You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » CILËT ISHIN NË TË VËRTETË CENTAURËT (I)?

CILËT ISHIN NË TË VËRTETË CENTAURËT (I)?

kush-ishin-centauret-albstroka-blog-lorena-stroka-shkrimtare-gazetare-poete-perkthyese-shqiptare-mitologjia-grekeNga Lorena Stroka

Përmes labirinteve të ndërlikuara të mitologjisë së lashtë Greke, jo rrallë herë ndeshemi me krijesa enigmatike, të cilat duke qenë se nuk përputhen me estetikën standarde të Grekëve të vjetër, lindin një mori pyetjesh e dyshimesh në lidhje me origjinën e tyre. Një prej rasteve më të mistershme të miteve të vjetra është ajo e Centaurëve, njerëz-kuajve, që besohet se banonin në malet e Arkadisë.

Ndryshe nga Minotauri, Centaurët nuk jetonin në pallate të nëndheshme e të errta, por, shpesh zinin vende nderuese në mesin e gjysmë-zotave dhe heronjve Grekë, duke ndërmarrë përsipër akoma dhe misionin e mësimdhënësve të tyre, siç ndodhi në rastin e Cheron-it.

Ndërmjet imazheve antropomorfike të perëndive të Olimpit, gjysmë-zotave dhe heronjve, pamja e të cilëve arrinte kufijtë e përsosmërisë, ekzistojnë dhe disa krijesa të çuditshme, të përbëra nga gërshetimi i tipareve njerëzore me ato shtazore.

Një rast tipik janë Centaurët, disa prej të cilëve, p.sh., Cheron-it, mitologjia u rezervoi një vend të rëndësishëm. Por, çfarë ishin në të vërtetë këto krijesa të habitshme, të cilat pranoheshin me aq natyrshmëri nga adhuruesi i bukurisë dhe harmonisë së lashtë Greke? Ishin thjesht krijesa imagjinare apo kishin ndonjë pranishmëri historike në një moment të caktuar?

Nga e kanë prejardhjen dhe cila është natyra e tyre e vërtet?

Mos ishin thjesht figura simbolike, në qoftë se po, atëherë, çfarë simbolizonin ato?

Mendimet historike në lidhje me ekzistencën e Centaurëve vijojnë të jenë të shumëllojshme e kontradiktore. Sipas faqeve të mitologjisë, ata përshkruhen si një racë qeniesh monstruoze, me kokë e trung njeriu dhe këmbë kuajsh. Jetonin në gjendje pothuajse të egër në pyjet e Pelionit dhe Arkadisë. Flitet, se ishin pasardhësit e Iksionit.

Sipas legjendës, pas vrasjes së qëllimshme të prindërve të bashkëshortes së tij, Iksioni, kërkoi ndihmën e Zeusit për larjen e mëkatit të bërë. Mbreti i Zotave, jo vetëm e fali, por, e ftoi dhe në një gosti madhështore, shtruar enkas për të… Aty, nën efektin e një dehjeje të ëmbël nuk nguroi të joshte as perëndeshën Hera…

vijon…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top