You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » Diogjeni, një filozof i veçantë!

Diogjeni, një filozof i veçantë!

Shkëputur nga libri: “Mitologjia, filozofët dhe poetët e lashtë Grekë (I)”.

Diogjeni lindi në Sinop, në vitin 413 p.e.r., në krahasim me filozofët e tjerë kishte karakter të veçantë, këtë gjë do ta vërtetoni përmes rasteve të mëposhtme.  Mësimet e para i kishte marrë pranë Antisthenesit. Dikur bashkëmoshatarët e tij e ftuan të shëtisnin së bashku. Refuzoi me aq ngulm, sa mësuesi i tij nuk nguroi ta kërcënonte me shkop. Dhe atëherë, ai i tha se druri nuk do ta bënte të ikte, dhe se as që i dridhej qerpiku.

Kur u rrit, shpërfilli akoma dhe “lukset” më të vogla. Dimër, behar jetonte në natyrë, duke u ushqyer me ç’i dilte para. Një ditë vendosi t’i shkruante një mikut të tij, të cilit i kërkonte t’i gjente një shtëpi. Kur ai u vonua t’i përgjigjej, Diogjeni gjeti zgjidhje tjetër për strehim, një vozë. Madje brenda saj kaloi të gjithë jetën e tij.

Jetonte i qetë, pa i dhënë rëndësi mendimit të të tjerëve. Një ditë, pa një fëmijë në çezmë tek pinte ujë me grushte. Menjëherë, flaku përtokë kupën që mbante në duar, dhe nisi të bënte njëlloj si ai – duke thënë se pse s’i kishte shkuar ndërmend më parë.

Akoma dhe Aleksandri i Madh, pushtuesi i gjithë botës, nuk arriti të fitonte adhurimin e tij.

Duke dashur të njihte filozofin e shumë-dëgjuar, Aleksandri vendosi ta takonte nga afër. Pasi mbërriti në vend, banorët e drejtuan te voza ku ai jetonte. Porsa ndali këmbët para strehës së varfër, tepër i qetë, pavarësht se para syve kishte mbretin, Diogjeni, i hoqi vërejtje: “Mos më privo të vetmen gjë që nuk mund të më japësh: Diellin”. Dhe në të vërtetë Aleksandri i kishte zënë diellin me trupin e tij. Pra, siç e shihni, akoma dhe para mbretit, Diogjeni ish vetvetja.

Një ditë, kur tregu i Athinës ishte plot me njerëz, Diogjeni hipi mbi një gur dhe filloi të thërriste fort: “Ejani njerëz, ejani të më dëgjoni”. Në dëgjimin e thirrjes turma të tëra rendën ta dëgjonin nga afër se ç’kishte për të thënë, por shpërfillës si gjithmonë ai vazhdoi të thërriste. Atëherë, ata që qenë mbledhur përreth tij e pyetën se ç’donte: “Dua të më dëgjojnë njerëz të vërtetë, jo ndyrësira”, u përgjigj.

Një herë tjetër, kur e panë me kandil të ndezur në mesin e ditës dhe e pyetën se ç’kërkonte, ai u përgjigj: “Kërkoj të gjej një njeri”. Filozofi mendonte se pak njerëz e meritonin të quheshin të tillë, prandaj dhe ata që vlerësonte ishin akoma më të paktë.

Kur ishte pranë vdekjes (323 p.e.s.,) nxënësit e tij e pyetën se ku donte ta varrosnin. “Askund, më lini të pavarrosur, u tha ai”. “Kjo ështe e pamundur”, ngulmuan ata,  “kafshët e egra kanë për të të shqyer”. Ai u kërkoi veç një shkop përkrah tij. Nxënësit e pyetën: “Po pse e do shkopin një i vdekur?“. Atëherë, Diogjeni u tha: “Ashtu si kafshët e egra nuk do të trembeshin nga shkopi i tij, as ai nuk do të frikësohej nga dhëmbët e tyre, akoma dhe i vdekur”.

© Lorena Stroka: Ndalohet ribotimi i shkrimit pa autorizimin e autores.

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top