You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » BOTA E PANJOHUR E DRUIDËVE

BOTA E PANJOHUR E DRUIDËVE

bota-e-druideve-lorena-stroka-facebook-biografia-wikipedia-shkrimtare-gazetare-albstroka-blog-1Nga Lorena Stroka

Legjendat, preparatet popullore, misticizmi dhe natyralizmi janë vetëm disa prej elementëve që plotësojnë imazhin e Druidëve, një bashkësie mistike të Epokës së Hekurit, në një shkrirje fantazie dhe historie.

Fjala Druidë e ka prejardhjen nga sanskrishtja dhe do të thotë Lis. Në frëngjisht Druiah ka domethënien e njeriut të mençur. Ndërsa në traditën keltike kishte kuptimin e mendimtarit të lisit.

Të dhënat mbi Druidët janë të kufizuara, për shkak të mungesës së shkrimeve apo dokumente relative. Gjithçka që dimë për ta, është mundësuar nga referencat e autorëve të lashtë heleno-romakë.

Nga shumëkush Druidizmi është cilësuar si udhë shpirtërore e filozofike për ithtarët e vet. Metodat e mësimdhënies së kësaj dogme nuk janë të qëndrueshme, por evoluojnë me kalimin  e kohës, në përputhje me frymën e çdo epoke, dhe kanë si qëllim udhëheqjen e njeriut për të kuptuar rrjedhën e jetës dhe qenësinë e tij në lidhje me botën.

Sa i përket prakticitetit ë Druidizmit, ruajtja e misticizmit të filozofisë përbënte kusht paraprak për secilin studiues që dëshironte të thellonte njohuritë e veta në të. Që dikush të fitonte titullin e druidistit të mirëfilltë, i duheshin së paku 20 vjet studim. Madje para çeljes së mësimdhënies, të gjithë pjesëmarrësit kryenin Betimin e Heshtjes, çka do të thoshte se gjithçka që shihej e thuhej brenda mureve të shkollës (nëse mund të quhej e tillë), ndalohej rreptësisht që të riprodhohej jashtë saj, në çfarëdolloj forme qoftë.

Pozita e Druidëve ishte e lartë, më sipërore se ajo e mbretit. Të gjitha veprimet kremtuese zhvilloheshin në pyje, ku Druidët thuhej se aty ushtronin aftësitë e tyre magjike. Mes tyre kishte shëronjës (diçka krejt e zakonshme për klerin e të tërave feve të lashta), të tjerë, me aftësi të mahnitshme për të lëvizur në heshtje, thuajse pa u vënë re, duke përdorur mjedisin natyror si mbulesë (fakt që i bënte të tjerët të besonin se hera-herës bëheshin të padukshëm), si dhe njohës të thellë të artit të vëzhgimit dhe të dukurive natyrore, në mënyrë që të parashikonin motin.

bota-e-druideve-lorena-stroka-facebook-biografia-wikipedia-shkrimtare-gazetare-albstroka-blog-2Besohet se përveç këtyre njohurive “shkencore”, Druidët njihnin për mrekulli dhe artet e fshehta, për shembull, falë përdorimit të vezës së reptilit, domethënë një topi të kristaltë, arrinin të largonin të nëmurat e rënda e të prishnin magji.

Shkrimtari romak, Plini, në një prej shkrimeve të tij në lidhje me ritualet e Druidëve, përmendte mbledhjen e veshtullave të lisit. Ditën e gjashtë të hënës së re, një prift i veshur me të bardha ngjitej majë lisit dhe me ndihmën e një drapëri të artë këpuste disa veshtulla, natyrisht pa i prekur përtokë, të cilat i përdorte më pas në shërbim të fertilitetit. Ky ritual, ndonëse i tjetërsuar mbijeton edhe sot, për shembull, gjatë periudhës së Krishtlindjes, në shumë vende të botës ndiqet zakoni i puthjes së çiftit nën një veshtull të varur, për rritje pjellorie.

Druidët besonin në pavdekësinë e shpirtit që pas vdekjes së trupit në të cilin strehohej, emigronte apo gjente strehë në një trup tjetër. Gjatë viteve romake, jo pak herë u përhapën fjalë të pathemelta, sipas të cilave Druidët nuk nguronin të flijonin njerëz në emër të dogmës së tyre, pavarësisht se më pas u dëshmua se këto lloj pëshpëritjesh ishin veç shpifje të qëllimta nga ana e romakëve për të fituar sa më shumë mbështetës në luftën kundër tyre.

bota-e-druideve-lorena-stroka-facebook-biografia-wikipedia-shkrimtare-gazetare-albstroka-blog-3Druidizmi nuk është një dogmë e vdekur, as e harruar ndër vite, përkundrazi vijon të jetë ende gjallë. Gjithsesi, dija okulite dhe sekretet me të thella cilësohen në masë të madhe të humbura. Përgjegjës për këtë humbje janë kryesisht romakët. Kur legjionet romake pushtuan qendrën fetare të druidëve në ishullin Keltik – Kështjellën Mona (jashtë Uellsit), therën të gjithë priftërinjtë e gjetur aty, si dhe shkatërruan kështjellën së bashku me shënimet themelore të dijes. Të vetmit Druidë që i mbijetuan kësaj masakre ishin ata që nuk gjendeshin atje. Por, për fat të keq, ata nuk ishin njohësit e sekreteve më të thella. E disi kështu u zhduk “zemra” e Druidizmit.

Ata që ngelën pas, u përpoqën me mish e me shpirt për të vazhduar misionin e përçimit të dijeve të paraardhësve te më të rinjtë, e rifituar njohuritë e humbura përmes studimit dhe kërkimit. Mirëpo, pak më vonë,  një goditje e re do t’i përkeqësonte gjërat edhe më shumë, Ndjekja e Shtrigave në Mesjetë, çoi fatalisht në humbjen e shumë druidëve.

Tipar karakteristik i druidizmit është respekti i gjithanshëm si dhe dashuria e pamatë që përfaqësuesit e tij tregojnë ndaj Natyrës. Druidët e sotëm nuk ngjasojnë me paraardhësit e tyre për shkak të mungesës së njohurive të lashta. Rrjedhimisht, kemi të bëjmë me një formë neodruidizmi që rropatet të mbush boshllëqet e krijuara ndër vite me ritualet e feve të tjera Pagane,  në mënyrë që të përputhen harmonikisht me fenë origjinale./albstroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top