You Are Here: Home » Mjekësi » Psikologji » Kur një grua e martuar tradhton…

Kur një grua e martuar tradhton…

Nga Lorena Stroka

Mbrëmë, nuk kam fjetur pothuajse fare, e shkunda të gjithë videotekën, kisha nevojë të shikoja filma të të gjitha llojeve. Ulur, pra, këmbëkryq në divan, para TV duke konsumuar pop corn dhe coca cola, ndoqa me shumë interes disa prej filmave të mi të preferuar. Aty, rreth orës 4 të mëngjesit, më mbylleshin sytë, s’kisha më fuqi, isha gati të bija përmbys…

Për fat të keq, ishte hera e tretë që më ndodhte kjo gjë, sa herë përgatitesha për të parë filmin: Gruaja që ëndërroi një burrë. Mirëpo, këtë herë, isha e vendosur ta shihja nga fillimi në fund. U ngrita, shkova në tualet, u freskova në fytyrë, u ktheva, zura qoshen time të preferuar duke shtrënguar fort një jastëk në formë zemre dhe nuk u largova për asnjë një çast nga dhoma deri sa mbaroi. Skenari i filmit? Mjaft i thjeshtë: Një fotografe mode dashurohet marrëzisht me një profesor Polak… Që të dy janë të martuar dhe kanë fëmijë. Ajo çmendet pas tij dhe erosi shndërrohet në një fiksim të rrezikshëm. Braktis bashkëshortin e saj për sytë e profesorit, ndërkohë që ky i dyti, do të jetojë veç aventurën, por, jo të prish familjen e tij. Nejse nuk do t’ju zbuloj fundin e filmit…

Ky film u bë shkak të prekja temën e tradhtisë, ose më saktë mënyrën se si partnerët ndalojnë së qeni besnikë ndaj njëri-tjetrit…

Siç është e njohur, në dashuri nuk ka as rregulla dhe as ligje, ndaj dhe quhet dashuri. Zemra nuk udhëhiqet nga logjika, është tërësisht e paparashikuar. Dashuria është ndjenja më e bukur që mund të përjetojë njeriu në jetë, si dhe më e shëmtuara, në rast se bie ndesh me “DUHET” e shoqërisë, nga bekim mund të kthehet në mallkim…

Të njëjtën ndjesi kanë të gjithë ata që thirren t’i përgjigjen një  gjendjeje të tillë. Për shembull, kur një grua e martuar përballet me një tundim të ri, tradhtinë, e ka shumë të vështirë të ruajë ekuilibrin brenda shtëpisë së vet. Ajo tradhton me mendje (më të shumtën e rasteve, se ka dhe të tjera që tradhtojnë vetëm për seks) pra, në mënyrë cerebrale dhe jepet më shumë. Përmes tradhtisë ajo mbulon shumë nevoja emocionale dhe pasiguri personale. Sikletoset ta ndajë këtë ndjenjë të fortë me bashkëshortin dhe dashnorin njëkohësisht. Pikërisht, aty, perceptohen nga të tjerët shenjat e para të tradhtisë… ndryshimet në sjellje, në veshje, në gjithçka. Gjatë kësaj periudhe, nis dhe bën krejt të kundërtat nga ato që bënte deri dje…

Për gruan që ka familje, tradhtia nuk është një çështje e thjeshtë. Dhe kur i ndodh kjo, zakonisht, “shkatërron” jetën e saj të ligjshme, duke i braktisur të gjithë e të gjitha.

Nga ana tjetër, mashkulli nuk torturohet nga faje të tilla, shumë lehtë mund t’i bëje dashuri gruas dhe dashnores, si të mos ketë ndodhur asgjë. Pra, burri është i aftë ta ndajë seksin nga raporti/lidhja e përhershme. Një lidhje jashtëmartesore e shikon më shumë si një aventurë shplodhëse, argëtuese, pra, një pauzë nga përditshmëria e tij. Nuk e braktis kollaj familjen e vet. Fare lehtë mund t’i përgjigjet akoma dhe thirrjes së dy grave në të njëjtën kohë, domethënë të ketë më shumë se një dashnore.

Të mësipërmet nuk karakterizojnë me absolutizëm sjelljet seksuale të burrave apo grave, pasi çdo individ ka kod të veçantë seksual, thjesht, përshkruajnë pak a shumë mënyrën se si gjinitë tradhtojnë./AlbStroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2014 AlbStroka.com

Scroll to top