You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » DASHURI SI SHI…

DASHURI SI SHI…

Përktheu: Lorena Stroka, MA in Specialised Translation

Dashuri si shi…
Jo si stuhi, si shi…
Të shkojë e të vijë…
Herë rrëmbyeshëm, herë butësisht…
Të freskojë e të mbysë…
Të përthithet nga toka, të humbasë…
 
Si jetova kështu? Pse pranova diçka gjysmake? Pse u mundova ta mbaja në duar, kur e dija që do më jepte vetëm një iluzion freskie dhe pastaj do më linte më të etur se më parë, me buzë të thara dhe zemër copë?
 
Si pranova të plotësoja shiun me lotët e mi, për diçka që e dija që ish e kotë? Për netë me rradhë pashë mijëra perëndime vetëm, dielli zhytej në asgjë dhe unë mbytesha në vetmi… Dëgjova qindra rrufe, dhe më frikësuan më pak se heshtja e jetës sime të zbrazët…
 U mora erë mijëra luleve, por aroma e tyre nuk përmbyti jetën pa aromë që “dashuria si shi” më dënoi të jetoja…
Shijova dhjetra gjellëra, por vetëm hidhërim mbeti në buzët e mia.
 
E preka butësisht të tërin, ruajta në kujtesën time çdo centimetër të trupit të tij, përqafoja veten kur ndieja vetmi, me iluzionin se ishte ai që më përkëdhelte, duke e pasur në majat e gishtave të mi.
 
Në fillim të jetës sime qesha me zë të lartë dhe vazhdova të qesh nga zakoni që më qe bërë, edhe pse sytë e mi s’morën kurrë ngjyrën e buzëqeshjes që më pikturohej në fytyrë, asgjë s’e ngrohte më shpirtin im…
Qava shumë, për dy jetë, nga dëshpërimi dhe dëshira e madhe për dikë që mu afrua për të më treguar se lumturia është çaste. Vetëm çaste…
 
Dhe më të shumtat të vjedhura…
 
Pikturova me ngjyra të ndritshme çastet që isha me të, por realiteti veniste pikturat e mia kur nuk i zhyste në ngjyrën e dëshpërimit. Në mijëra letra shkrova “Të dua”  dhe pastaj i grisa menjëherë, duke i flakur përreth meje, ashtu si jetën time…
U lëndova, u gjakosa, në të njëjtën kohë isha bërë burim dhembjeje edhe për dikë tjetër që vuante po aq sa unë…
Injorova dashurinë sepse nuk përputhej me kushtet e mia…
 
E dënova veten me vetmi, duke u arratisur nga rrugët ku mund të të takoja, zgjodha të ikja unë “e forta”, në çastin kur dobësia për të të fituar ishte shkruar në oksigjenin që unë thithja.
 
Dhe pastaj… u pendova…
U ktheva të kërkoja në të shkuarën atë që më mungonte në të tashmen, por aty nuk kishte asgjë për mua…
 
Dashuria e vërtetë kishte shkuar…
E kisha përzënë unë…
Kisha përzënë atë që ia vlente dhe kisha mbajtur asgjënë…
 
Ndëshkim i drejtë…

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top