You Are Here: Home » Mjekësi » Seksologji » SA LLOJE TRADHTISH KA?

SA LLOJE TRADHTISH KA?

© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve kudoqofshi dhe me këdoqofshi…

Kur dy individë vendosin të martohen, ose gjenden në një lidhje serioze, pritshmëria themelore e të dyve është… ekskluziviteti. Të dy partnerët bien dakord të qëndrojnë besnikë ndaj njëri-tjetrit përgjatë gjithë jetës së tyre. Në shumë raste, mundësia e tradhtisë u duket aq e huaj dhe neveritëse, sa as si përfytyrim nuk e konceptojnë dot. Por çfarë ndodh kur ekskluziviteti nis të kërcënohet nga tradhtia…? Si shpjegohet tradhtia? Sa lloje tradhtish ka?

Pse tradhtojmë?

Shumë besojnë se arsyeja kryesore e tradhtisë është kërkimi gjetkë i kënaqësisë seksuale… Shkencërisht, kjo mendësi është hedhur poshtë… madje jo një, por disa herë. Akoma dhe në ato raste kur jeta seksuale e dy bashkëshortëve është e mirë, vërehen sjellje të ndryshme tradhtie.

Nevoja për të shpëtuar nga përditshmëria lodhëse, largësia sentimentale (jo seksuale), vetëbesimi i ulët, nxitësit e shfaqur mjedisorë, mungesa e bashkëbisedimit ndërtues etj., janë vetëm disa nga arsyet që lehtësisht mund ta shtyjnë njeriun në një tradhti të mundshme.

Sa lloje tradhtish ka?

Pjesa dërrmuese e tradhtarëve nuk e di as vetë se pse tradhton… Shpesh, ngatërron nevojën seksuale me atë emocionale, pa ditur se cila prej të dyjave e drejton në një veprim të tillë…

Tradhtia rastësore: Tradhti e rastit quhet ajo që kryhet në rrethana të veçanta, mund të ndodh një apo disa herë, vetëm dhe vetëm se të del në shteg. Zakonisht, tradhtarët e kësaj kategorie janë të dashuruar me parnerët e tyre dhe ndihen të fajshëm për veprimin e tyre.

Tradhtia romantike: Kjo lloj tradhtie është e organizuar, dhe ndodh kur njëri partner pushon së qeni i dashuruar me partnerin tjetër. Rrjedhimisht, kërkon të përjetojë ndjenja të forta erotike që brenda lidhjes/martesës janë zbehur ose kanë vdekur tërësisht. Këta individë rrallëherë guxojnë të largohen nga marrëdhënia e ligjshme, janë plotësisht të varuar nga opinioni publik apo detyrimet prindërore që mund të kenë…

 Tradhtia “e detyrueshme”: Në këtë kategori, hyjnë të gjithë ata  që e kanë të vështirë t’u rezistojnë sfidave seksuale, besojnë se po refuzuan do të jenë të papranueshëm shoqërisht. Me fjalë të tjera, kanë frikë se po nuk iu përgjigjën një provokimi seksual do të karakterizohen si të paaftë.

Tradhtia materialiste: Kjo lloj tradhtie është një variant kurvërie me pagesë, ku personi përdor marrëdhënien jashtëmartesore/të paligjshme për të përfituar financiarisht, profesionalisht apo materialisht.

Tradhtia emocionale: Në tradhtitë e kësaj natyre, fjalën e parë e ka bashkëbisedimi shpirtëror. Këto lidhje nuk përfshijnë marrëdhënie seksuale, por vetëm emocionale. Njëri i beson tjetrit gjithë jetën e tij dhe i zbulon aq sa partneri i ligjshëm injoron për të. Lidhje të tilla vërehen më shumë mes miqsh apo të njohurish./AlbStroka.com/

E nesërmja e tradhtisë…  A mund të kapërcehet ndonjëherë?

Tradhtia është një nga sjelljet më të vështira për t’u falur, duke qenë se një nga kushtet më themelore të lidhjeve është ekskluziviteti. Tani, për sa i përket mbijetesës së marrëdhënies pas një veprimi të tillë, ajo varet nga faktorë të ndryshëm dhe lloji i tradhtisë. Për shembull, tradhtari që ka humbur interesin romantik/emocional për partnerin e vet, është e kotë t’i jepet një mundësi e dytë, tradhtia do të përsëritet dhe lëndimi do të jetë i shumëfishtë

Një tjetër hap i rëndësishëm për kapërcimin e tradhtisë, (jo faljes/tradhtia është e pafalshme) është sipërmarrja e përgjegjësisë së individit që tradhton, pendimi i sinqertë dhe mirëkuptimi i gjendjes psikologjike të të tradhtuarit./AlbStroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2016 AlbStroka.com

Scroll to top