You Are Here: Home » Mjekësi » Seksologji » Si ishin prezervativët në shekujt e kaluar…

Si ishin prezervativët në shekujt e kaluar…

Nga Lorena Stroka

Shkenca dhe teknologjia përparojnë dita-ditës duke lehtësuar kështu jetën tonë. Progres goxha i madh është shënuar dhe në fushën e prodhimit të prezervativëve. Në fotot e mëposhtme do të konstatoni se sa e vështirë ishte për burrat të përdornin prezervativë në shek. XVII-XVIII.

Ndërsa sot çdokush mund të blejë me rehati prezervativ në farmaci dhe ta vendosë me qetësinë e vet para seksit, procesi atëherë nuk ishte thjesht i vështirë, por thuajse i pamundur.

Kondomin e parë të dokumentuar historikisht e gjejmë në Egjipt 3000 vjet p.e.r., ishte prej lëkure gjarpëri dhe përdorej pothuajse nga të gjithë burrat. Ajo çka ende nuk është bërë e qartë është nëse prezervativin e përdornin për të bërë seks, apo ishte pjesë e veshjes së tyre formale.

Rreth vitit 1640 filloi avash-avash prodhimi i prezervativëve (nga lëkura kafshësh – kryesisht nga stomaku i deleve). Asokohë, kondomët nuk përdoreshin vetëm një herë, por pasi laheshin përdoreshin përsëri.

Në vitin 1800 kauçuku solli revolucionin e tij dhe prodhimi u rrit së tepërmi. Anglia kishte përparësi në një kohë kur sëmundje serioze si sifiliza por dhe mjaft të tjera të transmetueshme seksualisht mbretëronin në lagjet me emër të keq të Londrës.

Prezervativët filluan të merrnin formën e sotme, kur kauçuku u zëvendësua nga latex-i në fillim të vitit 1930. Në Irlandë deri në vitin 1985 nëse dikush dëshironte të blinte prezervativë e kishte shumë të vështirë, pasi më parë duhet të merrte recetë mjekësore.

Në disa vende të tjera të botës si Somalia, prezervativi ishte sinonim i paligjshmërisë, pasi sipas një ligji të miratuar në vitin 2003, përdorimi dhe tregtia e tij ndalohej rreptësisht./AlbStroka.com/

©AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top