You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » KREMI SHTËPIAK QË MINIMIZON RRUDHAT BRENDA 1 MUAJI

KREMI SHTËPIAK QË MINIMIZON RRUDHAT BRENDA 1 MUAJI

albstroka-blog-lorena-stroka-foto-biografia-receta-bukurie-si-te-hiqni-rrudhat-brenda-1-muaji© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Po më gjetët qoftë dhe vetëm një njeri bashkëkohor që nuk do të duket bukur, për besë, do ta kthej botën përmbys, për t’i ngritur një shtatore si person i jashtëzakonshëm. Është gati e pamundur që mes nesh të ekzistojë një i tillë (me përjashtim të të egërve të xhunglës). Të dukurit bukur, sidomos në kohët e sotme, nuk përbën më një ëndërr e paprekshme, me shpenzime stratosferike. Gjithçka është e arritshme, mjafton të mos ju mungojë aftësia dalluese për përzgjedhjen e duhur të produkteve antirrudhë.  Receta e sotme, ka për t’ju bërë të panjohshme (në kuptimin e mirë të fjalës). Jep efekt të shkëlqyer në mbushjen e vijave të shprehisë, kryesisht ato përreth syve dhe anash buzëve. Duke qenë se përbërësit e kremit janë absolutisht natyralë, rreziku për efekte anësore është thuajse i paekzistueshëm. Rezultatet e para do t’i vëreni brenda 30 ditëve. Po e provuat njëherë, zor se do të hiqni dorë prej tij.

Përbërësit

200 gr vaj bajame

85 gr dyll blete

1 lugë të vogël gjalpë karite

90 gr ujë trëndafili

Përgatitja

Si fillim, ngrohni në zjarr mesatar, dyllin e bletës, gjalpin karite dhe vajin e bajames, në vazhdim, hiqeni prej andej dhe lereni të ftohet pak (jo plotësisht). Mandej shtoni ujin e trëndafilit dhe vijoni me përzierjen, derisa të formohet një masë e trashë.

Përhapeni në fytyrë dhe dekolte duke e masazhuar lëkurën butë. Për efekt më të mirë, aplikojeni në darkë duke e lënë të veprojë gjatë gjithë natës. Kremin ruajeni në një vend të thatë e të errët, jo në frigorifer. Përdoreni brenda 10-12 ditëve, tejkalimi i afatit shkakton skadencë./albstroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top