You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » KËTO JANË USHQIMET QË ZGJIDHIN PROBLEMIN E RËNIES SË FLOKËVE DHE NXISIN RIGJENERIMIN E TYRE

KËTO JANË USHQIMET QË ZGJIDHIN PROBLEMIN E RËNIES SË FLOKËVE DHE NXISIN RIGJENERIMIN E TYRE

albstroka-blog-ushqimet-qe-ndalojne-renien-e-flokeve-dhe-nxisin-rigjenerimin-e-tyre-shkrime-nga-lorena-stroka© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Një nga provat më të sigurta që rënia e flokëve të ka “trokitur derën” është… yndyrna e tepërt.  Ajo që të bën të dukesh sikur ke shekuj pa u larë, e të vetë-pyetesh: po ç’dreqin ndodh kështu, dje nuk u lava?! Zgjidhja në këto raste nuk është vetëm shampoja e ngurtë, (një lloj pluhuri që ndonjëherë të bën t’i përngjash ujkut të miellosur te përralla “Mamadhia me shtatë kecat”), por, diçka tjetër, më efikase,  trajtimi i problemit në brendësi: konsumi i rregullt i ushqimeve të pasura me vitamina. Thjesht këtu duhet t’i bindesh (sipas mundësive, kuptohet) sensit të masës dhe shumëllojshmërisë. Jo për shkak të përtesës të thuash: po hë se s’ka gjë, njësoj janë të gjitha! Organizmi ka nevojë për vitamina të ndryshme dhe një ushqim specifik, është e pamundur t’i përmbajë të gjitha ato. Në bazë të ushqimeve vijuese, mundohu të rregullosh programin tënd javor…

Karotat

Ato nuk bëjnë mirë vetëm për shikimin, por, dhe për lëkurën e kokës. Përmbajnë përqindje të lartë të vitaminës A, e cila ndihmon në sekretimin natyral të vajrave të skalpit, Pa praninë e këtyre vajrave, lëkura dhe flokët kërcënohen nga dehidratimi.

Bizelet

Mund të jenë të vogla në përmasa, por, me vlera tejet të mëdha ushqyese. Në mënyrë të veçantë, ato përmbajnë proteina, beta-karotinë dhe vitaminë C, të cilat të gjitha së bashku formojnë një “mburojë” të domosdoshme për pasjen e flokëve të shëndetshëm.

Farat luledielli

Janë ndër ushqimet më të mira që mund të konsumosh për të fituar apo ruajtur shëndetin e flokëve. Përmbajnë magnez, zink, proteina, vitaminë E, selen, hekur, kalium, bakër, biotin, vitamina të kompleksit B dhe kalcium.

Tërshëra

Tërshëra përmban pothuajse të gjithë ushqyesit e domosdoshëm për ndalimin e rënies së flokëve dhe rigjenerimin e tyre, domethënë, zink, vitamina me kompleksin B, bakër dhe proteina të panumërta.

Vezët

Flokët janë të përbërë kryesisht nga proteinat, prandaj dhe konsumi i i produkteve të pasura me proteina, është shumë i rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit të tyre. Vezët janë një burim i mirë për marrjen e tyre, qoftë të gatuara, apo të përfshira në maska specifike për flokët.

Mishi i viçit

Shpesh humbja e flokëve vjen si pasojë e anemisë, domethënë e mungesës së hekurit në organizëm. Mishi i kuq është burimi më i mirë për marrjen e hekurit dhe proteinave në përgjithësi.

Spinaqi

Spinaqi është i pasur me vitamina, minerale, kalium, kalcium, hekur, acide yndyrore omega-3, dhe rekomandohet nga të gjithë specialistët për ruajtjen e shëndetit të lëkurës së kokës dhe flokëve.

Patatja e ëmbël

Konsumi i rregullt i patates së ëmbël është mënyra më e lehtë për të “furnizuar” organizmin me vitaminë A, proteina, hekur dhe bakër – elementë mëse të nevojshëm për luftimin e rënies së flokëve. Për më tepër, forcojnë lëkurën e kokës dhe dendësojnë rrënjët e flokëve.

Salmoni

Acidet yndyrore omega-3 dhe proteinat që salmoni përmban, ndihmojnë jo vetëm në trajtimin e humbjes kronike të flokëve, por, dhe në hidratimin e lëkurës dhe flokëve njëkohësisht, duke i bërë ato të duken më të buta e me më shumë shkëlqim.

Fasulet

Janë të pasura me një sërë proteinash të rëndësishme për flokë sa më të plotë e me shkëlqim, sidomos gjatë muajve të dimrit, kur ato fillojnë e bëhen më të thatë e të vështirë për t’i rregulluar. Të tëra llojet e fasuleve shquhen për vlera ushqyese, por, jo në të njëjtën masë, për shembull, fasulet e zeza, të kuqe dhe gjigande për shkak të përqindjes së lartë të lëndëve ushqyese dhe vitaminave që përmbajnë, janë më të shëndetshme se sa të tjerat. Mbani mend: Ushqyerja e shëndetshme në kombinim me përkujdesjen e jashtme, përbëjnë recetën më të suksesshme të bukurisë natyrale./albstroka.com/

Shihemi pas pak…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top