You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » FUND PUÇRRAVE TË BEZDISSHME

FUND PUÇRRAVE TË BEZDISSHME

Nga Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Sot është rradha e shkrimit për trajtimin e… puçrrave të bezdishme dhe antiestetike. Pothuajse të gjitha jemi përballur qoftë dhe një herë me praninë e tyre. Që si për dreq, na shfaqen gjithmonë në kohë të padëshiruar, domethënë kur kemi ndonjë takim të rëndësishëm pune ose ndonjë njohje personale. Në këtë rast, nuk dimë se çfarë të bëjmë, pasi provojmë atë metodën e vjetër me avullin e ngrohtë (mbajmë kokën sipër një tenxhereje me ujë të përvëluar) që në të vërtetë më shumë na prish se sa na ndreq punë, përfundojmë te make up. Në fakt as trukimi nuk bën ndonjë mrekulli, thjesht gënjejmë veten, sa do shtresa kremi e pudre që të hedhim mbi vete, prapë së prapë duken topthat e mbuluar… Me pak fjalë, ku ishe, hiçgjëkundi?!

Të gjitha këto ndodhnin deri dje, se nga sot e tutje, besomëni jeta juaj do të bëhet më e lehtë, falë një metode që do t’ju zbuloj sot.

Aspirina është e njohur për veprimet e saj anti-inflamatore. Madje është zgjidhja më ideale për zhdukjen e puçrrave ngacmuese. Falë përbërësve të saj, ajo redukton skuqjen dhe korrigjon të metat e lëkurës.

Maskë me aspirinë për përdorim lokal:

Përzieni 1 tabletë aspirinë në gjysmë luge (supe) ujë, derisa të tretet. Kur aspirina tretet në ujë shndërrohet në një lloj paste të kokërrizuar. Në vazhdim aplikojeni mbi puçërr duke e lënë për 10-15 minuta. Shplahuni me ujë të bollshëm duke fërkuar ngadalë pjesën e acaruar me kokërrizat e aspirinës. Mos e aplikoni maskën pranë syve ose flegrave të hundës.

Maskë me aspirinë për fytyrë:

Pasi të keni tretur 1 tabletë aspirine në gjysmë luge (supe) ujë, përzieni bashkë pastën e krijuar, 1 lugë kos, 1 lugë vaj ulliri ose 1 lugë alo vera. Trazojini mirë dhe pastaj aplikoni maskën në fytyrë të pastër, lereni të veprojë për rreth 20 minuta, pastaj shpëlahuni me ujë të vakët duke bërë paraleleisht masazh të lehtë në pjesët problematike.

Sekrete shtesë:

- Kur bëni maskë me aspirinë shmangni ekspozimin në diell.

- Ju që keni lëkurë të thatë, mos e aplikoni maskën në të gjithë fytyrën, por vetëm mbi çdo puçërr.

- Ju që vuani nga aknet, para se të përdorni maskën, vizitoni një dermatolog për këshillim.

- Ju që keni lëkurë të ndjeshme, testojeni më parë maskën në një pjesë të lëkurës, jo në të gjithë sipërfaqen e saj. Në qoftë se ndieni djegie ose skuqje shplahuni me ujë të bollshëm dhe mos e përdorni më.

- Ju që jeni alergjike ndaj aspirinës, MOS E PROVONI FARE/AlbStroka.com/

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top