You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » KREM DUARSH ME PETALE TRËNDAFILI, (EKSKLUZIVE)

KREM DUARSH ME PETALE TRËNDAFILI, (EKSKLUZIVE)

© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Vajza nuk e di nëse ju ka ndodhur ndonjëherë dhe juve, por pardje desh pësova pushim zemre nga turpi. Kisha shkuar në një dyqan rrobash për të blerë një fustan, kur papritur ndjeva një tip kërcitje në këmbë dhe desh rashë në dysheme, (imagjinoni dyqani ish plot me klientë). Ndaj dhe për të mos e dhënë veten, u përkula pak dhe nisa t’i flisja një vogëlusheje të vogël: “si të quajnë ty zemër që je kaq e bukur?”, (të cilën s’ma kishte zënë syri më parë). Për momentin, e mbulova, por puna ishte se si do dilja nga dyqani me takë të thyer sandaleje? Mirë që m’u dha të vishja pantallona të gjata atë ditë, se po të kisha qenë me fund do kisha lënë vërtet nam. Eh, me njëmijë të zeza, arrita deri tek dera, 5-10 hapa më tej më priste im shoq në makinë, hipa në të dhe s’e ktheva më kokën pas… Dreqi ta hajë… s’bleva dot dhe fustanin që më pëlqeu… Kaq lidhur me javën time të… sikletshme!

Tani për sa i përket shkrim të ditës, receta që kam zgjedhur për ju sot është tërësisht e veçantë nga të tjerat, e para, se është nga më të efektshmet për hidratimin, ripërtëritjen dhe zbutjen e lëkurës së duarve, dhe e dyta, se përbërësi kryesor i saj është trëndafili, ose më saktë, petalet e trëndafilit:

Përbërësit

2 lugë gjelle vaj ulliri

3 lugë gjelle dyll blete

1 grusht petale trëndafilash

8 lugë gjelle ujë trëndafili

2 kapsula vitaminë E

Përgatitja

Merrni dy enë zjarrduruese, në njërën, shkrini dyllin dhe në tjetrën, hidhni vajin e ullirit dhe petalet e trëndafilit. Këtë të dytën, lereni në zjarr të ulët për rreth 30 minuta. Pastaj, kulloni vajin, shtoni dyllin e shkrirë dhe ujin e trëndafilit duke i përzierë së bashku me rrahëse elektrike. Në fund, shtoni vitaminën E. Zbrazeni kremin në një vazo prej qelqi dhe ruajeni në vend të thatë e të freskët./AlbStroka.com/

Shihemi në shkrimin e radhës…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top