You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » ÇFARË HANIN LUFTËTARËT SPARTIATË?

ÇFARË HANIN LUFTËTARËT SPARTIATË?

Shkëputur nga libri: MITOLOGJIA, FILOZOFËT DHE POETËT E LASHTË GREKË (I) – Lorena Stroka

Në dëgjimin e emrit të Spartës, gjëja e parë që të vjen në mend është Leonida bashkë me 300 luftëtarët e tij… Spartiatët ishin padyshim luftëtarët më të përgatitur të Greqisë së Vjetër. Qysh në vegjëli përgatiteshin nga më të rriturit se si të mbijetonin në rrethana të vështira. Stërvitja trupore ishte pjesë e përditshmërisë së tyre, fillonin në mëngjes dhe vazhdonin deri natën vonë. Gjatë kësaj kohe nënat  kujdeseshin për ushqyerjen e tyre të shëndetshme. Në tryezat e familjeve spartiate mbizotëronte bollëku dhe recetat tradicionale.

Ushqimi kryesor i tyre ishte një lloj supe me lëng e mish derri, që njihej ndryshe me emrin Melas Zomos.

Sipas Plutarkut, midis gjellërave të parapëlqyera të Spartiatëve ishte dhe melas zomos, shija e saj ishte aq e veçantë dhe e mirë sa të moshuarit konsumonin vetëm lëngun dhe mishin e linin për të rinjtë. Për pjesën tjetër të Grekëve, melas zomos, ishte një dukuri e çuditshme. Gjella në fjalë përbëhej nga mishi i derrit, kripa, uthulla dhe gjaku. Gjithashtu, shoqërohej nga masa e njohur, fiq, djathë, mish shpendësh ose peshk.

Aeliani, shkrimtar i njohur i shekullit të I dhe II e.r., përmend në shkrimet e tij se kuzhinierëve të Lakonisë nuk u lejohej të gatuanin asgjë tjetër përveç mishit.

Konsumi i supës me lëng e mish derri bëhej qysh në kohën e mbretit të Lakedemonisë, Likurgut, në shek. VIII p.e.r. Gjatë asaj periudhe, ushtarët dhe populli bashkoheshin për ta shijuar në pikat ku shpërndaheshin racione ushqimore. Me urdhër të mbretit, therreshin qindra derra… Përgatitja e supës nuk ishte dhe aq e lehtë. Fillimisht, kuzhinierët mblidhnin gjakun e freskët dhe e përzienin me uthull  me qëllim që të mos mpiksej. Në vazhdim, fërgonin mishin dhe dhjamin, pastaj shtonin ujë. Sapo uji merrte valën e parë, hidhnin në të miellin, gjakun dhe uthullën. Ndërsa supa vlonte, shtonin sasira të vogla uji me qëllim që të mos hollohej apo trashej shumë. Kur gjella nuk thithte më ujë, do të thoshte se kishte zier dhe ish bërë gati për t’u shërbyer.

Melas Zomos, gjella me një histori të veçantë pas saj, nuk përdoret më në ditët tona./AlbStroka.com/

© Ndalohet ribotimi i pjesës së mësipërme pa autorizimin e autores.

www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top