You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » GRUAJA PA TABU!

GRUAJA PA TABU!

gruaja-pa-tabu-albstroka-blog-lorena-stroka-foto-biografia-wikipedia-shkrime-perkthimeShqipëroi: Lorena Stroka – Roehampton University, UK

Chekhov

“Bëhuni gruaja ime!”, i tha Helena Gavrilovnës.

“Ju dua, ju dua marrëzisht, me pasion!”

Ndërkohë që mendjes i vërtitej një mendim sfilitës:

“A kam të drejtë unë të bëhem burri i saj? Jo, nuk kam! Nëse do të dinte prejardhjen time, në qoftë se dikush do t’i fliste për të kaluarën time, ajo do të më shpullonte.”

Ah, e kaluar e poshtër! Po ta dinte kjo aristokratja e shkolluar se kush jam unë, do të më pështynte në surrat pa e menduar dy herë.

Kur Helena iu hodh në qafë duke iu betuar për dashurinë e saj, ai nuk u ndje i lumtur.

Të menduarit hidhëronte gjithçka… Pas kthimit në shtëpi nga sheshi i patinazhit, ai u zhytë përsëri në mendime të tmerrshme:

“Jam i pështirë! Po të isha njeri i ndershëm do t’ia thoshja të gjitha. Me pikë e me presje… Ishte detyra ime t’i tregoja të fshehtën, para se t’i rrëfeja dashurinë që ndieja për të. Por, nuk e bëra! Tani, s’jam gjë tjetër veçse një faqezi, një laro.”

Prindërit e Helenës ranë dakord për martesën e së bijës me Maksimin. E pëlqenin atletin. Ishte modest, dhe si nënpunës shtetëror premtonte shumë. E ndërsa Helena shkëlqente nga lumturia dhe dukej sikur fluturonte mbi re, atleti i shkretë ndihej më fatkeq se kurrë. Deri në ditën e fundit, para dasmës, e mundonte i njëjti mendim, njësoj si atëherë kur i rrëfeu për herë të parë dashurinë e tij.

Përveç kësaj, e shtrëngonte edhe një mik i vjetër, njëri që e dinte të kaluarën e tij në majë të gishtrinjve. I jepte pothuajse një rrogë të tërë për t’i mbajtur gojën të mbyllur.

“Eja, më shtro një drekë te Hermitazh”, i thoshte ai, “Përndryshe do t’u them të tërëve gjithçka di për ty. Më jep njëzetë e pesë rubla borxh.”

Maksimi i varfër, u hollua, u tha, mollëzat i ranë dhe grushtat iu bënë kockë e lëkurë. Mendimet turbulluese e sëmurën. Në qoftë se nuk do të ekzistonte gruaja që ai dashuronte, do t’i kishte dhënë fund jetës së tij.

“Jam i neveritshëm, mashtrues”, thoshte me vete. “Duhet t’ia shpjegoj të gjitha, para se të bëhet dasma. Le të më pështyjë.”

E megjithatë nuk mundi t’i thoshte asnjë fjalë. Nuk pati guxim./albstroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top