast, duhet të bëni kujdes me udhëzimet e mbishkruara në etiketat e tyre. Mundohuni t’i ndiqni me përpikmëri, përndryshe do të përballeni me efektet anësore!

E dyta, është blerja e ampulave të kafeinës, të cilat aplikohen në rrënjët e flokëve për 24 orë rresht.

Dhe e treta, e vërteta, është përgatitja e maskave natyrale në kushte shtëpie me përbërës kryesor kafenë.

Përbërësit

4 lugë gjelle kafe (e bluar)

2 lugë gjelle mjaltë (cilësor)

2 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja

Në një tas prej qelqi përzieni së bashku të gjithë përbërësit e mësipërm derisa të krijohet një masë  e trashë. Në vijim, aplikojeni në rrënjët e flokëve, duke bërë masazh të lehtë me lëvizje rrethore. Pas 30 minutash lahuni si zakonisht. Kafja përveç se i zgjat i bën flokët dhe shumë të buta. Për mendimin tim, kjo është mënyra më  efikase për forcimin e folikulave të flokëve dhe përshpejtimin e procesit të rritjes./albstroka.com/

Mirë u lexofshim pas sistemimit të domosdoshëm, deri atëherë kalofshi sa më bukur!

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2016 AlbStroka.com

Scroll to top