You Are Here: Home » Mjekësi » Seksologji » Ndikimi i zënkave në jetën e një çifti

Ndikimi i zënkave në jetën e një çifti

Nga Lorena Stroka

Nuk ka çift që të mos zihet… Disa herë për arsye serioze e ca të tjera për absolutisht asgjë. Sipas specialistëve, ata që nuk grinden fare… kanë probleme në lidhjen e tyre, pra, diçka nuk shkon mirë. Po aq shqetësuese është gjithashtu edhe për ata që zihen çdo ditë! Përplasjet midis dy të dashuruarve gjithmonë kushtojnë… Të mërzisin, të zemërojnë, të lëndojnë. Aq më shumë kur epitetet që shkëmbejnë me njëri-tjetrin janë të rënda, fyese e të padrejta. Zënkat janë gjithmonë negative apo kanë dhe anët e tyre pozitive?

Kur zënkat mund të shkatërrojnë një lidhje?

1. Kur qëllimi nuk është komunikimi por antagonizmi.

Njëri mundohet t’i vërtetojë tjetrit se ka të drejtë, dhe se thotë të vërtetën. Secili shikon të mbrojë veten e tij, pa hyrë në vendin e tjetrit. Pra, nuk dëgjon, dhe anashkalon përgjegjësinë reciproke.

2. Kur çifti largohet nga shkaku i zënkës.

Domethënë… nis zënka për X arsye dhe papritur risillen në sipërfaqe probleme, situata, persona, vërejtje nga e shkuara. Çifti nuk koncentrohet te problemi aktual, por i rikthehet të shkuarës… Dikur më the… të thashë… Pse… etj.

3. Kur pas përplasjes çifti nuk diskuton ndjenjat e rezultuara nga zënka pra, dhembjen, zemërimin, keqardhjen.

Në këtë mënyrë, çifti i grumbullon brenda vetes në formë zemërimi/inati… dhe me kalimin e kohës, në një çast të papritur i shfaq si sulm pasiv ose aktiv. Pikërisht, kjo krijon boshllëkun midis çiftit.

4. Kur zënkat nuk kanë si synim përmirësimin e një situate, por kompromisin sipërfaqësor.

Në këtë rast, nuk ekziston asnjë qasje esenciale, nuk përmirësohet raporti por përsëriten të njëjtat situata. Fakt që drejton në shkatërrim total të tyre.

5. Kur njëri kërkon të “pronësojë” tjetrin.

Zakonisht, këtë metodë e ndjekin meshkujt me vetëbesim të ulët, i shohin partneret e tyre si objekte dhe jo si njerëz me ndjenja, shpirt dhe personalitet. Pra, e nisin sherrin për hiç gjë, u thonë se nuk do t’u mungojë asgjë dhe se puna është një angazhim burrëror. Qëndroni në shtëpi, gatuani, lani dhe rrisni fëmijët (jo se është turp t’i bësh këto – fundja të gjitha femrat i bëjnë) – por jo të jenë veç shtëpiake dhe “zonjat e zotrinjve”, çdo njeri ka nevojë të zgjerojë horizontet e tij. Ku jetojmë në Mesjetë?! Askush s’i përket askujt!

5. Kur asnjëri nuk bën pas.

Siç thotë edhe populli: “nuk e ul hundën”, mendon se personaliteti i tij është cënuar më shumë se i tjetrit, Në këtë rast mbizotëron EGOIZMI!

Kur zënkat i bëjnë mirë çiftit?

1. Kur përplasja pasohet nga komunikimi.

Filloni të vini në dukje anët pozitive të partnerit. Shprejini dashurinë dhe interesimin që ndjeni për atë. Por që të arrini këtë, duhet të jeni absolutisht të qetë. Mos akuzoni/fajësoni njeri-tjetrin, shmangni përçmimet, përgjithësimet dhe keqinterpretimet.

 

2. Jepini kohë.

Mos u nxitoni! Mos reagoni menjëherë. Mos harroni se të zemëruarit nuk dëgjojnë, dhe po s’dëgjove s’mund të merresh vesh, të sqarohesh. Secili do thotë të tijat vetëm dhe vetëm për të shpërthyer. Qetësohuni pastaj diskutoni.

3. Nevojitet ndjeshmëri për sa i përket vendit dhe kohës ku zhvillohet zënka.

Mos u zini kurrë para të tjerëve – gjërat përkeqësohen – plus që do përgojoheni. Gjithashtu, edhe kur njëri fle. Kurrë mos u zini në dhomën e gjumit. Është vend i shenjtë për një çift.

4. Mos cënoni pikat e ndjeshme të tjetrit

Së pari, është e ashpër. Së dyti, të lëndon, nuk tregon respekt dhe dashuri për tjetrin. Dhe së fundi, qëllimi i diskutimit është zbutja e situatave të vështira dhe jo egërsimi i tyre.

*MOS HARRONI

Mos u mundoni të ndryshoni askënd, pranojeni ashtu siç është, përndryshe, LARGOHUNI DHE KËRKONI FATIN TUAJ GJETKË!/AlbStroka.com/

© Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.

Copyright © 2008-2016 AlbStroka.com

Scroll to top