You Are Here: Home » Gnomonologji » Kurrë nuk është vonë!

Kurrë nuk është vonë!

Nga Lorena Stroka

Në të shkuarën, ndoshta për shkak të mjedisit rrethues u detyrove të bësh mjaft koncesione dhe të “vajtosh” veprime të gabuara. Akoma dhe sikur kështu të jetë, mos u dëshpëro. Kjo është një taktikë e zakonshme e mëkatit.  Në fillim shfaqet plot premtime dhe pas përgënjeshtrimit të tyre, të imponon të mendosh se nuk ka rrugëdalje. Kështu është, do lodhesh, do urresh vetveten, do lëndohesh, pse jo me dhembje zemre do këpusësh akoma dhe fidanët e egër të pasionit.

Dhembja është në fillim. Në hapat e parë. Më vonë do të trokasë gëzimi, lumturia e thellë shpirtërore. Zemra do të qetësohet, drita dhe shpresa do ta mbushin përsëri atë. Sytë do të ndriçojnë… Fshije, pra, nga fjalori jot, siç thoshte the Napoleoni i Madh frazën: “Është e pamundur!”, dhe pa humbur kohë jepi vetes një shans të dytë – të gjithë e meritojmë. Mos harro, askush nuk humbet, përveç atyre që i dorëzojnë armët shpejt. Fundja, nuk je i pari. Kurrë nuk është vonë! Vështro kryqin mbi kishë. Jam e sigurtë që diçka të kujton… Kryqin e parë prej druri… atje në Golgotë… apo jo?

Ai që derdhi gjakun e tij mbi atë kryq, nuk e derdhi për të “pastërit”. Për mëkatarët e derdhi. Për ata që u rrëzuan, u goditën, u gjakosën dhe që tani duan të ngrihen. Jo, pra, kurrë nuk është vonë! Shko, gjunjëzohu para kryqit të tij, para madhështisë, spiritualit të mirë. Hapi zemrën dhe lere të lirë të shprehë atë që ndjen… sinqerisht, pa ndrydhje, pa ndrojtje paragjykimi…

Largoji frikat e paqarta, të papërcaktuara, hezitimet e pajustifikueshme, thyeji tabutë e parashkruara që të pengojnë të veprosh lirshëm. Spirituali ka dëgjuar marrëzi të panumërta njerëzore, nuk do habitet nëse dëgjon dhe një më shumë… mos kij turp nga ai, nuk do të të keqkuptojë.

Shko, rrëfehu si kurrë më parë me dorë në zemër, çlirohu  nga pesha që të rëndon shpirtin… Më vonë do më kujtosh, vulosja e çlurimit që do të vijojë, do të paqësojë ndërgjegjen tënde… Kur rrëzohesh, ngrihu përsëri, ec drejt… Zoti pret të të falë atë që ti aq shumë dëshiron… Çlirimin, faljen, forcën për të bërë një fillim të ri…

© Albstroka.com

 

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top