You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » Niobi, gruaja që u shndërrua në gur!

Niobi, gruaja që u shndërrua në gur!

Shkëputur nga libri: “Mitologjia, filozofët dhe poetët e lashtë Grekë (I)”.

Është e çuditshme por shumë njerëz mendojnë se çdo gjë që ndodhë në jetën e tyre, kryesisht pozitive, provokohet nga ata vetë. Ndërsa për të këqijat thonë se fshihet “dora” e fatit. E vërteta është ndryshe! Fatin nuk e përcakton (plotësisht) njeriu por ZOTI. Fundja, në qoftë se gjithçka varej nga ne, kush do të zgjidhte vuajtjet apo zhgënjimet?! Normalisht, të gjithë duhet të ishim të shëndetshëm, të lumtur dhe të pasur, gjë që s’mund të ndodhë gjithnjë. Pse? Sepse e tillë është jeta. Gjithashu nuk duhet të harrojmë se dhe lumturia është… relative. Dikush lumturohet për vetë faktin që merr frymë, ndërsa një tjetër mund të ankohet akoma edhe për vogëlsira. Personalisht, mendoj  se  shumica e njerëzve nuk janë 100% të kënaqur (nga vetja apo jeta në përgjithësi), njeriu nga vetë natyra kërkon të mësojë apo të ketë sa më shumë (madje, këtë të dytën e cakton si përparësi). Që të ndihesh njeri i kompletuar, më parë duhet të jesh përballur me  vështirësitë e mundshme të jetës. Të kesh ndjerë dhembjen dhe gëzimin, dështimin dhe vlerësimin, të qarën dhe të qeshurën. Vetëm në këtë mënyrë do të kuptosh se  rëndësi nuk ka udhëtimi por destinacioni (deri diku do ndihesh i çliruar shpirtërisht, do thuash u mundova, pavarësisht se sa ia arrita qëllimit). Prandaj mirë është që të mjaftohemi me këto që kemi… dhe t’i jemi mirënjohës zotit për ato që na ka dhënë…

Nga ana tjetër, ajo që mbetet standarde dhe e palëvizshme  është fuqia hyjnore që për ne të vdekshmit e thjeshtë ngjan e padukshme, e paparashikuar ndoshta dhe e dyshimtë deri në çastin që e përjetojmë qoftë negativisht apo pozitivisht. Përderisa fati nuk është në dorën tonë le ta pranojmë ashtu siç vjen… Cilido që është munduar të tregojë arrogancë njerëzore ndaj zotave e ka paguar shtrenjtë. Historia e Niobit është një rast që e vërteton më së miri këtë thënie të mençur.

Niobi, ishte një figurë e lashtë mitike, madje nga më tragjiket. Të dhënat e para për të na i jep Homeri te “Iliada”. Mitet e saj, që filluan nga Teba dhe Azia e Vogël, shumë shpejt u bënë të njohura në të gjithë Greqinë e lashtë. E konsideronin të bijën e mbretit të Frigjisë, Tantalit dhe Dionës ose Diës. U martua me një prej Dioskurëve të Tebës, Amfionin, me të cilin bëri gjashtë djem dhe gjashtë vajza (ndërsa Ovidi thotë se bëri katërmbëdhjetë fëmijë gjithësej, pra shtatë djem e shtatë vajza).

Por Niobi, si nënë e shumë fëmijëve që ishte, ndjeu një krenari të paparë, aq sa s’nguroi të mburrej para zotave, duke thënë se ishte më e zonja se Litoja që lindi vetëm dy fëmijë. Litoja tejet e e fyer nga mënyra e të shprehurit të Niobit, vendosi të hakmerrej, duke vënë në armiqësi të bijtë e saj, Apollonin dhe perëndeshën Artemidë me fëmijët e Niobit. Artemida vrau me shigjeta brenda anaktorit të saj (Tebë) të bijat e Niobit, ndërsa Apolloni mori përsipër ekzekutimin e meshkujve të familjes, të cilët i gjeti tek gjuanin. Sipas poetëve më të rinj, nga kjo vrasje shpëtuan Amiklas dhe Melivia ose Amfioni dhe Hlorida që më vonë u martua me Nileun. Për nëntë ditë me rradhë fëmijët e Niobit mbetën të pavarrosur, sepse çdokush që guxoi t’i varroste u shndërrua në gur (nga Zeusi). Ditën e dhjetë trupat e pajetë u varrosën nga vetë zotat e Olimpit. Pas tragjedisë së ndodhur Niobi nuk arriti të vinte kurë në vete, e keqja e kishte mposhtur të tërën. Qëndroi pa folur dhe pa ushqim për shumë ditë dhe pastaj u kthye tek i ati, në Sipilo, ku u shndërrua në gur, siç u kishte kërkuar zotave. Nga ai gur, që kishte formë gruaje, rridhnin lotë të pashtershëm. Në malin Sipilo akoma dhe sot ekziston një gur në formën e gruas së trishtuar, ashtu siç e pa Pafsania në kohën e tij./AlbStroka.com/

© 2010 Lorena Stroka: Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top