You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » SI TË KESH FLOKË TË SHËNDETSHME DHE VOLUMINOZE (ekskluzive)

SI TË KESH FLOKË TË SHËNDETSHME DHE VOLUMINOZE (ekskluzive)

© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Këtë fundjavë e kalova thuajse të gjithën jashtë shtëpisë. Përveç aparatit fotografik dhe një buzëkuqi nuk mora asgjë tjetër me vete. Bashkë me partnerin tim dhe një çift tjetër shkuam buzëdetit, bëmë shëtitjet tona, drekuam në një restorant aty afër dhe… muhabet… Biseduam gjatë, duke filluar nga kriza shoqërore dhe deri tek ajo politike (e kemi ne shqiptarët këtë, vdesim të bëjmë çikë politikë).  Dhe në fund, rinovuam takimin për fundjavën e ardhshme, sigurisht nuk do të frekuentojmë të njëjtin vend, të paktën këtë gjë na premtoi pala tjetër (meqenëse e morën ata përsipër daljen e rradhës).

Gjatë kohës që burrat tanë po flisnin për ndeshjen e fortë mes Atletico-s dhe Real Madrid-it, ne femrat, po flisnim për prirjet më të fundit të modës, sa në veshje po aq dhe në hair styling. Mikja ime e cila ka flokë të gjata dhe pak të dobëta, më tha se nuk është e kënaqur nga volumi i tyre, dhe se sa herë përgatitet për dalje, i del shpirti… gjithashtu nuk nguroi të më thoshte: “Ah, sa me fat je ti për flokët që ke!”

Vajza, po ju përsëris dhe juve atë që me dhjetra herë i kam thënë dhe asaj vetë: Mos i shkatërroni flokët me ngjyrime të tepërta apo shampo të ndryshme (mikja ime i ndërron ngjyrimet si mbreti gratë), vetëm në rast se keni thinja, jeni të detyruara t’i lyeni, në të kundërt, për ç’arsye t’i rëndoni me kimikate?!

Kohë më parë, ju pata shkruar në faqe përvojën time lidhur me shampot, si dhe vendimin që ndërmora për ndërprerjen e përdorimit të tyre, madje ju kisha përmendur dhe llojin e sapunit që përdor aktualisht. Lidhur me këtë temë, para disa ditësh, më shkroi në inbox një (për)ndjekëse e faqes: “Po pse moj Lorena, ç’jemi ne të lajmë kokën me sapun jeshil, në kohën e Hoxhës jetojmë?!” Të cilës iu përgjigja: “E dashur, nuk  e kam arritur kohën e Hoxhës, sepse kam lindur pas vdekjes së tij, por një gjë di me siguri, flokët e grave të asaj kohe, nuk kanë të krahasuar me tufat artficiale që ti bashkë me shoqet e tua keni mbuluar dynjanë SOT, për shkak të tullacllëkut masiv”. Megjithëse “ashpërsia” nuk është pjesë e natyrës time, disa individë të detyrojnë ta përvetësosh me zor.

Maska që kam zgjedhur për sot, padyshim që nuk u drejtohet zonjave me tufa artificiale apo paruke (për mua njëlloj është), por atyre që kanë flokë natyrale dhe kujdesen vetë për to (jo flokëtoret). Personalisht, e aplikoj 2-3 herë në muaj… Shëndeti dhe volumi i tyre është mëse i dukshëm…

Përbërësit

200 gr shampo pa aromë (neutrale)

1 lugë gjelle vaj jojoba

20 pika vaj esencial sandalwood

20 pika vaj esencial patchouli

5 pika vaj esencial yang yang

Përgatitja

Në shishen e shampos shtoni vajrat esenciale dhe përziejini mirë derisa të krijohet një masë e homogjenizuar. Kujdes, në rast se përzierja nuk kryhet ashtu siç duhet dhe vajrat esenciale nuk bashkohen mirë me njëra-tjetrën, ka të ngjarë që gjatë aplikimit t’ju acarohet lëkura e kokës. Përdoreni njëlloj si shampon e zakonshme, thjesht lahuni me të./AlbStroka.com/Brenda 3-4 muajve do të vëreni se sa ndryshim do të kenë flokët tuaj…

Shihemi në shkrimin e radhës…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top