You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » Erisiktoni

Erisiktoni

Shkëputur nga libri: “Mitologjia, filozofët dhe poetët e lashtë Grekë (I)“.

Erisiktoni njihet si djali mitik i Mirmidonës dhe nipi i zotit Posedon. Erisiktoni si një ndër personazhet më të njohur të Greqisë së lashtë, fatkeqësisht  veç për shpërfilljen që tregonte ndaj zotave, nuk ndalte së provokuari. Një mëngjes të ftohtë dimëror, i shoqëruar nga njëzetë skllevër-shërbëtorë mori rrugën drejt alsosit që pellazgët kishin ndërtuar në shenjë nderimi ndaj hyjnisë Demetra. Sapo mbërriti, vështroi përreth, dhe me qëndrim tejet përbuzës i urdhëroi  të rrafshonin çdo gjë që u dilte përpara, me qëllim që në vendin e tyre të ndërtonte një pallat madhështor, ku të hante e  të pinte me miqtë e vet. Mes pemëve të dendura ndodhej dhe një plep i madh (pema e preferuar e Demetrës). Plep i cili nuk ishte aspak i rastësishëm, thuhej se përreth tij nimfat Driade këndonin këngë të bukura dhe  realizonin vallet e tyre magjike. Por Erisiktoni që shquhej për kokëfortësi dhe  arrogancë absolute,  jo vetëm nuk e ndali punën e tij shkatërruese para pemës së shenjtë, por nisi të shfaqte dhe egërsi të pazakontë. Kështu, mori sëpatën dhe iu përvesh punës, sapo presa e sëpatës preku lëvoren e plepit, para tyre u shfaqë priftëresha e Demetrës, Nikipi, e cila ishte vetë ajo e maskuar. Priftëresha u mundua t’i bindte që të mos vazhdonin prerjen e  mëtejshme  të pemëve, por Erisiktoni e kërcënoi me kazmën e vet duke i thënë:

- “Në qoftë se nuk largohesh prej këtej, jam i detyruar të të çaj kokën në dysh”.

Atëherë, hyjnesha vendosi të zbulonte fytyrën e vërtetë që fshihej pas  maskimit të qëllimshëm,  u shfaq pra me të gjithë madhështinë e saj hyjnore. Skllevërit u shpërndanë ca andej – këndej, të tmerruar nga frika e ndëshkimit. Por Demetra zemërbutë ndjeu mëshirë për ta dhe i la të largoheshin, pa u prekur asnjë fije floku, ndërsa të parespektshmin Erisikton, e dënoi me polifagji të përhershme.

Qysh nga ai çast Erisiktoni nisi të hante si i babëzitur çdo gjë që i dilte përpara. Pasi përlau ç’gjeti, filloi të bridhte rrugëve duke rrëmbyer nga njerëzit e thjeshtë gjithë kafshët që kishin për flijime. Prindërit fatkeqë nuk dinin se si ta ndihmonin, gjëma që  i kishte gjetur nuk kishte të shkuar.  Për këtë, i ati i tij shkoi te Posedoni dhe kërkoi që t’i çlironte  nga dënimi që i kishte shkatërruar familjarisht, por Posedoni i tha se një gjë e tillë ishte e pamundur. Ditët kalonin dhe Erisiktoni torturohej gjithnjë e më shumë nga uria. Shiti akoma dhe të bijën për të blerë ushqime (pozitivja është që s’e hëngri edhe atë – siç kishte vepruar me shumë të tjerë). Por Mistra (e bija) që ishte magjistare, u kthye në shtëpi dhe iu ripërgjërua Posedonit. Zoti, duke mos mundur ta ndihmonte i fali dhuntinë që të shndërrohej në kafshë të ndryshme duke iu shmangur kështu babëzisë së papëmbajtur të të atit.  Sipas një varianti tjetër, Mistra, edhe pse shpesh herë shndërrohej në kafshë e shitej me  qëllim që të ushqente të atin fatkeqësisht nuk ia doli dot mbanë. Në fund Erisiktoni, duke mos pasur më asgjë për të ngrënë, filloi të hante veten, derisa vdiq…

Miti i Erisiktonit u studiua nga shumë poetë dhe mitografë të lashtë si, Kalimaku në himnin e tij “Të tetë ndaj Demetrës”, Apollodori, Nikofroni, Nikandrosi dhe Ovidi.

© 2010  Lorena Stroka: Ndalohet çdo ribotim i pa autorizuar.

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top