You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » MASKA NATYRALE PËR ZBARDHJE LËKURE (VENDE-VENDE NË FORMË PULLASH)

MASKA NATYRALE PËR ZBARDHJE LËKURE (VENDE-VENDE NË FORMË PULLASH)

albstroka-blog-maska-natyrale-per-zbardhe-lekure-fytyre-keshilla-sekrete-bukurie-gjithçka-mbi-femrat-nga-lorena-stroka-albstroka-bukuri© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve kudoqofshi dhe me këdoqofshi…

Kur rritesh në një ambient ku të gjithë janë brunë e zeshkanë (si në rastin tim), bardhësia e lëkurës të duket problem, të paktën kështu e shikoja unë kur isha më e vogël. Siç e kam përsëritur dhe herë tjetër, në fisin tonë (nga ana e tim eti) janë të gjithë zeshkanë e  shtatlartë, ndërsa nga ana e nënës sime janë biondë me sy të çelët. Si duket, unë ngjava më shumë nga nëna ime, i vetmi ndryshim mes nesh qëndron tek ngjyra e syve, ajo i ka të gjelbër ndërsa unë ngjyrë mjalti! Mirëpo, ky ndryshim në ngjyrë, jo rrallëherë mua më sillte në pozicion të vështirë, më kujtohet si tani një rast kur isha në vitin e parë të shkollës së mesme, ishte ora e pushimit, për së largu dallova tim at tek po vinte drejt oborrit të shkollës për të më sjellë diçka, pasi ma dha, më tha që do të kthehej më vonë të më merrte. Nuk kaluan as dy minuta, kur shoqet që gjendeshin përreth meje, nisën të më pyesin se kush ish ai burri? Kur u thashë që ishte im atë, mbetën të habitura!

Me kalimin e kohës, kuptova se ashtu si unë që doja të isha pak më e errët, kishte dhe shumë vajza brune e zeshkane që donin të ishin më të bardha, sidomos ato që shfaqnin zbardhje lokale (vende-vende në formë pullash). Shkrimi i sotëm u kushtohet pikërisht atyre. Ja hidhini një sy dy recetave të reja me efekte zbardhëse…

Locion me gjethe nenexhiku, të bardhë veze, lëng limoni dhe vaj ulliri

Procesi i përgatitjes është shumë i thjeshtë. Si fillim, grini hollë disa gjethe nenexhiku të njomë, pastaj shtoni në të, të bardhën e vezës dhe vijoni me përzierjen derisa të krijohet një tip paste. Në vazhdim, shtoni 5 pika limon të porsa-shtrydhur dhe 5 pika vaj ulliri., përziejini përsëri së bashku dhe mandej aplikojeni në lëkurë të pastër për rreth 10-12 minuta. Në fund, shpëlahuni me ujë të vakët e pastaj të ftohtë.

*Vaji i ullirit shtohet në ato raste kur keni lëkurë të thatë (ofron extra-hidratim), sepse siç e dini limoni pavarësisht efekteve pastruese e zbardhëse që ka mund të shkaktojë thatësi lëkure, prandaj kombinojeni gjithmonë me ca pika vaj ulliri.

Krem në kushte shtëpie me mjaltë dhe bajame…

Një tjetër zbardhues i shkëlqyeshëm natyral mund të rezultojë nga përdorimi i bajameve dhe mjaltit. Në një blender hidhni një grusht bajame (pa kripë) bashkë me 2-3 lugë gjelle mjaltë trumze derisa të krijohet një masë homogjene. Në vazhdim, përhapeni në fytyrë e qafë duke e lënë të veprojë rreth 20 minuta. Pastaj shpëlahuni me ujë të ftohtë. Mundohuni të përdorni vetëm mjaltë biologjik, zakonisht ka efekte më të mira./albstroka.com/

Mirë u lexofshim në shkrimin e rradhës…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2016 AlbStroka.com

Scroll to top