You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » FUND… kufizimeve!

FUND… kufizimeve!

© Lorena Stroka

 Fjala “kufizim” – nuk është e keqe, as të pengon të luftosh për çdo mundësi që del në rrugën tënde. Kufizimet janë të domosdoshme për gjithkënd, të ndihmojnë të kuptosh se sa mund të përballosh, dhe se sa gjëra je në gjendje të tolerosh. Vetëm kështu do të kesh qetësi shpirtërore dhe ndërgjegje të pastër.

E di ku nuk duhen kufizimet? Në dëshira… Të tjerët gjithmonë do mundohen të t’i vënë në dukje, duke të thënë se synon shumë, s’do arrish dot gjë etj… por siç e kam thënë edhe më parë, po nuk besove ti te e pamundura, ajo s’do të bëhet kurrë e mundur, shpirti yt do të qëndrojë gjithmonë brenda gardheve, nuk do të udhëtojë kurrë, dhe më e keqja, do të mbetet pa ëndrra, pa shpresa, pa asgjë…

Dhe në fund të fundit, cilët janë këta “të tjerët” që na thonë njërën e tjetrën?! Në jetë dëgjoji të gjithë, por mos vepro sipas tyre. Ti duhet të vendosësh vetë për jetën tënde. Jean Paul-Sartre thoshte: “Ferri janë të tjerët!” Më saktësisht ferr është t’i urdhërohesh mendimit të të tjerëve. Mos harro, jeta është e jotja, çastet janë të tuat, gjithçka është e jotja. Akoma dhe nëse gabon, mos ki frikë, askush s’do të të gjykojë… E di pse? Se askush s’është i denjë ta bëjë atë… Njeriu më i plotë për mua është ai që arrin të pajtohet me faktin që njeriu gabon, por dhe që mëson diçka nga gabimet e së shkuarës… Gabimi që përsëritet, nuk është më gabim, por dorëzim, madje i keq…

Mos i lejo të tjerët, por dhe frikën ndaj tyre të përcaktojnë jetën tënde, fatin tënd, të ardhmen tënde. Jeto, duaj ato që bën, duaj ata që e meritojnë, thuaju atë që ndjen, buzëqesh, ëndërro, sado e çmendur të jetë ajo që do. Theyje “ekranin” e ndrojtjes, dil jashtë, rrëmbe mundësitë që të jepen në jetë… Bota është shumë e bukur, sidomos kur do ta jetosh vërtet dhe me pak “çmenduri”./AlbStroka.com/

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top