You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » KREMRA ME VAJ CALENDULA (RECETA EKSKLUZIVE PËR TË GJITHA LLOJET E LËKURËS)

KREMRA ME VAJ CALENDULA (RECETA EKSKLUZIVE PËR TË GJITHA LLOJET E LËKURËS)

© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Ditët e shkuara nuk munda të postoj asgjë për arsye se isha pranë shoqes sime të ngushtë (Fjorit), e cila u bë NËNË për herë të dytë. Mëngjesin e së hënës solli në jetë një bebe të mrekullueshme, të vogël si kukull. U gëzova tej mase për të. E priste me padurim lindjen e saj. Mirëpo tani që bëri të sajt nuk lë rehat mua. Më ka lënë afat deri në fund të 2014 që ta bëjë teze… jo për ndonjë gjë, por do t’i ngrihet mendja edhe këtij timit, dhe hajde pastaj t’i mbushësh mendjen për të kundërtën…

Sot, do të flasim për calendula-n, për barishten me veti antiplakje, shëruese dhe zbutëse.

Calendula është padyshim një nga bimët më të njohura në mbarë botën. Në kohët e lashta, përdorej si barishte shëruese por dhe si përbërës gjelle apo produktesh kozmetike nga Grekët, Arabët, Romakët dhe Indianët. Vaji i saj është tejet i njohur për vetitë anti-inflamatore, antibakteriale dhe shëruese që ka.

Vaji i calendula-s është mjaft i dobishëm për trajtimin e lëkurave të acaruara si pasojë e ajrit të ftohtë dhe ndryshimeve të papritura të temperaturës. Ndihmon në zbutjen e lëkurës, mbylljen e plagëve të krijuara nga kafshimet ose pickimet, shërimin e prerjeve me mjete të mprehta etj., etj. Përbën bazë e shkëlqyer për kremra, locione dhe produkte kozmetike natyrore. Mund të aplikohet direkt në lëkurë, madje konsiderohet mjaft i mirë për masazh. Është i përshtatshëm për të gjitha llojet e lëkurës, veçanërisht për lëkurat e thata dhe të ndjeshme.

Më poshtë po ju listoj disa receta që t’i bëni në shtëpitë tuaja…

Krem për lëkura të plasaritura

50 gr krem të pastër alo vera

15 pika vaj calendula

10 pika vaj esencial sandalwoodr

Përzieni të gjithë përbërësit e mësipërm sipas rradhës derisa të krijohet një masë homogjene. Në vazhdim, hidheni në një vazo prej qelqi dhe ruajeni në vend të errët. Aplikojeni 2 herë në ditë (në rast se nuk ekspozoheni në diell) në të kundërt, vetëm në darkë.

Xhel hidratues fytyre

50 gr xhel aloe vera

10 pika vaj calendula

10 pika vaj esencial temjani

10 pika vaj esencial portokalli

5 pika vaj esencial barbarozë

Trazojini të gjithë përbërësit bashkë derisa të formohet një masë kremoze. Pastaj aplikojeni çdo mbremje para se të flini. Në rast se ju ka mbetur ende krem, mbylleni në një vazo prej qelqi dhe ruajeni në vend të errët dhe pa lagështi.

Krem për lëkura të pahidratuara

Në qoftë se përdorni basic face cream APVITA (50 ml) shtoni në të:

20 pika vaj calendula

3 pika vaj esencial livando

5 pika vaj esencial limoni

Përziejini të gjithë përbërësit bashkë sipas renditjes derisa të formohet një masë e trashë rrëshqitëse. Përdoreni 2 herë në ditë në lëkurë të porsalarë (mos dilni në diell se krijohen njolla, përndryshe aplikojeni vetëm në mbremje).

Krem për lëkura të stresuara dhe të ndjeshme

Në një krem APVITA ose tjetër, çfarëdo që të përdorni ju, mjafton të jetë 50 ml, shtoni:

20 pika vaj calendula

5 pika vaj esencial livando

5 pika vaj esencial barbarozë

Për sa i përket përgatitjes, ndiqni procesin e mësipërm. Aplikojeni 2 herë në ditë (kujdes, mos dilni në diell)./AlbStroka.com/ Për çdo pyetje që mund të keni mos nguroni të më pyesni te fusha e komenteve./albStroka.com/

Kalofshi një ditë sa më të këndshme pranë miqve dhe familjeve tuaja…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top