You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » EDIPI

EDIPI

Shkëputur nga libri: “MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË (I)”

E kush mund ta pengojë apo ndryshojë fatin e shkruar? ASKUSH! Disa gjëra mbeten të palëvizshme, të parashikuara dhe të parikthyeshme. A ekziston jetë më e dhimbshme dhe dëshpëruese se sa ajo që fati i rezervoi Edipit, qysh nga çasti që lindi dhe deri sa mbylli sytë njëherë e përgjithmonë? Mendoj se jo! Edipi, përbën një ndër historitë më rrëqethëse të mitologjisë së lashtë Greke. Diku këtu më duhet të rrëfej historinë e tij tragjike, peripecitë e të cilit, do të prekin padyshim shpirtrat e ndjeshëm të adhuruesve të mitologjisë Greke.  Për të qenë sa më e përpiktë në rrëfimin tim, më duhet ta shtjelloj ngjarjen qysh nga gjenerata e Labdakëve, nga mbreti i Tebës. Labdaku, ishte i biri i Polidorit dhe nip i Kadmit. U martua me Niktidën, me të cilën bëri një djalë, Laiosin, që e pasoi në fronin e Tebës.  Vitet kalonin  dhe Laiosi rritej, kur erdhi koha për të krijuar familje vendosi të martohej me Jokastën, të bijën e Menoikeut, dhe të motrën e Kreontit, anëtarë të familjes mbretërore të Tebës. Qysh nga ajo martesë, të këqijat dhe mbrapshtësitë filluan të trokisnin njëra pas tjetrës. Pas martesës me Jokastën, Laiosi deshi të mësonte të ardhmen e vet. Orakulli, i zbuloi se do të lindte një djalë, i cili më vonë do ta vriste dhe do të martohej me të ëmën. Parashikim i çuditshëm dhe tepër shqetësues! Sapo u kthye në pallatin e tij mbretëror, Laiosi deshi ta largonte atë kërcënim të tmerrshëm. Pas pak muajsh erdhi në jetë i biri i tyre. I ati e dorëzoi menjëherë në duart e ushtarit më të besuar  foshnjen e porsalindur, me qëllim vrasjen e tij. Për të ekzekutuar urdhërin mbretëror, ushtari e solli fëmijën në Kitheronë, në malin e krahinës. Gjatë rrugës, duke dëgjuar të qarat e djalit të vogël, ndjeu keqardhje, dhe nuk guxoi ta vriste. I lidhi veç këmbët me një copë kulmak dhe e vari në një pemë në majë të malit. Fati deshi që në ato anë të kalonte rastësisht një bari i mbretit të Korinthit, i cili kishte hipur mbi kalë dhe kulloste bagëtitë e tij. Kështu bariu dëgjoi të qarat që të këpusnin shpirtin, u afrua, pa foshnjen, e zgjidhi, dhe pa e ditur se kush e kishte braktisur atje në mes të askundit e ushqeu për disa ditë me qumështin e dhënëve që ruante. Më vonë, e solli bashkë me dhëntë në Korinth. Mbretëresha Meropi, e cila nuk bënte fëmijë, e mbajti dhe e rriti si të ishte i saj. Por nga që nuk e dinte se si e quanin e pagëzoi “Ιdhipodha”, që do të thotë  “njeri më këmbë të enjtura”…  E rriti me dashuri dhe e bëri një princ të vërtetë. Kur u rrit, Edipi, njëlloj si i ati i tij i vërtetë shkoi tek Orakulli i Delfëve, për të mësuar fatin e tij të ardhshëm. Pithia, pa dashur t’ι zbulonte sekretin në lidhje me lindjen dhe prindërit e tij të vërtetë, i tha:

- “Do të bëhesh vrasësi i atit tënd, dhe bashkëshort i ardhshëm i nënës tënde!”

Në dëgjimin e parashikimeve të frikshme, Edipi, nuk guxoi të kthehej në Korinth, pasi u trembë se mos vriste Polibin, mbretin, që e konsideronte prind. Iku nga Delfët, dhe shkoi drejt Biotisë. Por në një kryqëzim rruge, një i panjohur, me stil gjithë paturpësi, i kërkoi që të kalonte i pari me qerre. Shpirti krenar i Edipit, ngriti krye dhe refuzoi të pranonte. I huaji, e kërcënoi. Por Edipi mundi t’i shmangej, dhe kundërshtari priti goditjen vdekjeprurëse. I panjohuri vdiq para këmbëve të Edipit, dhe ishte i ati i tij i vërtetë, Laiosi!

SFINKSI

Edipi, vazhdoi rrugën e vet, pa i dhenë shumë rëndësi episodit të ndodhur pak më parë. Mbërriti kështu në portat e Tebës, ku u përballë me banorët e shqetësuar dhe të tronditur. Ishte e pamundur të hynte apo të dilte njeri nga qyteti i tyre, në qoftë se më parë nuk zbriste nga Kitherona një përbindësh i tmerrshëm. Përbindëshi në fjalë, kishte fytyrë dhe gjoks gruaje, thonjë luani, trup qeni, bisht dragoi dhe krahë të  gjerë… Kafsha e çuditshme, i ndalonte të gjithë udhëtarët dhe nuk i linte të kalonin nëse më parë nuk i zgjidhnin enigmën që u thoshte:

Pasuesi i Laiosit dhe vëllai i Jokastës, Kreonti, kishte shpallur, se ai që do të vriste përbindëshin, Sfinksin – siç quhej – do të martohej me mbretëreshën. Ofroi si dhuratë akoma dhe kurorën e vet.  Si për çudi  të gjithë ata që ishin shfaqur para Sfinksit, jo vetëm nuk kishin arritur ta zgjidhnin enigmën, por as ishin dukur më në faqen e dheut. Të gjithë i kishte shqyer përbindëshi me thonjtë e vet, i kishte coptuar, dhe eshtrat e tyre gjendeshin të shpërndara përreth Tebës. I ndodhur përballë kësaj gjendjeje, Edipi, vendosi të shkonte pranë Sfinksit. Cila ishte pra, enigma e famshme? Për ta mësuar shkoi me kokën lart drejt rrugës fatale…

Sapo e pa Sfinksi, shtriu krahët e  gjerë skrop të zinj, klithi frikshëm, duke thënë  kërcënueshëm:

-         “Ndalo, dhe përgjigjmu!”

-         “Ç’përgjigje pret?”

-         “Të më thuash, se cila kafshë është ajo që në mëngjes ecën me katër këmbë, në drekë me dy dhe në darkë me tre?”

-         “Do të të përgjigjem? Në rregull, por kur të më dëgjosh, do të trembesh, dhe do përgatitesh për të vdekur! Bërtiti Edipi. Kafsha në fjalë, është njeriu! Në fillim të jetës së tij, domethënë në mëngjes, përdorë duart dhe këmbët për të ecur. Në mes të jetës së tij – në drekë – këmbët i janë të mjaftueshme. Dhe kur vjen darka, domethënë pleqëria, merr dhe bastunin, për ndihmë…

“U kënaqe? Tani je në në mëshirën time!” Edipi u drejtua me shpatën e ngritur lart. Por Sfinksi hapi gjerësisht krahët e veta, klithi, u hodh me hov nga cepi i malit të lartë drejt e në humnerë.  Banorët e Tebës e sollën Edipin në qytetin e tyre triumfues. Kreonti e mbajti fjalën e dhënë. Fituesi do të fitonte stemën dhe do të martohej me Jokastën. Në këtë mënyrë, u vërtetua dhe profecia e dytë e Pithias: Edipi u martua me të ëmën!

Por sapo u bë edhe krimi i dytë, zotat u zemëruan shumë, dhe një sëmundje e tmerrshme mbërtheu të gjithë qytetin. Njerëzit dhe kafshët vdisnin  duke u dorëzuar pamëshirësisht në duart e murtajës. Frutat thaheshin dhe në tokë nuk mbinte më asgjë. Ngaqë asnjeri nuk e dinte se nga rrjedhonin këto mbrapshtësi dhe se cili ishte shkaktari i tyre. Edipi, kërkoi sërish ndihmën e Orakullit.

-         “Vrasësi i Laiosit ende nuk ishte ndëshkuar, i shpjegoi Pithia. E keqja do të ndalojë vetëm kur të zbulohet dhe ndëshkohet ai”.

Duhej të gjendej në çdo mënyrë njeriu që përgjegjësohej për katrahurin në vend. Jeta dhe lumturia e Tebës vareshin nga ndëshkimi i tij, dhe Edipi si mbrojtës dhe udhëheqës i qytetit duhej t’i vinte gjerat në vendin e tyre.

Thirri pra orakullin e dëgjuar Tiresia. Por ai nguronte t’i zbulonte të vërtetën e frikshme. Edipi e bindi, e kërcënoi, dhe e imponoi që të fliste. Sekretet e tmerrshme, morën fund, gjithçka u zbulua!

-        “ Vrasësi je ti vetë!”

Atëherë Edipi kuptoi se gruaja që kishte në krah, domethënë mbretëresha, ishte e njëjta grua që e kishte sjellë në jetë!

Para zbulimit rrëqethës, Jokasta e dëshpëruar nga rrjedha e ngjarjes u mbyt me rripin e saj. Edipi, i turpëruar që vazhdonte të shihte ende dritën e ditës, rrëmbeu karficën e rrobave dhe nxorri sytë e tij.

ANTIGONA

Kreonti, edhe pse fillimisht kishte treguar përkrahje ndaj Edipit nën presionin e të bijëve të tij (Eteoklit dhe Polinikut), por edhe të banorëve të tjerë të qytetit,  u detyrua ta përzinte nga Teba  si kriminel dhe njeri të pavlerë. I verbëri fatkeq, brodhi nga qyteti në qytet, i dëbuar nga të gjithë, i shoqëruar gjithmonë nga e bija e tij e dashur Antigona. Kështu, një ditë mbërriti në Kolono të Atikës, dhe pak kohë më vonë përfundoi ditët e tij në Kitheronë./AlbStroka.com/

© 2010 Lorena Stroka

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top