You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » ÇFARË JANË TOPTHAT “MAGJIKË”, SI PËRGATITEN DHE PËRSE SHËRBEJNË?

ÇFARË JANË TOPTHAT “MAGJIKË”, SI PËRGATITEN DHE PËRSE SHËRBEJNË?

albstroka-blog-lorena-stroka-foto-biografia-toptha-banjoje© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Në piramidën time ushqimore, zakonisht mund të gjesh gjithçka tjetër përveç mishit të lopës, deles, dhisë, lepurit, brumërave dhe ëmbëlsirave! Në fakt, kështu siç i kam renditur duket sikur janë shumë ato që nuk më pëlqejnë, por, po të filloj e të citoj ato që konsumoj, besomëni do të habiteni vërtet. Mirëpo, këtu e disa javë, po përballem me diçka të pandjerë më parë, me një neps për ëmbëlsirat me sherbet…

Së paku 2-3 herë në javë unë ndjek të njëjtin rrugëtim për të shkuar te biblioteka e zonës ku jetoj. Marr një kafe me vete, një bllok shënimesh dhe disa të holla për të blerë ujë ose ndonjë gjë tjetër që mund të më nevojitet. Jo shumë larg ndërtesës së bibliotekës është çelur një ëmbëltore me vitrina mahnitëse, aq tunduese, sa një ditë prej ditësh më bënë të vizitoja nga afër mjediset e brendshme. Mjaftoi ajo ditë që unë të mos shkëputesha më prej andej, për së paku një javë rresht, blija e konsumoja nga një copë të madhe ëmbëlsirë. S’e kam të lehtë ta përshkruaj me fjalë, por, një forcë e panjohur më shtynte pa e kuptuar, derisa një pasdite teksa po përgatitesha për të dalë, vendosa të mos ta përsërisja më kurrë atë mëkat aq… të ëmbël.

S’besoj të jem e vetmja, me siguri edhe ndonjërës apo ndonjërit prej jush mund t’i ketë qëlluar diçka e tillë!

nejse…

Ngaqë gjithmonë flasim për receta maskash e kremrash, sot mendova t’ju sjell diçka të re, krejt të ndryshme nga të tjerat. Çfarë keni dëgjuar për topthat hidratues, për ato masat “magjike” që ruajnë e nxisin njëtrajtësimin e tonit të lëkurës? Në qoftë se nuk dini asgjë për to, atëherë ju ftoj të përvishni mëngët dhe të fillojmë t’i përgatisim së bashku:

Përbërësit

400 gr biokarbonat natriumi

200 gr acid citrik

1 lugë çaj kamomil të tharë

1 lugë çaj gjalpë kakao

10 pika vaj esencial kamomil romak

5 pika vaj esencial livando

Përgatitja

Në një tas përzieni mirë së bashku biokarbonatin e natriumit, acidin citrik dhe kamomilin e tharë. Ndërkohë, në një enë tjetër shkrini gjalpin e kakaos. Në vazhdim, shtoni (gjalpin) te përzierja e parë bashkë me vajrat esencialë dhe vijoni me përzierjen, derisa të krijohet një masë homogjene, as e lëngët dhe as e ngurtë shumë, me qëllim që të mund t’i jepni formën që dëshironi (për ta arritur këtë, përdorni një shishe spray me 1 lugë çaj ujë). Mandej, formoni me duar disa toptha të vegjël dhe vendosini te mbajtëset e akullit (vajosini para përdorimit). Lerini në frigorifer rreth 2 orë, pastaj hiqini me kujdes, ngjitini gjysmat bashkë në formë topthi dhe ruajini në një vend të thatë e të errët. Sa herë që lani trupin, hidhni në vaskën e mbushur me ujë një topth magjik dhe zhytuni në të.

*Procesi i brumosjes nuk duhet kryer PA syze mbrojtëse!

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2016 AlbStroka.com

Scroll to top