You Are Here: Home » Mjekësi » Më pak sheqer në ushqyerjen tuaj

Më pak sheqer në ushqyerjen tuaj

Nga Lorena Stroka

Sipas një hulumtimi të ri amerikan, konsumimi i shumtë i ushqimeve të përpunuara ose të gatshme, të cilat përmbajnë sheqer, jo vetëm  shkakton  sëmundjen e diabetit, por lidhet ngushtë me nivelet e ulta të kolisterolit të mirë (HDL – C), dhe nivelet e larta të triglicerideve, të cilat të dyja së bashku përbëjnë faktorë të rëndësishëm rreziku për shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, si ataku në zemër dhe goditjet në tru. Sipas agjensisë Rojter, studimi i kryesuar nga Dr. Miriam Vos i Fakultetit Mjekësor të Universitetit Emori (Atlantë) u botua në revistën JAMA të Shoqatës Mjekësore Amerikane. Studimi në fjalë, i shtohet hulumtimeve të mëparshme  të cilat ushtrojnë presion mbi kompanitë me qëllim që të prodhojnë produkte sa më të shëndetshme. Shumë shtete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si Nju Jorku dhe Kalifornia kanë vendosur një tatim në konsumimin e pijeve me përmbajtje sheqeri, duke pasur si synim të vetëm mbulimin e shpenzimeve mjekësore që lidhen me obezitetin. Shtimi i substancave të ëmbla në pijet e dekadës së fundit, ka rritur ndjeshëm konsumimin ditor të sheqerit dhe kalorive, sipas hulumtimit të ri, i cili është dhe i pari që analizoi efektin e sheqerit në nivelet yndyrore të gjakut. Hulumtuesit Amerikanë studiuan mënyrën e ushqyerjes së 6100 personave të rritur, duke i renditur në kategori të ndryshme në bazë të konsumimit të shqerit dhe niveleve të kolisterolit të tyre. Mesatarisht, u konstatua se 16% e kalorive ditore të konsumatorëve rrjedhonte nga substancat e ëmbla shtesë në ushqime dhe pije (kundrejt 10.6% gjatë viteve 1977 – 1978). Sipas Shoqatës Kardiologjike Amerikane, duhet të ndërpritet menjëherë konsumimi i sheqerit. Rekomandohet që gratë të mos konsumojnë më shumë se 100 kalori sheqer të përpunuar, sasi ekuivalente me gjashtë lugë kafeje (25 gr), ndërsa burrat respektivisht nuk duhet të konsumojnë mbi 150 kalori ose 9 lugë sheqer në ditë (37,5 gr). Megjithatë, shoqatat e prodhuesëve amerikanë të pijeve të ndryshme vazhdojnë të mos e pranojnë faktin se pijet me përmbajtje sheqeri përbëjnë rrezik të veçantë për shëndetin, sëmundjet e zemrës dhe obezitetin.

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top