You Are Here: Home » Mjekësi » Duhanpirja kundër IQ (treguesit të inteligjencës)

Duhanpirja kundër IQ (treguesit të inteligjencës)

Nga Lorena Stroka

Duhanpirësit kanë IQ më të ulët se jo-duhanpirësit, dhe sa më shumë duhan që të pijë dikush aq më i ulët do të jetë treguesi i inteligjencës së tij, të paktën këtë gjë tregoi studimi që u realizua tek 20. 000 ushtarë Izraelitë. Të rinjtë që pinin mbi 1 paketë cigaresh në ditë kishin 7.7 pikë IQ më të ulët në krahasim me jo-duhanpirësit, zbuloi Dr. Mark Weiser nga Sheba Medical Center, në Tel Hahomer. Adoleshentët me IQ më të varfër mund të vihen në shënjestër të programeve që do të synojnë parandalimin e duhanpirjes. Megjithëse ekzistojnë indikacione lidhjeje midis duhanpirjes dhe IQ së ulët, shumë hulumtime janë bazuar në teste zgjuarësie që u realizuan gjatë periudhës fëminore dhe kanë përfshirë gjithashtu individë me probleme shëndetësore dhe sjelljeje, që mundësisht pijnë duhan dhe kanë IQ të ulët, thekson ekipi i Weiser. Hulumtuesit ekzaminuan 20. 211 të rinjë, 18 vjeçarë ushtarë Izraelitë. Grupi nuk përfshinte askënd me probleme serioze të shëndetit mendor. Sipas kërkuesëve, 28% e pjesëmarrësve në sondazh pinin të paktën 1 cigare në ditë, 3% e tyre ishin ish-duhanpirës dhe 68% e të rinjëve nuk kishin provuar kurrë cigare. Duhanpirësit ishin më pak të aftë ndaj testeve të inteligjencës në krahasim me jo-duhanpirësit dhe po e njëjta gjë ndodhte akoma edhe kur hulumtuesit merrnin parasysh nivelin socio-ekonomik siç u mat në bazë të viteve të studimeve që kishte plotësuar i ati i vullnetarëve. IQ mesatare për jo-duhanpirësit ishte rreth 101, ndërsa për meshkujt që kishin filluar duhanpirjen para moshës 18 vjeç ishte veç 94. IQ ndiqte rënie të qëndrueshme ndërsa rritej numri i cigareve, nga 98 tek njerëzit që pinin nga 1 deri në 5 cigare në ditë arrinte deri në 90 te të tjerët që pinin një paketë në ditë. IQ që variojnë nga 86 deri në 116 konsiderohen se tregojnë inteligjencë mesatare. Pjesëmarrësve nuk u lejohet të pijnë duhan para se t’i nënshtrohen testit të inteligjencës, bëjnë të ditur hulumtuesit, mundësisht simptomat e mungesës së duhanit ndikojnë në uljen e pikëve. Për të trajtuar çështjen, testuan gjithashtu IQ tek meshkujt që nuk kishin  pirë duhan para moshës 18 vjeç, por vetëm gjatë shërbimit ushtarak. Këta individë kishin gjithashtu IQ të ulët në krahasim me ata që nuk kishin provuar kurrë duhan në jetën e tyre, duke treguar kështu se mungesa e nikotinit ndoshta nuk ishte shkaku i ndryshimit. Hulumtuesit bashkë-krahasuan IQ e 70 vëllezërve ku njëri vëlla ishte duhanpirës dhe tjetri jo. Më pas, konstatuan se vëllezërit që nuk pinin cigare kishin IQ më të lartë se të tjerët që ishin duhanpirës të rregullt. Zbulimet tregojnë se njerëzit me IQ të ulët kanë më shumë probabilitete për të zgjedhur duhanpirjen, pavarësisht se ajo i bën më pak inteligjentë, përfundoi ekipi hulumtues.

© 2010 Ndalohet ribotimi i shkrimit pa lejen e autores.

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top